Rivali çek i Skënderbeut, ekip me lojtarë vendas që ka ndryshuar emrin 13 herë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 21, 2017 | 20:47

Rivali çek i Skënderbeut, ekip me lojtarë vendas që ka ndryshuar emrin 13 herë

FK Mlada Boleslav është themeluar para 115 vitesh si klub futbolli, por ka një histori modeste gjatë kësaj periudhe, pasi thuajse pjesën dërrmuese e ka kaluar në kategoritë inferiore të futbollit çek. Gjatë historisë së saj 115-vjeçare, Mlada Boleslav e ka ndryshuar 13 herë emrin e klubit. Për herë të parë, Mlada Boleslav është ngjitur në elitën e futbollit çek në vitin 2004.

mllada boleslav

Suksesi më i madh i këtij klubi është regjistruar në sezonin 2005-2006, ku e mbyllën kampionatin si nënkampion duke siguruar edhe pjesëmarrjen në turet paraeliminatore të Ligës së Kampionëve dhe më pas siguruan pjesëmarrjen në grupet e Ligës së Europës. Edhe në sezonin pasues, kundërshtari i Skënderbeut arriti të sigurojë pjesëmarrjen në grupet e Ligës së Europës, synim, të cilin kërkon ta arrijë edhe këtë vit.

Nga edicioni 2011-2012 e në vazhdim Mlada Boleslav ka marrë pjesë rregullisht në turet paraeliminatore të Ligës së Europës, por pa arritur që të përsërisë suksesin e fillimit në arenën europiane. Një vit më parë, kundërshtari i Skënderbeut është eliminuar në të njëjtin raund të Ligës së Europës nga Shkëndija e Tetovës, e cila fitoi 2-0 ndeshjen e parë në Maqedoni dhe u mund 1-0 në Çeki.

mllada

Mlada Boleslav ka në përbërje një ekip me lojtarë vendas, pasi në përbërje janë vetëm dy mbrojtës të huaj, pikërisht braziliani Dagllas dhe sllovaku Lukas Paushek. Mlada Boleslav i luan ndeshjet në një stadium të vogël me 5 mijë vetë, kështu që korçarët nuk i pret ndonjë presion i madh nga tribunat.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"