“Rivalët e Tiranës dihen, por kanë ndryshuar…”, sfida hapëse e kampionatit ndaj Kukësit, flet Shehi: Seferi? Pas të premtes…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 18, 2022 | 20:36

“Rivalët e Tiranës dihen, por kanë ndryshuar…”, sfida hapëse e kampionatit ndaj Kukësit, flet Shehi: Seferi? Pas të premtes…

Tirana do të nisë kampionatin në transfertën e Kukësit, ku përballë do të gjejnë verilindorët nesër në orën 17:00 në stadiumin “Kukës Arena”. Në vigjilje të këtij takimi hapës të Kategorisë Superiore, në një deklaratë për mediat ka folur trajneri i kampionëve të Shqipërisë, Orges Shehi, i cili ka analizuar këtë ndeshje për bardheblutë nga kryeqyteti:

ORGES SHEHI 1

Sfida e parë e kampionatit – “Kjo është ndeshja e parë e kampionatit dhe shorti na ka rezervuar një rival direkt. Është një ndeshje që gjithmonë e hapin kampionët dhe të shkojmë të luajmë si kampionët në fuqi.”

Dëmtimet – “Limaj ende vuan dëmtimin e kupave të Europës. Seferi ka kaluar një gjendje jo të mirë shëndetësore, por të paktën ka minimumi 5 ditë që stërvitet me skuadrën. Ditën e djeshme na erdhi një sulmues i ri që donim ta kishim në skuadër, por ai i është bashkuar ekipit dje dhe jemi gati.”

Edicioni i ri – “Kampionati është një maratonë e gjatë dhe deri në përfundim të këtij edicioni janë 36 ndeshje, ne të besojmë në atë gjë që duhet të bëjmë. Të sillemi si kampionë dhe kjo duhet të fillojë që nesër që të kemi vazhdimësinë për objektivat madhorë. Në gjithë karrierën time që merrem me futboll, kampionatin e vjetshëm të Tiranës shumë pak skuadra mund ta kenë bërë, ku është dominuar nga java e 5-të deri në javën e fundit.”

Krahasimi me vitin e kaluar – “E kaluara e mirë e vitit të kaluar do të jetë barometri i këtij sezoni. Kampionati dhe skuadrat janë të ndryshme nga viti në vit edhe ne jemi të ndryshëm nga vjet sepse kemi ndryshuar minimalisht 40% të skuadrës. Por nëse do ta kemi barometrin sezonin e kaluar atëherë do të gabojmë sa i përket pikëve dhe ecurisë së kampionatit. Situatat e këqija duhet t’i minimizojmë.”

Merkato – “Me datë 31 gusht është dita kur mbyllet merkato. Edhe ne kemi lojtarë cilësor brenda në skuadër që nga momenti në moment edhe mund të largohen. Seferin e kemi këtu, por nuk e dimë se çfarë do të ndodhë pas të premtes.”

Rivalët – “Skuadrat që kanë qenë në Europë kanë ndryshuar trajner siç kanë qenë Partizani edhe Laçi edhe kur vjen trajner i ri duhet të shohësh lojtarët, rreshtimet sesi kryejnë. Nuk kemi një ide të qartë për këto skuadra që kanë qenë në Europë edhe për këto ekipe të tjera si Kukësi, që nuk kemi shumë informacion sepse gjithë fazën e kanë kryer jashtë shtetit, të cilët kanë ndryshuar shumë lojtarë. Rivalët tanë do të jenë të përhershmit, por të mos harrojmë edhe Egnatian sepse kanë shpenzuar shumë duke marrë lojtarë cilësorë. Mendoj pas fazës së parë, çdo skuadër do të tregojë potencialin edhe objektivin që kanë për atë që shfaqen në fushë.”, përfundoi Orges Shehi.

BRIAN KRISTO – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"