Riza Lushta, shqiptari i sport-klub Tiranës që mbërriti te kampionia e botës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 11, 2020 | 16:48

Riza Lushta, shqiptari i sport-klub Tiranës që mbërriti te kampionia e botës

Nga BESNIK DIZDARI

Besnik-Dizdari

1. “Riza Lustra âsht Riza Lushta”

Kjo nuk është fjali imja, disi apelative madje. Është fjali e vetë Riza Lushtës, fjalë për fjalë e germë për germë deri dhe me “â”-në me theks të gegnishtes. Pra, jo “Lustra” siç u thirr dhe iu shkrua mbiemri në fillimet e tij në Shqipëri. Ai ishte një djalë i ri, 21-vjeçar që po luante me sportklubin dhe mori pendën e i shkroi gazetës “Sporti Shqiptar” duke i thënë: “Riza Lustra âsht Riza Lushta!” Dhe drejtori i gazetës, Anton Mazrreku, e botoi letrën e tij – si një lloj “errata corrige” tejet e veçantë – në faqet e gazetës. Them se për sot e kësaj dite kjo është absolutisht letra e parë dhe e fundit që një sportist në aktivitet i shkruan kësisoj – çka dhe i botohet – një gazete shqiptare. Ja fjalë për fjalë çka shkroi Lushta, simbas botimit të faqes 4 të “Sportit Shqiptar” të 17 qershorit 1937 me titullin

“Riza Lustra âsht Riza Lushta”:

“Riza Lustra âsht Riza Lushta Riza Lushta na dërgon ket shkresë:

“E quej të nevojshme të deklaroj me anën e “Sportit Shqiptar” se emni i personit t’im, në bazë të regjistrave të Gjendjes Civile âsht ky:

RIZA LUSHTA.

Ju lutem zotni Drejtor t’a botoni ket lajm në numrin mâ të parë të gazetës”. Me nderime të posaçme:

RIZA LUSHTA

(Lojtar i “Sport-klub Tiranës”)

Dhe qysh në këtë 1937 ai u njoh vetëm si Riza Lushta dhe jo Llustra apo Lustra, ndonëse mund të ndodhte ndonjëherë që ndonjë gazetë josportive shqiptare prapë t’ia shkruante Lustra. Ndërsa në Itali, në shtypin italian kurrnjiherë Lustra, por gjithmonë vetëm LUSHTA.

1 (1)

2.Një gazetar përfshihet në dramën e Riza Lushtës

Është vërtet e çmueshme që, tash së fundi, krejt papritmas ia arrita të gjej një filmim disasekondësh në fushën e lojës të Riza Lushtës gjatë një ndeshjeje të tij në Itali. Kështu, më në fund, në këtë vit 2020 që fikson një 80-vjetor të rrallë për historinë tonë, mund të them se unë “e pashë” Lushtën në ndeshje. Vetvetiu, ky realitet ma nxit edhe më fort fantazinë apo shikimin përmes nëpërmendjes sime. Viti 1940 për ne – në vetë përhapjen dhe rritjen e futbollit shqiptar – si në një lloj parabole me këtë 2020, na formon një 80-vjetor jubilar, që për historinë tonë ka të bëjë me risinë e asokohe që mban emrin Riza Lushta. E, me Riza Lushtën, përveç shkrimit të parë të gjerë që kam botuar për te mbas Luftës së Dytë Botërore (21 dhjetor 1990) në shtypin shqiptar, kam dhe një ngjarje dramatike. Kisha botuar disa shkrime dhe më në fund, më 18 prill 1996, me rastin e 80-vjetorit të lindjes së tij, ia urova ditëlindjen përmes telefonit me të, nga shtëpia e tij në Torino, Via San Pio 6, nr. i telefonit 0039116692608. Dhe të nesërmen (19 prill 1996) botova në “Sportin” që drejtoja, posterin e parë, të jashtëzakonshëm me koment për të. Lushta i sëmurë, pasi u njoftua nga shoqja e tij me të cilën bashkëjetonte prej dekadash, u ngrit nga shtrati dhe unë ia arrita të përshëndetesha me të, duke marrë me vete tingullin disi të lodhur e plot falënderime të zërit të tij. Mbas disa muajve ndërsa isha në zyrën time te “Sportit Shqiptar” që drejtoja dhe ku kisha botuar pra, shkrimet e para për Lushtën, të cilit ia kisha dërguar kopjet e gazetës, bie zilja e telefonit. Ishte një thirrje nga Italia.

