Risia e Klodian Duros, Lushnja e nis me “tredhëmbësh”/ Kapiteni Canka: Ja si e likujdojmë Burrelin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 1, 2022 | 22:27

Risia e Klodian Duros, Lushnja e nis me “tredhëmbësh”/ Kapiteni Canka: Ja si e likujdojmë Burrelin

Lushnja vjen e transformuar. Rreth 65- 70% e kontingjentit ka ndryshuar dhe, mbi të gjitha, e nisin sezonin 2022-2023 me Klodian Duron në stol.

Duro Klodian

Trajneri ka shndërruar skemën dhe pritet që përballë Burrelit, ta nisin në tredhëmbësh. Skuadra verdhejeshile do të zbresë në fushë me një skemë totalisht sulmuese. Klodian Nuri, Mikel Canka dhe Brunid Pepa janë ata që do të kenë peshën e golave për këtë sezon.

KAPITENI – Vetë kapiteni joshet nga ky model, aq sa nuk ngurron që të paralajmërojë shpërthimin. Në një deklaratë të dhënë për “Panorama Sport”, ai skanon zhvillimet më të fundit në ekip dhe ndalet te starti i kampionatit. “Lushnja do të luajë me tre sulmues dhe kjo është një gjë e mirë.

Trajneri kërkon më shumë përgjegjësi nga ofensiva. Kjo ka të bëjë me skemën që ka vënë në fushën e lojës. Burrelin duhet ta vlerësojmë, sepse ka një ekip për t’u respektuar. Me një lojë sulmuese, të shkojmë te fitorja, që ka shumë rëndësi për ndeshjen e parë të kampionatit”, tha 35- vjeçari. Në ndryshim nga vitet e kaluara, përgatitjet janë zhvilluar në komoditet të plotë dhe kjo shihet si “bonus” nga sulmuesi.

Canka

“Kjo gjë i ka munguar Lushnjës prej shumë vitesh. Fushat stërvitore janë gjëja më e mirë për një ekip, që duhet të kapë majat e elitës. Jemi përgatitur mirë për ndeshjen e së shtunës. Në ndeshjen me Burrelin, ekipi i Lushnjës do të hyjë vetëm për fitore. Lushnja është e përbërë me djem të rinj dhe me lojtarë të eksperiencës. Janë alternuar në skuadër për ta bërë atë një pretendente për elitë”, deklaroi kapiteni i lushnjarëve.

lushnja

ALBAN ALUSHI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"