Roben heroi, Bajerni kampion Europe

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 26, 2013 | 11:11

Roben heroi, Bajerni kampion Europe

Bayern Munich's head coach Jupp Heynckes after Champions League final at WembleyBajerni kishte 4 vite që tentonte të joshte trofeun e Ligës së Kampioneve, por më në fund, pas 12 vitesh mungesë dhe dy tentativave boshe në tri vitet e fundit, dje “kupa me veshët e mëdhenj” i është përulur skuadrës së Jup Hejnkesit dhe është ngritur në qiell prej tyre. Pas disa refuzimesh, më në fund ky trofe i rikthehet palmaresit bavarez, dominuesit e vërtetë të këtij kompeticioni sivjet, ndonëse edhe njëherë tjetër treguan se finalet janë disi rrëqethëse për ta. Por, në fund, Borusia e Dortmundit dorëzohet në shifrat 2-1, ndonëse si asnjë finaliste tjetër në këto vite të fundit meriton ta dërgojë në shtëpi të paktën një nga veshët e këtij trofeu prestigjioz dhe jo më kot i meritoi të gjitha duartrokitjet e kësaj bote. Mirëpo, nëse futbolli shpeshherë përbën një përrallë, ajo më e bukura do mbajë titullin e “Arjen Robenit”, ai që e dërgoi Bajernin në ferr në sezonin e kaluar, duke i dhënë një shuplakë titullit të Champions- it vetëm nga 11 metra larg, ndërkohë që edhe sivjet bie përdhe. Por, këtë herë, lotët kanë shijen e fitores, shijen e heroit të takimit, shijen e një karrierë që tashmë mund të quhet e plotësuar, të paktën për sa i përket asaj në klube, sepse në Holandë asnjë nuk i ka harruar ende dy gabimet e tij fatale në Botërorin afrikan, përballë Kasijasit, që mund të vlenin edhe Kupën e Botës, i vetmi titull që i mungon tashmë 29-vjeçarit.

Borusia Dortmund-Bajern Mynih 1-2
Golat: Gundogan 67′ (pen) / Mandzukic 58′, Roben 89′
Borusia Dortmund: Weidenfeller – Piszczek, Subotic, Hummels, Schmelzer – S. Bender (Sahin 90′), Gündogan – Blaszczykowski (Schieber 90′), Reus, Großkreutz -Lewandowski. Trajner: J.Klop
Bajern Mynih: Neuer -Lahm, Boateng, Dante, Alaba – Javi Martinez, Schweinsteiger – Robben, T. Müller (Gomez , Ribery (Gustavo 90+1′) – Mandzukic (Gomez 90+4′). Trajner: Jup Hejnkes
Kartone te verdhe: Dante, Riberi / Großkreutz

Konfrontim stilesh Ndeshja duket e ekuilibruar, sepse dy rivalet e njohin edhe më mirë seç duhet njëra-tjetrën. Fundja, edhe rreshtimi në fushë është identik, ndonëse stili i lojës është krejtësisht i ndryshëm. Te Borusia e Dortmundit luan një zotëri me kreshtë që prapa në fanellë mban emrin e Marko Rojsit. Fillimisht e nis si sulmues i majtë, por në të vërtetë është në çdo cep të fushës dhe së bashku me Blazcikovskin dhe Groskrojcin që punojnë si lokomotiva nga krahët fusin në panik mbrojtën me fanella të kuqe. Pikërisht kështu, sepse teksa arrijnë të kalojnë digën e Martinezit dhe Shvajnshtaigerit, Boatengu dhe Dante janë thjesht birila që përdoren në stërvitje, por pikërisht këtu hyn në lojë Nojeri, i cili nga minuta e 14- të deri në të 22-ën shmang 4 gola të sigurt. Mbase, pritja e Nojerit me një lëvizje me këmbë të denjë për një kërcim rrep, ndaj tentativës së Blazcikovskit do të thoshte diçka, sepse fundja fat të atillë kanë vetëm fitimtarët… Deri në minutën e 25-të nuk ka lojë, sepse Dortmundi dominon totalisht, por Bajerni që në tentativën e parë trondit traversën me Manxukiçin, ndonëse për të shmangur golin duhet një prekje vendimtare e Vajdenfelerit. Ndeshja ndizet, ndërsa Klop dhe Hejnkes pilotojnë skuadrat e tyre nga pankinat me indikacione të rëndësishme, të cilat nuk përfundojnë në gol falë gjakftohtësisë së munguar të Levandovskit dhe gabimeve trashanike të Robenit nga ana tjetër, që pasi shfrytëzon përgjumjet e Humelsit arrin gjithmonë të godasë në trup portierin rival dhe kurrë portën, ndaj pjesa e parë përfundon në barazim 0-0.
… dhe papritur Roben Pjesa e dytë nis me Bajernin më agresiv, me Robenin që tregon se nëse ai nuk është ndër realizuesit më të mirë në qarkullim, natyrisht që është ndër më të mirët për asistet që dhuron. Pikërisht kështu, sepse në të 60-ën minutë, merr një top në zonë nga Riberi dhe nga vija fundore arrin të pasojë saktë për Manxukiçin, i cili si gjithmonë dhe pa shumë zhurmë e dërgon në rrjetë topin, duke i dhënë avantazhin Bajernit, pas një ore lojë. Kaq mjafton dhe kujtimet e errëta të së kaluarës duken thjesht një ëndërr e keq, por ja që Ricoli nuk e mendon kështu, por vazhdon t’i mbajë në lojë ato. Sepse pikërisht atëherë kur dukej se Bajerni mori lojën në dorë, Dante e sheh veten të dehur nga një driblim i Rojsit dhe arbitri italian nuk ka dyshime: penallti për Dortmundin. Gyndogan as që mendohet dy herë, por merr përsipër penalltinë dhe barazon në 1-1. Gjithçka duket e hapur, por Bajerni reagon menjëherë, edhe me më shumë agresivitet madje, por fillimisht Subotiç largon nga vija fatale një gol të sigurt, ndërsa Vajdenfeler fluturon pas një “siluri” të Alabës nga distanca dhe gjithçka mbetet në baraspeshë. Por, gjenerali Hejnkes nuk dorëzohet, sepse e di që mund ta fitojë këtë betejë dhe urdhri i radhës është sulm total, sulm total me “qitësin” Roben, që pasi merr asistin e Riberisë në zonë, këtë herë stopon dhe nuk tenton të driblojë Vajdenfelerin, por godet menjëherë dhe kaq mjafton për të festuar. Minuta e 89-të dhe “Uembli” shpërthen, shpërthen Robeni që harron penalltinë e humbur vjet me Çelsin, shpërthen Hejnkesi, që do i lërë një barrë të rëndë Guardiolës, shpërthen e gjithë bota e Bajernit, që rikthehet në majën e Europës.