Njeriu që po më fliste quhej Claudio Casinelli. Mbasi më kërkon të falura, zotni Casinelli, avokat nga Torinoja, më paraqitet si nipi i gruas bashkëjetuese të Riza Lushtës. Më kërkon të falur dhe, disi me ndrojtje, më lutet që brenda mundësive të mia, të përpiqesha për t’u lidhur përmes telefonit me zotni Mehmet Lushtën, nipi i Riza Lushtës, i cili banonte në Pejë të Kosovës. Avokat Casinelli nuk ia kishte arritur që të bisedonte në hollësi me Lushtën e ri dhe në pamundësi, duke përfituar nga kartëvizita ime që ata e kishin së bashku me kopjet e gazetave që kisha dërguar, më telefononte për të më kërkuar një ndihmë. Siç kuptohej, shëndeti i Lushtës përkeqësohej vazhdimisht dhe me sa merrej me mend, ai po kalonte kohën e fundit të jetës së tij. Avokat Casinelli dëshironte të njoftonte për këtë të afërmit e Lushtës (dihej se nuk kishte pasur fëmijë) për gjithçka që mund të ndodhte. Natyrisht, që e mora përsipër këtë kërkesë, duke e quajtur një detyrim ndjenje dhe profesioni. U emocionova tejet, sepse kurrë nuk më kishte shkuar ndërmend se do të përfshihesha kësisoj për një rast dramatik, tronditës dhe natyrisht njerëzor, me Riza Lushtën për të cilin nga dëgjimet qysh kur isha fëmijë, dhe sidomos nga studimi rreth tij, kisha një adhurim. Mora përsipër për t’u lidhur me ing. Mehmet Lushtën. Mirëpo, Kosova ishte krejtësisht e izoluar, në një udhëkryq lufte, e po kështu vetë Jugosllavia. Ndërkaq, telefoni me Pejën, edhe duke u përpjekur për t’u lidhur nga Tirana, siç më thoshin, në 6 të mëngjesit, qe e pamundur të funksiononte. Nuk më pëlqente të hiqja dorë, ndonëse e njoftova mikun italian se ishte e pamundur për t’u lidhur me Pejën. Ndodhi që atë verë të shkoja me pushime në Ulqin, e këtu gjithçka u thjeshtua përmes zyrës së Post-Telefonisë së Ulqinit, një ndërtesë tejet e vjetër me një mjedis që më kujtonte Post-Telefoninë e Shkodrës së viteve ‘50 kur radha për të folur në telefon me Tiranën a Durrësin, ishte e pambarim.

Ndejta në radhën e Post-Telefonisë së Ulqinit dhe më dukej se isha në një botë ku vitet përziheshin e ngatërroheshin keqas, teksa befas kujtohesha se isha në Ulqinin edhe këtë të àndrruem krejt ndryshe. Sidoqoftë, arrita të lidhem me ing. Lushtën, i cili, ashtu si të gjithë kosovarët, ndodhej i izoluar, në këtë rast në Pejë, e gjitha kjo pjesë e një situate dramatike për krejt Kosovën. Ndihesha i gëzuar tejet sepse isha bërë ndërlidhësi i Riza Lushtës me të afërmit e tij familjarë në çastet e fundit të jetës së tij. Kështu pra, është vërtet e çuditshme se si mplekset gazetari. Më vonë, kur e bisedoja këtë me mikun e paharrueshëm Zihni Gjinali – trajnerin e futbollistin tonë të madh – ai stepej e ma përmendte shpesh, duke më thënë se si mund të ndodhte që një gazetar i mbasluftës si puna ime, fati ta çonte kësisoj te Riza Lushta për t’u marrë sado pak me dramën e fundit të jetës së tij. Kur jam kthyer nga Ulqini në Tiranë dhe kam marrë në telefon avokat Casinellin në Torino, çudia dhe falënderimet e tij së bashku me një ftesë për të më mirëpritur në Torino, nuk mbaronin lehtë. Biseda tash ishte disi më e gjatë. Casinelli mendonte se të afërmit e Riza Lushtës, për çdo të papritur, mund të dëshironin që varrimi i tij të bëhej në Kosovë. Po ndërkaq, e vërteta ishte se varrimi në Itali kushtonte shumë, thjesht për faktin se Lushta ishte qytetar amerikan, pra i huaj. Nënshtetësi që ai e kishte marrë mbas një martese të pazgjatur në SHBA në disa pak vite kur kishte jetuar atje. E, nipi Mehmet Lushta e të tijtë as që mund të lëviznin nga Peja për jashtë, pavarësisht se përveç të tjerave, kalonin një gjendje tejet të vështirë ekonomike. Kështu, kaluan disa muaj dhe Riza Lushta ndahej nga jeta (1997) në qetësi, në shtëpinë e tij në Via San Pio 6 në Torino.

