Rriten shanset për largimin e Flikut nga Bajerni, gjermani ka gjashtë ditë kohë për të shpëtuar vendin e punës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 9, 2021 | 11:52

Rriten shanset për largimin e Flikut nga Bajerni, gjermani ka gjashtë ditë kohë për të shpëtuar vendin e punës

E ardhmja e Hansi Flikut në Mynih do të vazhdojë të mbetet një mister edhe në javët e ardhshme. Nëse 56-vjeçari do të vazhdojë të jetë në krye të skuadrës më të titulluar në Gjermani, kjo mbetet për t’u parë. Të tre: Hansi Flik, Oliver Kahn dhe Hasan Salihamixhiç, kanë servirur një situatë jo të qëndrueshme duke bërë që e ardhmja e Flikut në Mynih për sezonin e ardhshëm të jetë një mister.

flik

Të tre këta flasin vetëm për ndeshjen e radhës dhe që sezoni aktual të mbyllet me sukses. Kjo është gjithçka që këta kanë të përbashkët. Kontrata e Flikut skadon në 2023 dhe sigurisht që ka ende kohë për të menduar për një rinovim, por kjo nuk i ka ndaluar lojtarët, të cilëve u skadon kontrata më vonë për të folur në lidhje me të ardhmen e tyre në klubin bavarez. Madje, janë vetë drejtuesit bavarezë, të cilët kanë këmbëngulur për të dalë në publik dhe për të thënë se lojtarë të veçantë do të qëndrojnë gjatë në Mynih. Pse kjo nuk mund të ndodhë me Flikun?!

E ARDHMJA NË KOMBËTARE

Ajo që ka sjellë këtë moment të vështirë në klubin gjerman është mosdakordësia për planifikimin e merkatos mes Hasan Salihamixhiçit dhe Hansi Flikut. Duke parë që trajneri nuk është i lirë të vendosë për lojtarët që vijnë dhe ikin nga skuadra që ai drejton, me shumë mundësi do të kërkojë të largohet në fund të sezonit, edhe pse mund të fitojë kampionatin në fund. Kjo pak rëndësi ka për klubin bavarez që është abonuar prej shumë vitesh me “Meisterschahle”-n. Ndeshja e kthimit në Paris do të jetë vendimtare për të dhe skuadrën e tij, një kualifikim do ta bënte të pamundur largimin e tij dhe do të rrezikonte një shkarkim të Salihamixhiçit. Një eliminim do të rëndonte shumë mbi trajnerin i cili mund të zgjidhte më pas i qetë të drejtonte kombëtaren e Gjermanisë pas largimit të Joakim Lëvit. Flik do të ishte ideal për të zënë vendin e Jogit, pasi e njeh shumë mirë ambientin në DFB. Tani që ka grumbulluar eksperiencë me klubin bavarez, Flik do ta kishte më të lehtë të drejtonte kombëtaren gjermane.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"