Bayern Munich's head coach Jupp Heynckes after Champions League final at WembleyHejnkes: Lëvizjet taktike që bëra na dhuruan fitoren
Jup Hejnkes ia ka bërë më të vështirë punën pasardhësit të tij Pep Guardiola. Trajneri 68-vjeçar ngriti trofeun e dytë me Bajernin këtë sezon dhe pikërisht Champions- in, ndërkohë që e pret edhe finalja e Kupës së Gjermanisë. Ai refuzon të zbulojë të ardhmen e tij, ndërkohë që shpjegon se lëvizjet taktike që bëri në pushim të pjesës së parë u dhuruan triumfin bavarezëve përballë Dortmundit…
E prisnit këtë sezon?
Sigurisht që isha optimist se do të realizonim një sezon të suksesshëm. Ky grup futbollistësh bëri një paraqitje mjaft të mirë edicionin e kaluar dhe ne bëmë disa përforcime cilësore, të cilat na ndihmuan të përmirësohemi. Jam shumë i lumtur që kemi fituar një trofe kaq të rëndësishëm.
Bajerni e nisi keq finalen. Çfarë ndikoi që e çoi te fitorja?
Po, është e vërtetë që skuadra nuk funksionoi si duhet në pjesën e parë. Borusia krijoi më shumë raste për shënim. Gjithsesi, mendoj se fati i ndeshjes u ndryshua në pushim, ku unë bëra disa ndryshime taktike. Ato na dhanë shansin që të gjenim më tepër hapësira në fushë dhe të ishim superiorë. Shkoi siç e prisja.
Pas disa rasteve të shpërdoruara, ishte Roben ai që dhuroi triumfin…
Më vjen shumë mirë që e shënoi Arjen. Kishte nevojë dhe, mbi të gjitha, e meritonte ta vuloste ai finalen, pasi ka bërë një punë të madhe dhe ka dhënë një kontribut të rëndësishëm në të gjithë ecurinë tonë sezonale. Sot bëri një ndeshje të shkëlqyer. Gjithsesi, duhet të falënderoj të gjithë lojtarët, pasi sec ili ka qenë i rëndësishëm në këtë triumf.
A mendoni se fitorja e Ligës së Kampioneve do ndikojë për të lënë në hije punën e Pep Guardiolës?
Mos bëni pyetje të tilla, aq më tepër sot (dje). Të gjithë mundohemi ta çojmë Bajernin te fitoret. Pep do kërkojë të bëjë të njëjtën gjë.
Çfarë keni vendosur për të ardhmen?
Nuk është momenti të flas për këtë. E kam thënë edhe më parë që, më 2 qershor, do bëj të ditur se çfarë do bëj pasi të më përfundojë kontrata me Bajernin e Mynihut. Për momentin do festojmë triumfin në Champions, më pas do fillojmë punën për finalen e Kupës së Gjermanisë. Duhet të realizojmë tripletën…