Ndërsa unë vazhdoja të shkruaja pa ia nda për të në libra, gazeta, revista… Vetëm kështu mund t’i nderojmë dhe vetëm kështu mund të ruajmë, të ritregojmë dhe të pasurojmë historinë tonë. Natyrisht, pa u marrë me anekdotime krejt të panevojshme.

2 (1)

3. Riza Lushta – Kupa e parë dhe kampion i Shqipërisë 1939

Më 22 janar 1939, në Shkodër është luajtur ndeshja e fundit, madje finale, e edicionit të parë të Kupës së Shqipërisë, çka nja 20 vjet më parë e kam “zbuluar”, e kam konfirmuar, e kam botuar, duke mbetur ajo përjetësisht si e para në historinë e futbollit tonë. Këtu po më pëlqen të shtoj se kjo ishte Kupa e parë e Shqipërisë që do të fitonte Riza Lushta. Kjo Kupë e parë e Shqipërisë e fituar nga klubi kryeqytetas, sanksionohet me finalen e famshme të Shkodrës, ajo Vllaznia – SK Tirana 1-2. Ky është edicioni i parë i Kupës së Shqipërisë “zbuluar” mbas 60 vjetëve prej nesh ku Riza Lushta shënon golin e parë (minuta 24 e ndeshjes). Kjo do të thotë se Lushta është shënuesi i parë i golit të parë të Kupës së Shqipërisë në gjithë historinë. Këtu po rikujtojmë 11-shin e sport-klub Tiranës në këtë finale të pashlyeshme dhe themeluese për historinë e futbollit shqiptar: Hobdari, Maluçi, F.Janku, Llambi, Karapici, Plluska, Balla, Lisi, Lushta, Jakova, Kashariqi. Ishim plot 75 ditë para pushtimit italian dhe Riza Lushta niset për përçuar futbollin e tij në Francë. Ishte një ëndërr që siç do ta tregojmë më mbas, mbetet thjesht ëndërr. Dhe gjithçka do të shndërrohej në një realitet të bujshëm, jo francez, por italian…

Befasia e madhe është se Riza Lushta do të rikthehej në Shqipëri ku fati kishte paracaktuar se ai do të zhvillonte ndeshjen e tij të fundit. Për t’u nda kështu, me Shqipërinë dhe sport-klub Tiranën e tij, edhe kësaj here, si gjithnjë po fitimtar. Është mjaft e veçantë, po aq edhe e rrallë, kjo ndeshje e fundit e Riza Lushtës po dhe e Naim Kryeziut në kampionatin e Shqipërisë. E çuditshme është se ashtu si dhe në rastin e Kupës së sapopërmendur, përsëri gjithçka vendimtare ndodh në ndeshjen e dytë. me ndryshimin se kësaj here nuk jemi në Kupë, por në ndeshjen e dytë finale për titullin e kampionatit të luftës. Është ajo e shtatorit të vitit 1939 ku Riza Lushta dhe Naim Kryeziu luajnë së bashku ndeshjen e tyre të fundit në Shqipëri, duke fituar titullin e kampionit me sport-klub Tiranën. Është finalja e dytë, ajo SK Tirana – Vllaznia 6-5, kur Lushta dhe Kryeziu po bëheshin gati të shkonin në kampionatin e Italisë. Kemi të bëjmë me një ndeshje krejt të barabartë dhe tashmâ duket qartë se Vllaznia e Shkodrës ia ka arritur të formojë një skuadër shumë të mirë, ndoshta për herë të parë të barabartë deri në skaj me sport-klub Tiranën e Lushtës e të Kryeziut. Është 30 shtator 1939. Shtatë muaj pushtim fashist. Dukej si një kalamendje.

