Rivali i Laportës shpërthen kundër presidentit të Barcelonës: Po rrezikojmë…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 16, 2022 | 21:47


Rivali i Laportës shpërthen kundër presidentit të Barcelonës: Po rrezikojmë…

I dyti në zgjedhjet e fundit te Barcelona me 16,679 vota (29.99% e elektoratit), Viktor Font ka sulmuar të dielën në mbrëmje presidentin Joan Laporta dhe operacionet financiare të ndërmarra prej tij dhe bordi i drejtuesve të klubit katalanas. Ish-rivali i Laportës në zgjedhjet presidenciale te Barcelona është personazhi i radhës që kritikon strategjinë ekonomiko-financiare të klubit.

BARCELONA

Joan Laporta dhe bordi i tij drejtues kanë nisur këtë verë një sërë operacionesh financiare për të injektuar para në klub dhe për të qenë në gjendje të afrojnë lojtarë në merkato. Në fakt strategjia e ndjekur nga Laporta ka funksionuar, me Barcelonën që është përforcuar ndjeshëm, teksa deri më tani klubi ka arkëtuar deri në 850 milionë euro siç ka deklaruar vetë Laporta.

Font i është përgjigjur në rrjetet sociale pyetjes se si do të kishte krijuar të ardhura te Barcelona në këto kushte ku ndodhet klubi Font kritikon se të ashtuquajturat “leva financiare” janë mbyllur pa plan, “shpejt e me vrap” dhe se ato nuk ndihmojnë në “rritjen e aseteve të klubit”. “Kujtoj se kemi planifikuar gjatë periudhës elektorale të sillnim partnerë strategjikë nga biznesi audioviziv e tregtar; dhe të mos bënim asnjë operacion me të drejtat televizive.

Partnerët strategjikë që do të na ndihmonin t’i zhvillonim këto biznese shpejt. Por Laporta e ka menduar ndryshe dhe unë mendoj se këto leva financiare janë tërësisht të gabuara. Funksionimi i të drejtave televizive është thjesht financiar dhe marrëveshja me ‘Sixth Street’ nuk do të ndikojë në rritjen e aktiviteteve të klubit. Po ashtu partnerët e ‘Barça Studios’ nuk janë më të mirët për rritjen e biznesit. Pa harruar se në klub janë nxituar t’i bëjnë punët shpejt dhe kështu po rrezikojmë shumë për një të ardhme afatgjatë”, ka thënë Font.

PANORAMASPORT.AL