RobennnRoben: E kisha ëndërruar këtë moment
Nëse dikush vinte përpara televiz ionit pikërisht pas minutës së 93-të dhe shikonte Arjen Robenin me duart në kokë, do mendonte se mallkimi vazhdonte. Por holandezi fluturues e prishi atë njëherë e përgjithmonë në minutën e 89- të. Humbësin e madh të finaleve e ndanë vetëm 60 sekonda nga shndërrimi në njeriun më të urryer të tifozëve në të gjithë historinë e Bajernit, mirëpo ai nuk u dorëzua.
Me asistin dhe golin tuaj, a u fshinë sadopak nga kujtesa dy finalet dramatike të Bajernit dhe tuajat?
Ky triumf do të thotë shumë për mua. Në fakt, nuk arrij as tani ta besoj. Kam shumë emocione, është e pabesueshme. Është si një ëndërr që u bë realitet, e kisha ëndërruar shumë një moment të tillë.
Franc Bekenbauer kishte parashikuar se ju do të shënonit në këtë finale, por me… penallti dhe do t’i jepnit titullin Bajernit.
Përpara kësaj ndeshjeje shumë kishin parashikuar se unë do të shënoja. Ndodhi vërtet, por nuk po arrij ta besoj.
Keni qenë me të vërtetë të pafat, sepse e dërguat topin në rrjetë në gjuajtjen e 25-të në kuadrat në tri finale (2010, 2012, 2013).
Me të vërtetë? Nuk e dija që kisha goditur kaq shumë në portën e Interit, Çelsit dhe Dortmundit. Por shënova një gol të rëndësishëm, apo jo?
Dhe shkuat për ta festuar gjatë me tifozët?
Kisha humbur dy shanse të pastra përpallë Vajdenfelerit, ndaj ishte një çlirim i jashtëzakonshëm. I falënderoj të gjithë, sepse vazhduan të më besojnë edhe sot e kësaj dite. Nuk më braktisën kurrë, prandaj kjo fitore është për ta.
Spostimi me Mylerin në qendër në pjesën e dytë, duket se ishte dhe çelësi i suksesit të ndeshjes. U ndjetë mirë në rolin e tij?

Nga kjo lëvizje e vogël taktike erdhi dhe goli i fitores. Për mua nuk ka rëndësi ku luaj, në qendër apo në krah. E rëndësishme është të fitojë skuadra, dhe ne ia dolëm. E kishim shpallur formacionin prej 3 javësh dhe Dortmundi kishte mundësi të na studionte. Spostimi ynë kishte për qëllim të shpërqendronim kundërshtarin dhe ndodhi disa herë gjatë ndeshjes, ashtu si ai i Shvajnit me Martinezin.
Keni shënuar në tri takimet e fundit të Champions- it, ndërsa rekordi juaj është gol në 4 ndeshje radhazi në sezonin 2009-2010. Besoni se do e thyeni sezonin e ardhshëm?
Pse jo. Por kjo ka pak rëndësi. Tani do të shijojmë vetëm suksesin e kupës së pestë të Bajernit. Do të jetë një natë e paharrueshme për këtë skuadër. Do ta marrim trofeun me vete në Mynih, dhe kjo është fantastike.

“U dërrmova, humbjen nuk e mendova kurrë”
Tomas Myler vërtet nuk pati shansin të ishte lojtari i katërt në histori që të shënonte gol në dy finale radhazi si Mesi, Raul dhe Eto, por zhvilloi një superndeshje. Ishte i palodhur dhe mjaft agresiv. “Jam i dërmuar. Jam zhveshur totalisht, aq sa edhe rrobat e mia më duken të rënda. Kam dhimbje sa në të majtë, në të djathtë. Nuk po e ndiej më trupin. Më duket vetja si pa ndjenja. Për fat të mirë këtë sezon nuk e di nga i kam gjetur energjitë. Jam i lumtur që i kam qëndruar besnik kësaj fushe. Më bëhet shumë qejfi më shumë që fituam për Hejnkesin. Nëse dikush arrin rekorde pa fund në Bundesligë dhe formon një ekip solid, atëherë Hejnkes e meriton edhe tripletën. Ndihesh mirë, pasi nuk je 28 vjeç që ke shanse të reja, por 68 vjeç, që shumë shpejt do t’i japësh fund kësaj karriere. Jam shumë i lumtur që ia dolëm, pasi nuk e dija a do ekzistoja nëse do të humbim”, – deklaroi Myler.