3 (1)

Futboll. Tregti. Ndërtime. Kinema. Udhëtime. Kulturë. Modë. Dhe ky kampionat kombëtar që si Kupë do t’i japë fituesit Trofeun e Liktorit. Është një ditë befasuese vjeshte. Thuajse 24 orë rresht shi i dendur. Vetëtimë. Furtunë. Për fat, gjatë ndeshjes nuk ka shi, një “armëpushim” i vjeshtës, siç përcaktohet aq bukur. Në Shallvare është e pranishme e gjithë Tirana e futbollit. E doemos edhe jerarkët italianë e shqiptarë: dr. Bianchi, sekretar federal i Partisë Kombëtare Fashiste; dr. Nicola Lo Russo Attoma me cilësinë e drejtorit të Shtypit, Propagandës e Turizmit, njeriu që me ministrin Ernest Koliqi do të formonin në Tiranë Institutin e Studimeve Shqiptare. Ndodheshin ndërkaq, për këtë finale të kampionatit, edhe dr. Camassa, inspektor federal i PKF; dr. Namik Resuli, sekretar i federal i Tiranës; dr. Luigi Grimaldi, sekretar i Mbaspunës Krahinore të Tiranës. Dhe me ta është dhe i mirënjohuri Said Toptani, më parë ministër e deputet, një nga organizatorët më të mëdhenj të rinisë e të sporteve në Shqipëri në vitet ‘30. Pushtuesi i zgjuar kërkonte të shpaloste gjithnjë e më fort një pamje po aq sa kombëtare shqiptare, po aq dhe të kulturës së mirëfilltë. Ndeshja ka një fillim të papërmbajtshëm për sport-klubin. Në të 6’ Miço Plluska e shndërron në gol një lëmsh para portës shkodrane. Në të 13’ Zyber Lisi e bën 2-0. Dhe mbas tij i vjen radha Naim Kryeziut me dy golat e tij në të 32’ dhe në të 40’, çka do të thotë 4-0 për SK Tiranën brenda 40 minutave të para! Është një epërsi që do të ruhet gjatë për vendësit, edhe pse në të 42’ Loro Boriçi nuk arrin të shndërrojë në gol një 11-metërsh të fituar nga Lutfi Hoxha.

Rudolf Gurashi pret! Tri minuta më vonë nuk ndal goditjen e fortë të Met Vasisë e bash këtu nis mrekullia e vonuar shkodrane. Kronika thotë se me fillimin e pjesës së dytë “shihet fare kjartas se Shkodra nuk ka mend me e lëshue lojën pa… pushkë”. Lutfi Hoxha shënon bukur dhe 4-2. E Lushta si Lushta. Është bërë gati të marrë rrugën e Barit tashmâ, se menaxherët italianë janë në tribunë, por prapë prodhon gola për Tiranën. Mashtron radhazi një tufë shkodranësh dhe 5-2. Kronika tregon me humor se “nji tifoz shkodran ja ban nji shoku të vet: Shkon e gërset lufta për rrezik të Shkodrës: vjen Lushta prej Francet e fiton Tirana”. E, mandej Haki Korça tek firmos 6-2 me golin e tij të minutës 15. “Nji kryevepër precizjoni”, e cilëson Anton Mazrreku. Në të vërtetë këtu është një informacion me rëndësi për të cilin do të tregojmë pak më tej. Le të qëndrojmë te kjo finale e 30 shtatorit 1939. Pikërisht kur gjithçka duket se ka marrë fund, “makina e Shkodërs xéhet e loja merr zjarr”, nënvizon kronika, si të gjitha të tjerat që do të risjellim në këtë studim, në stilin e kulturuar të gegnishes. Gjithçka është vepër e treshes së mesit Alibali-Koxhja-Vasija. Në të 76’ Boriçi nuk përmbahet mbasi ka marrë topin e çmueshëm prej Hoxhës: 6-3! Mbas 3 minutash episodin e ndërton Shkjezi dhe Loro Boriçi ngushton në 6-4! Dhe e merr fjalën Skender Gjinali, ylli tjetër i Kosovës për klubet e Shqipërisë, i cili gjen Boriçin, e ky nuk e tradhton. Gjuajtja e Loros është e rrallë: shtyllë dhe rrjetë! Është një Boriç – i riu i të rinjve! Ky ishte 17-vjeçari Loro Boriçi – zbulimi i rrallë i futbollit shqiptar, mbi të cilin do të shenjonin emisarët e Lazios të Romës. Dhe ndeshja që fikson 6-5 përfundimtar për skuadrën e Tiranës! Futbolli shqiptar kishte mbyllur dekadën e madhe të tij. Ndërsa pa komplekse politike, do pohuar se Italia fashiste i kishte dhuruar Shqipërisë së futbollit vazhdimësinë. Skeda e ndeshjes të bujshme është kjo:

Sport-klub Tirana – Vllaznia e Shkodrës 6-5

Tiranë, 30 shtator 1939, Fusha e Shallvares.

