Risia e Ze Marias, lojtarët e Tiranës i bëjnë analizën njëri-tjetrit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 26, 2018 | 14:50

Risia e Ze Marias, lojtarët e Tiranës i bëjnë analizën njëri-tjetrit

Lojtarët e Tiranës i bëjnë analizën njëri-tjetrit. Kjo është gjetja më e fundit e trajnerit brazilian të bardhebluve. Kështu, pas barazimit pa gola mes Tiranës dhe Teutës, bardheblutë kanë zhvilluar dje stërvitjen e radhës në “Skënder Halili”. Trajneri Ze Maria në ndryshim nga herët e tjera, në analizën e pasndeshjes, të zhvilluar dje, e cila zgjati më shumë se 50 minuta, ka gjetur një formë tjetër diskutimi.

ze maria

Lojtarët duhet t’i bënin analizën njëritjetrit ose më saktë, ai që do të diskutonte për ndeshjen, duhet të prekte problemet e shokëve të skuadrës gjatë 90 minutave. Kanë qenë disa nga lojtarët, të cilët kanë diskutuar, duke treguar të mirat dhe të këqijat e ndeshjes, ku sërish nuk u shënua gol. Në fund, ishte stafi teknik ai që diskutoi për ndeshjen, duke analizuar në detaj gabimet me çdo futbollist.

Tirana

Më pas, ekipi u kthye në stërvitje, duke nisur përgatitjet për ndeshjen me Kukësin. Katër futbollistë kanë zhvilluar stërvitje të diferencuar. Bëhej fjalë për Edon Hasanin, Marvin Turtullin, Dejan Blazhevskin dhe Uinful Kobinën. Lojtarët ishin të ngarkuar dhe pasi zhvilluan disa xhiro rreth fushës së lojës, u futën në dhomat e zhveshjes. Pjesa tjetër e grupit për rreth 1 orë e 30 minuta u stërvit në vapën e kryeqytetit. Skuadra pritet të rinisë të hënën përgatitjet për sfidën me kuksianët.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"