LahmLahm: Do e meritojmë tripletën
Për herë të parë, kapiteni Filip Lahm ngre një trofe ndërkombëtar, duke kurorëzuar kështu një gjeneratë ashtu siç bëri Kahn&Co. Mbrojtësi bavarez tani u bën thirrje shokëve se duhet të jenë larg dështimeve të shumta dhe t’i heqin nga mendja disfatat. “Ndihem shumë i lehtësuar. Është e pabesueshme se çfarë ka përjetuar kjo skuadër vitet e fundit. Ka qenë e thënë që ne të vuajmë gjithnjë deri në fund, duke indinjuar dhe emocionuar si veten dhe tifozët tanë, të cilët sot ishin të jashtëzakonshëm. Është kënaqësi të fitosh këtu. Në këto momente si lojtar gjerman jam krenar që kishim një finale gjermane dhe i treguam botës se çfarë futboll dhe temperament ka futbolli ynë. Gjenerata jonë e ka merituar. Më vjen mirë që pas 16 vitesh bashkë me Shvajnshtaigerin fituam trofeun më të rëndësishëm. Tani duam tripletën”, – deklaroi kapiteni Lahm.

“Pata frikë se mos na shkonte si vjet”
Nojer tregoi se është një portier i jashtëzakonshëm. Me reflekset e tij bëri që Dortmundit t’i dukej porta shumë larg. “Për të qenë i sinqertë, në fillim isha pak nervoz, por u çmenda në momentin e penalltisë kur ata barazuan. M’u duk sikur më ra ‘Uembli’ në kokë, pasi kështu na ngjau edhe vitin e kaluar. Megjithatë qëndrova optimist deri në fund dhe besova te goli i fitores brenda kohës së rregullt. Shokët e mi i vura re që në pushim se ç’mendonin dhe ç’fuqi kishin për këtë finale. Për mua është momenti më i bukur dhe nuk kam për ta harruar kurrë në karrierën time. Ky stadium, këta lojtarë”, – nënvizoi Nojer.

“Dua Levandovskin në ekip vitin tjetër”
Mesfushori spanjoll, Havi Martinez, ka shpërblyer më së miri shpenzimin e bërë nga bavarezët për të, prej 42 milionë eurosh, duke qenë se është pa dyshim një nga protagonistët kryesorë të këtij triumfi. “Ky është momenti më i bukur i jetës sime. Nuk e di, por nëse mendoj sesi ka ndryshuar jeta ime në një vit të vetëm, më vjen të mendoj thjesht që jam një njeri me fat. Ia dolëm, ia arritëm qëllimit! Të gjithë këtë sukses ia dedikoj familjes sime, e cila e përjetoi këtë sukses së bashku me mua. Jam i kënaqur për gjithçka kam bërë në këtë sezon, për gjithçka bëra në këtë finale, sepse të ndalosh Levandovskin nuk është një detyrë e lehtë, por një tmerr i vërtetë, por ia dolëm. Do e kem shok skuadre vitin tjetër? Shpresoj, fundja më mirë ta kesh në ekip, sesa kundërshtar”.

Shvajni: Plotësova një ëndërr
Zëvendëskapiteni i Bajernit të Mynihut, Bastian Shvajnshtaiger ka plotësuar një ëndërr: “Më në fund realizova një ëndërr. Ka qenë një rrugë e vështirë. Eksperienca na mësoi të përballemi me çdo pengesë dhe në fund erdhi shpërblimi i kësaj pune kolosale. Ishte pak e vështirë, por nuk e mendoja kurrë që do të ishte e pamundur. Ndihesh ndryshe kur je pjesë e kësaj finaleje. Në fakt, prisja ta startonim ndryshe këtë ndeshje. Fillimi na u duk disi i vështirë dhe jam shumë i lumtur që nuk pësuam asnjë gjë. Kemi zhvilluar një sezon të shkëlqyer dhe trajneri ka meritën më të madhe të këtij suksesi. Ai ecën me kohën dhe i jep skuadrës leksionet e duhura në momentin e duhur. E ka treguar qartë që është trajner i madh, që di të fitojë finale”, – nënvizoi Shvajnshtaiger.

