“Rivali më i fortë i kampionëve do të jetë sërish Partizani”, Vllaznia-Teuta, Begeja: Durrsakët nuk thyhen

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 17, 2021 | 16:55

“Rivali më i fortë i kampionëve do të jetë sërish Partizani”, Vllaznia-Teuta, Begeja: Durrsakët nuk thyhen

Teuta dhe Vllaznia do të përplasin “brirët” nesër për llogari të javës së dytë të kampionatit dhe për një ish-sulmues që ka shijuar një ndeshje të tillë me dhjetëra herë, ky duel sjell jo pak nostalgji. Në një intervistë për “Panorama Sport”, Gentian Begeja i bën një analizë situatës në kampin durrsak, ndërsa flet edhe për kryendeshjen e javës.

begeja

Genti, çfarë përshtypje ju la Teuta në ndeshjen e parë të kampionatit kundër Partizanit?

Ndeshja e parë është gjithnjë e vështirë, me cilindo kundërshtar të luash. Megjithatë, e rëndësishme për Teutën është marrja e tri pikëve. Më pëlqeu loja dhe mënyra se si ekipi ishte i vendosur në fushë. Në total mendoj se e meritoj fitoren ndaj Partizanit.

Skuadra ka bërë shumë ndryshime gjatë merkatos, ka diçka që në syrin tuaj nuk shkon?

Teuta e nisi aty ku e la, me mentalitet kampioni, por duhet pak kohë që lojtarët e rinj të afruar të kuptojnë filozofinë e trajnerit dhe klubit. Pra, kolaudimi i skuadrës vazhdon.

A mund të bëni një krahasim me sezonin e kaluar, ku mendoni se Teuta është dobësuar?

Jo, unë mendoj se Teuta është po ajo skuadër pretendente për trofe. Edhe pse ka ndryshime në organikë kam shumë besim se edhe lojtarët e rinj të afruar do ta justifikojnë besimin e stafit dhe klubit.

Të shtunën i pret Vllaznia, një rivale e sezonit të fundit, në një kohë që të dyja skuadrat u përballën edhe në Superkupë. Si e shikoni këtë herë?

Do të jetë një ndeshje e luftuar dhe e bukur në stadiumin “Loro Boriçi”. Janë dy skuadra pretendente dhe rivale për titull që kanë dhuruar gjithmonë spektakël ndër vite, si në Shkodër ashtu dhe në Durrës. Unë uroj dhe shpresoj që kjo ndeshje të jetë vitrinë për kampionatin tonë.

Dikur kur keni luajtur vetë dhe duke qenë sulmues, jo pak herë jeni bërë protagonist në përballjet me shkodranët. Duket se ai rivalitet i viteve ’90 është kthyer fuqishëm edhe tani mes dy qyteteve?

Po, është diçka e bukur sepse bëhet fjalë për dy qytete të mëdha dhe që kanë histori. Nëse flasim për Teutën, unë mendoj se në Shkodër duhet të bëjë lojën e saj, pasi e ka të gjithë pjekurinë dhe kualitetet për të dalë me pikë. Pse jo edhe fitore në këtë takim.

Sa shanse ka Teuta ta përsërisë sezonin e kaluar?

Besoj shumë se i ka të gjitha mundësitë për të përsëritur suksesin e sezonit të fundit. Natyrisht do të jetë një garë më e fortë këtë sezon sepse pretendentët për titull janë shtuar tashmë.

Cilat klube i shikoni si rivalët më të fortë për Teutën?

Mendoj se do të jenë më shumë se tri skuadra, konkretisht Teuta, Partizani, Vllaznia dhe Tirana. Por, rivalin më të fortë për Teutën shikoj Partizanin, pa nënvlerësuar ndonjë ekip tjetër.

ZAMIR QYPI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"