SK TIRANA: R.Gurashi; Maluçi, Janku; Myzeqari, F.Hoxha,

Karapici; Kryeziu, Lisi, Korça, Lushta, Plluska.

VLLAZNIA: Jubani; Hila, Pali; Alibali, Vasija, Koxhja; Shkjezi, L.Hoxha, Boriçi, Radovani, Gjinali.

GOLAT: 1-0 Plluska 6’, 2-0 Lisi 13’, 3-0 Kryeziu 32’, 4-0

Kryeziu 40’, 4-1 Vasija 43’, 4-2 L.Hoxha 49’, 5-2 Lushta 52’, 6-

2 Korça 60’, 6-3 Boriçi 76’, 6-4 Boriçi 79’, 6-5 Boriçi 80’.

GJYQTAR: Sinnico i Federatës Italiane të Futbollit.

Shihet që shkëlqejnë tre “italianët” e ardhshëm të Serisë A: Boriçi autor i 3 golave, Kryeziu autor i 2 golave dhe Lushta autor i 1 goli. Janë golat e fundit shqiptarë të Naim Kryeziut dhe të Riza Lushtës. Një muaj më vonë, më 28 nëntor 1939, në Tiranë organizohet një tjetër ndeshje e madhe, jashtë kampionatit, po në Shallvare. Naim Kryeziu është po aty. Po tashmâ Riza Lushta nuk është. E ka rrëmbyer Bari. Vllaznia fiton bujshëm 3-1, që të duket si një akt tjetër i fundores (finales) së 30 shtatorit për kampionatin.

4. Riza Lushta i Montpellier dhe i Cannes?…

E vërteta është se Lushta nuk ishte në Shqipëri në këtë vit 1939, por në Francë prej ku vjen në Tiranë për ndeshjen. Me sa duket, e thërrasin, për fitoren e titullin kampion përmes finales 6-5 ndaj Vllaznisë të sipërpërshkruar. Siç u pa, kronika kohës thotë se “shkon e gërset Lufta për rrezik të Shkodrës: vjen Lushta prej Francet e fiton Tirana”.

Do të kuptohet se Riza Lushta ka shkuar të provohet në Francë e atje gjendja është e turbullt. Lushta, i cili më 1948-‘51 do të luajë 3 kampionate me Cannes – histori ende e pa zbërthyer prej nesh – në këtë 1939 rikthehet në Shqipëri, ashtu si më 1936 kur braktisi Teknikën e Tiranës për të mundur Vllazninë në 4-1-shin e famshëm që ua humbi titullin aq të afërt shkodranëve. E braktis shkollën, ngaqë Mbretëria nuk lejonte nxënësit gjimnazistë të merrnin pjesë në kampionatin kombëtar të Shqipërisë. “Shkolla dhe mësimet mbi gjithçka!”, thoshte ajo. Dhe i kthehemi Montpellier të Francës. Në shkrimin e tij të vitit 1945, të gazetës “Sporti”, Anton Mazrreku shkruan këto radhë: “Më 11 korrik 1939 Riza Lushta lot me skuadrën e Montpellier kundër Toulouse-s, Fletorja ‘L’Auto’ e Parisit i vë këte cilësuer shutit të Rizas: ‘Impitoyablo’ – ‘I pamshirshëm’”, shkruan Mazrreku. Dhe për sa kohë e thotë Anton Mazrreku, kurrë nuk kam dyshuar për këtë ndeshje të Riza Lushtës me skuadrën e Montpellier, por gjithmonë kam dyshuar nëse kjo është një ndeshje prove apo një ndeshje e kampionatit të Francës.