Jürgen KloppKlop: Dramatike, por do kthehem sërish në finale
Jurgen Klop e tregoi veten që është një trajner i madh. Ndryshe nga homologu i tij Jup Hejnkes, Klop ka përjetuar leksionet dhe ethet e para të një finaleje Champions-i duke vibruar dhe njëkohësisht duke i shijuar deri në fund ato, edhe pse doli humbës. “Urime Bajernit, Jup Hejnkesit! E kush nuk mund ta urojë këtë njeri. Në shumë momente ishim prezent në fushë. Ishte një duel i balancuar në shumë pikëpamje, por në fund Bajerni ishte më i kthjellët dhe më kërkues. Pas një sezoni të gjatë, ne bëmë të pamundurën të jepnim dhe pasqyronim kualitetin tonë. Nëse do kishim humbur 4-0 apo 5-0, atëherë do kishte qenë shumë herë më keq. Arjeni ishte vërtet shumë i fortë, shumë kërkues. E kërkoi me ngulm këtë fitore dhe ia arriti. Çdokush duhet ta pranojë. Nuk ka asnjë lloj problemi. Ne do vazhdojmë të luftojmë dhe do kthehemi sërish në kundërshtarin më të fortë për Bajernin. Të gjithë ishin dëshmitarë që ne kemi qenë finalistë të merituar dhe që kemi ditur të ndëshkojmë këdo. Nëse nuk fituam sivjet, do ta provojmë sërish”, – u shpreh trajneri Klop, i cili tha diçka edhe për muzikën e tij të preferuar: “Na takon të festojmë. Helena Fisher do të vijë patjetër. Do më pëlqente shumë të dëgjoja disa balada. Gjermania është në festë. Kjo është ditë e shënuar për ne”. Në fund të intervistës, trajneri Klop zbulon edhe mendimin që i dha kancelarja Angela Merkel: “Kancelarja më tha se ka momente edhe më të vështira dhe më të këqija se kaq, në të cilat njeriu duhet të mësohet”.

“S’patëm fat, nuk shënuam në pjesën e parë”
Kapiteni i Dortmundit, Sebastian Kehl, i ka munguar ekipit në këtë finale. Duke e parë nga stoli, ai ka komplimentuar shokët dhe ndihet mjaft krenar për këtë arritje. “Nuk kishim çfarë të humbnim. U vlerësuam si skuadra surprizë, por të gjithë e pamë se çfarë performance dhe finale po luhej. Rivaliteti ishte mjaft i madh. Besoj se sot kemi zhvilluar një superndeshje. Ajo që nuk shkoi tek ne ishte fakti që nuk shënuam gol që në pjesën e parë. Jemi mësuar të ndëshkojmë në këto minuta, por fati nuk ishte me ne. Megjithatë, ne duhet të ndihemi krenarë për atë çfarë kemi dhënë deri këtu”, – tha mesfushori Kehl.

“Bëmë që Bajerni të vuante shumë”
Portieri i Dortmundit, Roman Vajdenfeler, bëri të pamundurën për të shpëtuar nga disfata. Ai ndihet krenar dhe i kënaqur me medaljen e argjendtë dhe planifikon ta provojë sërish vitin tjetër. “Ndihemi krenarë që e bëmë Bajernin të vuante aq shumë. Luajtëm një ndeshje të madhe, por për fat të keq nuk mjaftoi. Kjo të bën të ndihesh i traumatizuar, sepse në Champions kemi shkëlqyer. Na duhet ta pranojmë dhe të përgatitemi për sezonin tjetër. Për një moment menduam se do e kalonim ndeshjen në shtesë, pastaj aty do kishim shanse më shumë për fitore. Ky është Champions-i dhe futbolli”, – deklaroi Vajdenfeler.

Lëv: Radha e kombëtares për të fituar
Nuk mungojnë as urimet e trajnerit të kombëtares, Joakim Lëv, i cili e pa ndeshjen bashkë me skuadrën e grumbulluar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. “Mbi të gjitha dua të uroj Jup Hejnkesin për suksesin e tij. Ishte një finale e klasit të lartë, e luftuar dhe që i përket futbollit. Të dyja skuadrat treguan se e merituan të vinin deri atje”, – tha tekniku i përfaqësueses gjermane. Për 53-vjeçarin, Bajerni ishte fituesi i merituar në “Uembli”: “Kush shkon tri herë në finale në 4 sezonet e fundit, meriton gjithashtu ta ngrejë trofeun”. Dhe, si për të mos i mbetur hatri i Klopit, Jogi shtoi: “Respekte skuadrës së Dortmundit. Luajti një finale të madhe. Tashmë dëshira e gjithë gjermanëve është të përjetojnë një sukses të tillë edhe të kombëtares”.

Platini lë pa biletë Maradonën: Kishin mbaruar
“Diego nuk ishte në ‘Uembli’ dhe është shumë i zhgënjyer për këtë fakt, duke qenë se fajtor është stafi i Mishel Platinisë dhe askush tjetër. Ndonëse kërkoi që ta blinte me parà në dorë hyrjen për të shijuar Borusia Dortmund-Bajern Mynih, edhe në këtë mënyrë nuk u arrit të gjendej një biletë për një ikonë si ai”. E çuditshme, por e vërtetë: Diego Armando Maradona nuk ishte në “Uembli” dhe këtë fakt e ka konfirmuar avokati i “Pibe D’Oro”-s, Anxhelo Pizani. “Maradona i telefonoi personalisht Mishel Platinisë për t’i kërkuar një vend për të parë finalen, por ai iu përgjigj se nuk i kishte mbetur asnjë biletë e disponueshme. Ky fakt e nervozoi, jo për biletën, më shumë sesa për një përgjigje arrogante”. Mirëpo, duket se Maradona nuk ka qenë i vetmi që mbeti pa biletë, pasi edhe Pol Skolls i kishte kërkuar Sërl Aleks Fergusonit gjithashtu një të tillë, por skocezi u përgjigj se nuk kishte më asnjë vend të disponueshëm në stadium.

