Rivalitet për Superioren, Plori: Nuk na mungon asgjë ndaj Kastriotit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 19, 2020 | 23:25

Rivalitet për Superioren, Plori: Nuk na mungon asgjë ndaj Kastriotit

Besëlidhja ka përpara provën e “zjarrit” në stadiumin “Redi Maloku”, ku do të ndeshet me Kastriotin. Krutanët janë në pozita komode, me 9 pikë para lezhjanëve, të cilëve u bën punë vetëm fitorja për të hapur garën sa i takon kreut. Këtë e konfirmon për “Panorama Sport” trajneri Elvis Plori, i cili në njëfarë mënyre “replikon” me Ajazin, i cili tha se “rivalët i bëjnë elozhe vetes”.
elvis plori
Plori nuk e përmend, por me elegancë thotë se skuadra e tij nuk ka asgjë mangët në krahasim me Kastriotin. “Pjesa post-‘COVID’ e kampionatit, komplet faza e tretë, na gjeti 9 pikë larg kreut, që mbahet nga Kastrioti për arsyet që tashmë i kemi konsumuar. Po shohim përpara duke analizuar gabimet e së shkuarës dhe besoj se po ecim mirë, jemi në korsinë e duhur për të pretenduar Superioren pa ndeshjet shtesë. Të shtunën kemi ndeshjen me Kastriotin, që është edhe përcaktuese për objektivin tonë, ndaj do të shkojmë në këtë transfertë vetëm për fitore, çdo rezultat tjetër për ne është i pavlefshëm. Duke analizuar formën e skuadrës, jam i kënaqur. E treguam në ndeshjet që kemi luajtur, ndaj Tiranës për Kupën e Shqipërisë dhe ndaj Erzenit për kampionat. Ndonëse humbëm me rezultat të thellë ndaj Tiranës, skuadra pjesën e parë zhvilloi një lojë të kënaqshme, ndaj edhe jam optimist.
Kastrioti
Kastrioti është komod me sasinë e pikëve, ndërsa ne jemi komodë me superioritetin ndaj tyre, pasi u kemi marrë pikë në dy përballjet direkte. Pa dyshim që Kastrioti është një skuadër e mirë, as që duhet të diskutohet, pasi e tregojnë vetë shifrat ne tabelë, por edhe Besëlidhja nuk ka gjë mangët. Pozitive për ne është se futbollistët vijnë pas një fitoreje dhe janë në formë të shkëlqyer. Nuk ka futbollistë të dëmtuar nga titullarët, përveç Ruqit dhe Gjorgjeviçit, por për këtë të fundit shpresoj se deri ditën e ndeshjes do të rehabilitohet. Java stërvitore po shkon shumë mirë dhe shpresoj se këtë formë ekipi do ta demonstrojë edhe përballë Kastriotit. Nesër (sot) do të zhvillojmë stërvitjen përmbyllëse për këtë sfidë dhe jam i bindur se Besëlidhja do të bëjë detyrën, ashtu si në dy fazat e shkuara ndaj Kastriotit”.

PRENG GJIKOLA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"