Mirëpo, ja që kampionati i Francës 1938-‘39 kishte disa javë që kishte përfunduar. Kjo do të thotë se Lushta në këtë ndeshje Montpellier – Toulouse, që përmend Mazrreku, ka luajtur për t’u provuar, provë që tregon se Lushta i ka kënaqur së tepërmi specialistët francezë, përderisa “L’Auto” e përcakton Lushtën të një “shuti” “Impitoyablo” – “I pamshirshëm”. Vitet kalojnë dhe ja që tash së fundi, papritmas në internet më shfaqet një njoftim mjaft interesant. Është “zbulim” i autorit Aurenc Bebja në Francë (Blogu © Dars (Klos), Mat Albania), i cili mbasi e ka gjetur, me profesionalizëm ka publikuar edhe frontespicin origjinal të gazetës “L’Auto”, duke përkthyer fragmentin nga ajo çka “L’Auto” ka shkruar. Përkthimi i “L’Auto” nga Aurenc Bebja është ky:

“Në fund të verës së vitit 39, një i ri u paraqit me modesti para drejtuesve të “SO Montpellier”. ”Unë jam një student nga Shqipëria, – u tha ai, – dhe do të doja të luaja futboll në ekipin tuaj”. Kandidati dha provat dhe… u integrua menjëherë. Por një javë më vonë, ngjarjet e detyruan atë të kthehej në Itali. Futbollisti në fjalë ishte Lushta, të cilin që prej atëherë e seleksionuan në Squadra Azzurra (kombëtaren italiane) dhe aktualisht luan në të majtë te Juventusi, midis Meazza-s dhe Ventimiglia-s. Dhe Juventusi mundi liderin (kryesuesin) e kampionatit, Livornon.

Drejtuesit e skuadrës së Montpellier-it pranojnë se nuk janë gati të gjejnë një sulmues të kësaj vlere…”. Shihet që ky përshkrim i shpejtë, është mjaft i rëndësishëm për historinë tonë, çka i vë vulën faktit që Lushta ka veshë për një ndeshje të vetme fanellën e Montpellier. Por, që na sjell edhe një pohim francez për zotësinë e madhe si lojtar të Riza Lushtës deri dhe për te kombëtarja e Italisë – eveniment i madh që përbën shtyllën bazament në këtë ristudim tonin për futbollistin e madh shqiptar. Dhe nga Montpellier Riza Lushta drejt e te ndeshja e titullit 1939 të sport-klub Tiranës! Duket që ai është kthyer në Shqipëri edhe për shkak të pasigurisë dhe ngjarjeve të Luftës që sapo mbërrinte edhe për Francën (“Shkon e gërset Lufta për rrezik të Shkodrës: vjen Lushta prej Francet e fiton Tirana”). Ky i Montepellier është shkëlqimi, si të thuash, vetëtimë, i Rizasë në Francë. Po ndërkohë, mbas pak vitesh ai do të ketë tri kampionate franceze të luajtura me Cannes (1949, 1950, 1951) – e dhënë kjo që e gjen në të gjitha skedat e botuara. Madje, edhe me shifrën e 5 ndeshjeve të luajtura me këtë klub në kampionatin e Francës 1950-‘51. Dhe së fundi me një përmbledhje të tri viteve me këtë skuadër franceze që na thotë se në tanësi Lushta tash 33-35-vjeçar, ka luajtur 27 ndeshje dhe ka shënuar 3 gola, çka, megjithatë skrupuloziteti i historianit, jo i antihistorianit, na thotë se duhet ta konsiderojë një të dhënë ende të pasigurt. Kësisoj, ende nuk kemi arritur të saktësojmë e të mësojmë diçka më tepër për këto tri vite “enigmatike” të Riza Lushtës në Francë… Të tjerat do t’i tregojmë në shkrimet e ardhshme të plot risive….

4 (1)

