Ritëm dhe lojë, Juri Kanarsa “forcon” Apoloninë me të rinj

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 28, 2021 | 12:19

Ritëm dhe lojë, Juri Kanarsa “forcon” Apoloninë me të rinj

Në Fier ndihen më të qetë. Mjaftoi një fitore, që atmosfera të ndryshonte. Vendi që kanë në renditje nuk është ende komod, ndaj do të tentohet vazhdimësia. Këtë të shtunë presin Besën dhe shpresohet që të luhet në “Loni Papuçiu” dhe jo në aneksin e stadiumit.

Apolonia

Të lehtë nuk do ta kenë, por në shtëpi bardhejeshilët nuk kanë në plan që të falin. Me këtë moto e kanë nisur punën edhe dje. Juri Kanarsa kishte një grup të plotë dhe si gjithnjë nuk u kursye me ngarkesat. U mor me çdo detaj, pasi pret që të mos përsëriten më gabimet e së shkuarës.

Nën urdhrat e trajnerit kishte edhe “përforcime”, disa të rinj fierakë nga ekipet U-19 dhe U-21, që i janë bashkuar në këtë seancë ekipit të parë. Alvi Mezani, Jurgen Bala, Enea Topi, Thoma Puci dhe Kristian Papa u stërviten prej teknikut italian. Apolonia ka spikatur gjithmonë me lojtarë të rinj, madje gjatë verës i shitën disa.

Fierakët janë ndër klubet që kanë promovuar dhe promovojnë këta elementë dhe u jep mundësi të shfaqin talentin. Është ky shkaku që në ndeshjet zyrtare u kanë dhënë edhe minuta, për të fituar gradualisht edhe përvojë.

Në fund të stërvitjes, trajneri italian ndau ekipin në dy grupe që i “përplasi” me njëri-tjetrin. Pjesë e kësaj ndeshjeje brenda llojit ishin edhe të rinjtë.

HILMI SALIU – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"