Arbitri Ricoli fali Danten
Nikola Ricoli nderoi jo vetëm Italinë, por edhe Bajernin e Mynihut mbrëmjen e kaluar. Pasi bëri gjithçka perfekt së bashku me bashkëpunëtorët e tij në 90 minuta, dy gabimet e vetme që “bilbili” nga Apeninet bëri dje e shpëtuan Bajernin. Akordimi i penalltisë në minutën e 68-të ishte vendim i saktë, por në këtë rast Dante meritonte kartonin e dytë të verdhë e për pasojë duhej ta linte Bajernin me 10 futbollistë. Gjithashtu, me pak më shumë ashpërsi, ai mund të kishte nxjerrë edhe Riberinë me të kuqe në dy raste: qoftë në pjesën e parë, qoftë në të dytën kur përdori qëllimisht bërrylat ndaj kundërshtarëve.

dortmundiiiii“Bisha” triumfoi kundër “të bukurës”
Borusia Dortmund-Bajern Mynih, ose “e bukura dhe bisha”, që të kujtonte historinë e vajzës që u dashurua me një përbindësh, por në një këndvështrim tjetër mund të themi se kishim një skuadër të bukur futbolli për t’u parë, sidomos në pjesën e parë, si ajo e Klopit, përballë një “bishe” në këndvështrimin e forces, që bavarezët e dëshmuan qartësisht në pjesën e dytë e në vecanti cerekorëshin e fundit. Dy ekipe me ndryshime rrënjësore, por me të përbashkëta kur flitet për sukseset…
“Bisha” – Bajerni i Mynihut këtë sezon mund të përkufizohet pa frikë me një “përbindësh”. Një ekip që nuk ka treguar asnjë shenjë mëshire përgjatë gjithë sezonit, duke dominuar me një diferencë të frikshme kundrejt kundërshtarëve. Një skuadër që ka thyer një “mal” me rekorde, ndërkohë që triumfoi këtë të shtunë të 25 majit edhe në kompeticionin që e priste prej shumë vitesh. Bavarezët fituan titullin kampion në Gjermani me 25 pikë diferencë, duke e siguruar që pas vetëm 28 ndeshjesh, ndërkohë që pësuan vetëm 18 gola. Në Europë gjithashtu kanë qenë po aq të frikshëm, duke i dhënë një leksion force Barcelonës, asaj që për vite me radhë shihej si e pamposhtshme. Djemtë e Jup Hejnkesit, jo vetëm që i eliminuan, por me një rezultat të përgjithshëm turpërues 7- 0. Më parë, një fat të përafërt kishin pasur edhe kampionët e Italisë, Juventusi. Një “bishë”, e cila me forcën e madhe që zotëron, rrëmbeu edhe një tjetër trofe këtë edicion, Ligën e Kampioneve. Madje, ata kishin treguar paraprakisht edhe një arrogancë të tepruar kundrejt rivalëve, çka konfirmohej nga blerja e Gëces, që e përcolli finale nga shkallët e stadiumit të “Uemblit”, duke paguar pa probleme 37 milionë eurot e klauzolës për të dhe pa njoftuar aspak drejtuesit e Borusias.
“E bukura” – Me një futboll tërheqës, me lojtarë të rinj dhe me një merkato me kosto të ulët, Dortmundi ka bërë për vete një pjesë të madhe të sportdashësve. Me një trajner karizmatik, me futbollistë që deri pak kohë më parë ishin thuajse anonimë, kanë fituar dy herë radhazi titullin kampion, ndërkohë që sivjet kanë “hequr qafe” me shumë hijeshi rivalë si Reali i Madridit. Askush nuk e priste që një skuadër “e brishtë”, në pamje të parë, do arrinte të hidhte përtokë “gjigandë” të futbolli europian. Një skuadër që kushtonte sa gjysma e Kristiano Ronaldos, të cilin e detyruan ta shikojë finalen nga televizori. Këtë here u përball pikërisht me “bishën”, me atë që përgjatë historisë ka pasur një raport me shumë luhatje, por së fundmi vetëm “dashuria” nuk ekziston. Një duel mes dy skuadrash me një diferencë kolosale financiare dhe statistikash, por që në një ndeshje të vetme gjithçka mund të ndodhte. Dhe Dortmundi ishte jo larg ëndrrës, sepse deri një minutë para mbarimit të kohës së rregullt ishte i barabartë edhe në rezultat me skuadrën e Jup Hejnkesit. Koha shtesë dhe ndoshta penalltitë nuk dihej se cfarë mund të sillnin pastaj…

