Ritëm i lartë në 100 minuta stërvitje, Ahmataj ngre zërin dhe punon për “ABC”-në e futbollit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 3, 2019 | 12:36

Ritëm i lartë në 100 minuta stërvitje, Ahmataj ngre zërin dhe punon për “ABC”-në e futbollit

Temperatura të ulëta dhe qielli disi gri. Fare pak momente ka kur rrezet e diellit depërtojnë dhe zbresin deri në fushën e “Skënder Halilit”. 

Ahmataj

Tirana ka nisur javën stërvitore që do të kulmojë me sfidën ndaj Kukësit. Kundërshtari përballë ka fituar në fazën e parë. Nën vëzhgimin e Julian Ahmatajt, përgatitësi atletik dhe zëvendëstrajneri punojnë me lojtarët për të kryer një fazë të plotë nxehjeje. Ushtrimet e nevojshme, por jo vetëm kaq.

 TOPI – Çdo ushtrim i bardheluve shoqërohet me veprime me topin. Pasi lojtarët kanë marrë nxehjen e duhur të muskujve, më tej u vjen radha ushtrimeve që finalizohen me një pasim apo me një goditje me kokë. Për shumë minuta, llojet e ushtrimeve janë të larmishme dhe futbollistët duhet në fund që të bëjnë një veprim të ndryshëm me topin. Gjuajtje me kokë nga vendi, gjuajtje me kërcim, pasim me të dyja këmbët, tentativa driblimi etj.

AHMATAJ – Trajneri është në rolin e vëzhguesit. Pasi është përgatitur programi stërvitor, numri një i pankinës së Tiranës vëzhgon aplikimin e çdo ushtrimi dhe veprimi në fushë, teksa dy ndihmësit e tij janë më pranë lojtarëve, shpjegojnë dhe kërkojnë realizimin perfekt të çdo ushtrimi.

Është dita e parë e javës, por stërvitja është intensive. Lojtarët, në pushimet e pjesshme për të pirë ujë, duken qartë që ndiejnë edhe frymëmarrjen e rënduar. Pak nga temperaturat e ulëta, por edhe pak nga ritmi i lartë i kërkuar. Më tej, kur periudha e “nxehjes” dhe ushtrimeve të para përfundon, trajneri “zbret në fushë”.

Ahmataj u shpjegon lojtarëve se është koha për të përmirësuar shënjestrën. Përballë janë dy porta dhe lojtarët në katër grupe kanë seanca të ndërthurura. Në fillim me një lloj ushtrimi, pastaj me serinë e goditjeve në kuadrat. Thënë thjeshtë, Ahmataj kërkon edhe forcë, por edhe saktësi nga të tijtë.

ahmataj

LOJA – pasi përfundon edhe periudha e ushtrimeve dhe goditjeve përballë portës, është radha për të luajtur dhe vënë në zbatim “ABC”-në e futbollit: Mbrojtjen dhe sulmin e në fund, golin. Trajneri ndan lojtarët në disa grupe. Gjithçka është e përllogaritur, që të ketë edhe elementë që dinë të mbrojnë, por edhe ofensivë. Ahmataj kërkon nga lojtarët që në një territor të shkurtër, të bëjnë fazën e mbrojtjes në raportin 2 që mbrojnë dhe 3 që sulmojnë. Të njëjtët lojtarë që sapo mbrojtën aksionin, të ndërtojnë një tjetër për ta finalizuar.

NGRE ZËRIN – Stërvitja bëhet intensive. Teksa përfundon edhe ushtrimi me fazën e mbrojtjes dhe sulmit, skuadra ndahet në disa grupe me pesë futbollistë. E njëjta gjë, por me aksione më të zgjatura. Këtu, shpesh shihet që Ahmataj të ngrejë edhe zërin. Trajneri kritikon sa herë mungon finalizimi duhur i aksioneve, apo sa herë sheh nga mbrojtësit veprime jo të duhura në mbulim. Rrezet e diellit shpesh mbulojnë fushën.

Gjithashtu, edhe të rinjtë Çelhaka apo Ismailgeci ngrihen mbi nivelin e të tjerëve me veprime të bukura, gjuajtje të sakta dhe finalizime perfekte. Të gjithë në aksion dhe luftohet shumë për çdo top. Lojtarët kanë grinte, nerv, e mbase në fund të stërvitjes edhe pak lodhje. Më se e kuptueshme. Pas rreth 100 minutash stërvitje, sigurisht me pushimet e shkurtra të nevojshme, bardheblutë lënë fushën dhe u drejtohen dhomave të zhveshjes. Përpara është Kukësi dhe ekipi duket që ka ritmin e duhur në fillimjavë…

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"