5. Riza Lushta dhe Anton Mazrreku

Një herë, në 1964, kur mbas ndeshjes 17 Nëntori – Cerno More 0-0 e Varnës së Bullgarisë për Kupën Ballkanike, në sallën e shtëpisë së bashkimeve profesionale “Ali Kelmendi” në mes të Tiranës, afër hotel “Donikës” apo Teatrit të Estradës, u organizua një bashkëbisedim i sportdashësve me Anton Mazrrekun. Papritmas, një tiranas i guximshëm u ngrit dhe e pyeti Mazrrekun e madh se cili ka qenë futbollist më i mirë: Riza Lushta apo Loro Boriçi. Salla heshti e ngurosur, por Mazrreku ruajti qetësinë dhe u përgjigj duke i ngritur lart të dy, me shumë zgjuarsi dhe ekuilibër. Kështu, ndonëse jo publikisht, Lushta përmendej në Tiranë e në Shkodër, por edhe në qytete të tjera. Dy Dizdarë të fisit tim, të mëdhenjtë e paharrueshëm të sportit, futbollit e atletikës së lehtë, Feti Dizdari e Ibrahim Dizdari, kampionë e rekordmenë të famshëm për ne, përveç të tjerave, profesorë të shquar të edukimit fizik, kishin luajtur në kampionatet e viteve ‘30 përballë Riza Lushtës. Shpesh ata na flisnin për dyshen Lushta – Kryeziu, që ishte bërë legjendë. Zotni Brahimi, siç e thirrte gjithë Shkodra, do të udhëtonte jo rrallë në Itali, aty ku luante Lushta. Kur profesori dhe studiuesi ynë i paharrueshëm Mentor Quku – biografi i pakrahasueshëm i Ndre Mjedës – botoi një shkrim për profesorin tonë, ai kishte ruajtur një foto të jashtëzakonshme të zotni Brahimit i cili së bashku me Anton Mazrrekun kishin pozuar duke pasur Lushtën në mes, pak çaste para një ndeshjeje të tij në kampionatin italian.

Dhe mjafton vetëm të kujtosh vështrimin e Mazrrekut dhe Dizdarit, fiksuar në këtë foto, për të kuptuar se çfarë ndjenje veneracioni kishin këta dy profesorë për Lushtën, ndonëse ky ishte më i ri se ata dhe madje i quante profesorë. Nuk po zgjatem fort, por po them se ndoshta pa kujdesin dhe pendën e Mazrrekut, Lushta nuk do të ishte bërë aq i afërt për shqiptarët, pse jo, deri te brezi im madje. Po e lëmë mënjanë se çka ka shkruar Mazrreku në vitet ‘30 kur Lushta ishte identifikuar me sport-klub Tiranën në gjithë ata tituj që u fituan nga kryeqytetasit. Por, Mazrreku është gazetari që ka shoqëruar Lushtën në Itali, qysh në ndeshjen e tij të parë me tri reportazhet e tij botuar në të përditshmen e vetme të Tiranës 1940, gazetën “Fashizmi”. Reportazhe që ua kam shpalosur me kohë, bukur e mirë shqiptarëve të sotëm. Çka, përveç të tjerave, janë shkollë e gazetarisë. Interesant është ndërkaq se edhe me vendosjen e regjimit komunist, Mazrreku, ndonëse krejt shkurt e në mënyrë fragmentare, siç përmenda më sipër, shkroi një herë për Lushtën në 1945 në gazetën “Sporti”.

E mandej heshtja e madhe deri më 21 dhjetor 1990 kur në “Sporti Popullor” (“Sporti Shqiptar”) që drejtoja shkrova dhe botova portret-shkrimin e parë me titullin lakonik, por tejet domethënës: “Riza Lushta”! Qysh në këtë ditë nuk ka më ndalesa. Shkrimet nuk kanë ndalë pra, sa për Lushtën po aq edhe për Kryeziun. Janë aty unifikimi dhe përpunimi i të cilëve, siç shpresoj prej kohësh, mund të më çojnë te një libër. Kushedi… Tash po futem më thellë në temën e këtij tregimi. Jemi pra në një 80-vjetor që për historinë e futbollit shqiptar është fort kuptimplotë. 80 vjet më parë (1940) dy futbollistë shqiptarë, thuajse rrufeshëm, bëhen pjesë e kampionatit të Italisë, e cila dy vjet më parë (1938) ishte bërë për herë të dytë kampione e botës. E, Riza Lushta dhe Naim Kryeziu, i pari me Juventusin e i dyti me Romën, vetëm mbas 24 muajve, në 1942, do të fitonin Kupën dhe kampionatin e Italisë me Juventusin e Romën duke qenë protagonistë të rangut të parë. I kam përshkruar këto ngjarje deri në hollësi, natyrisht mbështetur në shtypin shqiptar të kohës, sidomos falë dokumentimit të Anton Mazrrekut tonë të madh. Ndonëse gjithnjë duhen rishkruar e pasuruar, siç po veproj edhe në këtë studim “tregimtar”. Por, le të jemi edhe më tregimtarë konkretë në gjithë këtë histori të bujshme për ne…

* Botimi është ekskluzivitet i “Panorama Sport”. Asgjë nga ky botim studimor nuk mund të ribotohet prej dikujt pa lejen e redaksisë.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"