ShaqiriShaqiri me dy flamuj: M’u realizua një ëndërr
Një mbrëmje e mrekul lueshme dhe e pa harrueshme për Xherdan Shaqirin triumfi në finalen e Ligës së Kampioneve ndaj Borusias së Dortmundit. Ai ka festuar me bavarezët fitimin e Ligës së Kampioneve dhe trofeun e dytë sezonal. Mesfushori është i pari lojtar me origjinë shqiptare që merr pjesë në një finale dhe ngre trofeun më të lakmuar të të gjithë futbollistëve. Edhe pse lojtari i përfaqësueses zvicerane nuk luajti asnjë minutë në këtë takim ndaj verdhezinjve, kjo nuk e zbehu gëzimin e tij të madh e të drejtë. Shaqiri, pas takimit, pati një përshëndetje për të gjithë shqiptarët dhe sidomos për ata nga Kosova, duke u paraqitur në “Uembli” me flamurin e Kosovës, por edhe me atë zviceran. Madje, 21-vjeçari e ngriti Kupën e Championsit, duke treguar edhe dy flamujt. Zgjedhja e tij me dy flamujt, atë kosovar dhe zviceran, solli reagimin e shumë tifozëve kuqezi.
Shaqiri – Mesfushori me origjinë shqiptare është në qiellin e shtatë, pas triumfit të arritur nga Bajerni. “M’u realizua një ëndërr”, – u shpreh ai pas përfundimit të takimit. Kosovari me pasaportë zvicerane është fotografuar duke vrapuar me trofeun në të dy duart dhe duke ua treguar atë tifozëve, ndërsa brohoriste para tyre.
Ankesat – Xherdan Shaqiri u pa në fushë duke festuar, ndërsa në duar mbante dy flamuj në një copë, ku në njërën gjysmë ishte ai zviceran dhe në tjetrën ai kosovar. Mesfushori kishte zgjedhur që t’i respektonte kështu tifozët dhe vendin e origjinës së tij, por edhe helvetët, vendi ku u rrit dhe për të cilin luan. Një zgjidhje e mesme e tij dhe diplomate, por që vetë tifozëve shqiptarë nuk u ka pëlqyer aspak. Ndërkohë që tifozët bavarezë shqiptarë i kërkuan familjes së tij që të dilte me flamurin kuqezi. Në rrjetet sociale ka pasur kritika ndaj futbollistit, i cili doli me flamurin kosovar dhe jo atë kuqezi, flamur për të cilin është luftuar shumë.
Kërkesa Tifozët bavarezë të Shqipërisë, para disa ditësh, i kishin dërguar një letër me shkrim familjes së lojtarit 21-vjeçar, ku i kërkonin që Shaqiri, në rast fitoreje, të dilte dhe të festonte me flamurin shqiptar. Mirëpo, nga ana e familjes Shaqiri, nuk pati asnjë reagim në lidhje me kërkesën e bërë. 21-vjeçari gjeti një zgjidhje të mesme për të mos prishur qejfin si të shqiptarëve, por edhe atë të zviceranëve, por duke treguar se ai e ka në zemër edhe Kosovën.

Basha dhe BerishaTriumfi i Bajernit çmend edhe shqiptarët
Edhe Shqipëria në festë. Klubi legjendar i Bajernit të Mynihut ka mbajtur të mbërthyer përpara ekranit të gjithë shqiptarët. Tifozë të thekur bavarezë ndër vite dhe më së shumti ata që kanë për zemër futbollin gjerman, kanë përjetuar 90 minuta emocionuese nga shtëpitë, lokalet dhe sheshet e qyteteve më kryesore të vendit. Nga Shkodra e deri në Gjirokastër ka pasur festë për finalen e fituar nga Bajerni në limitin e ndeshjes. Në disa qytete nuk kanë munguar organizimet, ndërsa në të tjerat gjithçka i është lënë rastësisë. Të paktë kanë qenë tifozët e Borusias së Dortmundit, ekipit që në këtë edicion të Champions-it për pak bëri surprizën.
Në Tiranë – Kryeqyteti shqiptar ka qenë dje “i pushtuar” nga tifozët bavarezë, të cilët me përfaqësuesit e “fun club”-it të tyre kishin organizuar një festë më vete në lulishten përballë Piramidës. Festa ka nisur që dy orë përpara ndeshjes, ndërkohë që një vend përpara ekranit gjigand ka zënë edhe kryeministri i vendit, Sali Berisha, kryebashkiaku i Tiranës, Lulëzim Basha, dhe shumë figura të tjera politike, por gjithashtu edhe të sportit në vend. Nuk ka munguar as sulmuesi i Kombëtares shqiptare, Erjon Bogdani, i cili ka ndjekur takimin në krah të kryeministrit dhe kryebashkiakut. Sportdashësit kanë shijuar gjatë ndeshjes birra “Korça”. Pas përfundimit të finales, festa ka vazhduar në bulevardin qendror të kryeqytetit, ku qindra makina kanë parakaluar me tifozë të Bajernit, të cilët ishin në ekstazë.
Në Shkodër – Në kryeqendrën e veriut, që njihet për një dominancë të tifozëve shkodranë, bashkia kishte menduar për një organizim në lidhje me finalen. Një monitor i madh, i vendosur në qendër të qytetit, dhe përpara ndeshjes një aktivitet i organizuar me një grup muzikor italian, e ktheu në festë gjithçka. Rreth 500 tifozë, shumica e tyre të Bajernit, ndërsa ra në sy edhe prania e shumë femrave, kanë festuar gjatë gjithë takimit. Momentet kur janë shënuar golat kanë bërë që qyteti verior të pushtohet nga ovacionet, ku sigurisht më shumë janë dëgjuar tifozët bavarezë. Festa ka vazhduar edhe pas ndeshjes, me tifozë të elektrizuar, të cilët kishin 12 vite që prisnin triumfin e Bajernit.
Në Korçë – Në sheshin para pallatit të sportit “Tamara Nikolla” ishte vendosur një projektor për t’u krijuar mundësinë qindra tifozëve të ndiqnin ndeshjen. Me sponsorizimin e kompanisë birra “Korça”, tifozë të Bajernit dhe Dortmundit shijuan një spektakël të vërtetë. Më të shumtë në shesh ishin tifozët bavarezë.
Të tjerët – Në qytetet bregdetare, Durrës e Vlorë, gjithashtu është ndjerë shumë finalja e Ligës së Kampioneve. Në sheshin para portit të Durrësit ishte vendosur një monitor gjigand, ndërsa në lagjet numër 1 dhe 3 ka pasur më shumë organizim nga tifozët. Më pak të organizuar kanë qenë në Vlorë, ndonëse lokalet e bulevardit Vlorë-Skelë, ato pranë portit dhe stadiumit kanë qenë të tejmbushura. Shumica e tifozëve kanë qenë të Bajernit. Edhe në Gjirokastër organizimi ka qenë i paktë, pavarësisht se ka pasur tifozë të shumtë të Bajernit. Lokalet e lagjes “18 shtatori” dhe ato në qendrën historike të qytetit ishin gjithashtu të tejmbushura.

Urimi i kryeministrit: Bajerni e meritoi!
Kryeministri i vendit, Sali Berisha, ka shijuar dje mes tifozëve të çmendur bavarazë takimin final të Ligës së Kampioneve, Bajern-Borusia Dortmund. Menjëherë pas përfundimit të ndeshjes, kryeministri nuk ka ngurruar të lërë mesazhin e tij të urimit në faqen zyrtare në “Facebook”. Ndër të tjera, ai shkruante: “Super ndeshje, super spektakël, super portier. Fitore e merituar e Bajernit”. Dje Berisha ka qenë i shoqëruar nga kreu i Bashkisë së Tiranës, Lulëzim Basha, i cili njihet si tifoz i Bajernit. Mes tyre ishte edhe sulmuesi i Kombëtares shqiptare, Erjon Bogdani.

LIGA E KAMPIONEVE
LIBRI I ARTË
1956 Real Madrid
1957 Real Madrid
1958 Real Madrid
1959 Real Madrid
1960 Real Madrid
1961 Benfika
1962 Benfika
1963 Milan
1964 Inter
1965 Inter
1966 Real Madrid
1967 Sëlltik
1968 Mançester Junajtid
1969 Milan
1970 Fejnord
1971 Ajaks
1972 Ajaks
1973 Ajaks
1974 Bajern Mynih
1975 Bajern Mynih
1976 Bajern Mynih
1977 Liverpul
1978 Liverpul
1979 Notingem Forest
1980 Notingem Forest
1981 Liverpul
1982 Aston Vila
1983 Hamburg
1984 Liverpul
1985 Juventus
1986 Steaua Bukuresht
1987 Porto
1989 Milan
1990 Milan
1991 Ylli Kuq i Beogradit
1992 Barcelona
1993 Marsejë
1994 Milan
1995 Ajaks
1996 Juventus
1997 Borusia Dortmund
1998 Real Madrid
1999 Mançester Junajtid
2000 Real Madrid
2001 Bajern Mynih
2002 Real Madrid
2003 Milan
2004 Porto
2005 Liverpul
2006 Barcelona
2007 Milan
2008 Mançester Junajtid
2009 Barcelona
2010 Inter
2011 Barcelona
2012 Çelsi
2013 BAJERN MYNIH
Përgatiti: IRGIS HYSENAJ / Përgatiti: ENIAR IBRO / JETON STAMOLLA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"