Risia e kampionatit, tani akuzojnë edhe… fituesit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 24, 2015 | 18:00

Risia e kampionatit, tani akuzojnë edhe… fituesit

LuftetariAkuzat, dhuna dhe goditjet tashmë nuk përbëjnë më lajm në futbollin shqiptar. Sidomos në Kategorinë e Parë. Është bërë traditë tashmë që çdo javë të ketë kontestime ndaj gjyqtarëve, lojtarë që goditen apo skuadra që hartojnë relacione për t’u ankuar në federatë. Pas 90 minutave nuk ka më qetësi dhe historia nuk përfundon aty, por zhvendoset në media me akuza dhe kundërakuza.

Fundjavën e kaluar u mbyll faza e parë e Kategorisë së Parë. E veçanta e kësaj jave është se tashmë ka kontestime ndaj gjykimeve edhe nga skuadra që kanë fituar. Trajneri i Lushnjës, Artan Bano, u tregua më shumë se i sinqertë kur në fund të ndeshjes ndaj Butrintit që e fitoi skuadra e tij 1-0, deklaroi se kishte folur edhe me teknikun mik dhe të dy kishin dalë në konkluzionin se arbitrimi ishte skandaloz. Në një situatë të tillë, ose me të vërtetë gjyqtarët kanë qenë në nivelin më të dobët, ose të dy trajnerët e kanë këtë si alibi.

Gjithashtu, edhe në Burrel u përsërit e njëjta histori. Administratori i klubit matjan, Drilon Skura, deklaroi në fund të takimit që Burreli e fitoi 1-0 ndaj Mamurrasit se me këta gjyqtarë, nëse ke para, mund të shkosh deri në Superiore. Gjykimi është edhe pika më e kontestuar jo vetëm e kësaj jave, por e thuajse çdo jave të luajtur deri tani. Në sfidën e zhvilluar në Peshkopi, Kamza arriti deri te vendimi ekstrem duke lënë fushën e lojës për më shumë se pesë minuta pas penalltisë së akorduar nga gjyqtari në favor të Korabit vendës. Në një kohë që në fund të takimit, miqtë pretendojnë se është goditur me gur në gjoks kapiteni i tyre Eristotel Koleci. Presidenti kamzali Naim Qarri dhe ai dibran Femi Mëziu kanë shkëmbyer akuza në gazetë mes tyre dhe historia vazhdon të jetë e njëjtë.

Të gjithë e kanë të vështirë të pranojnë atë çfarë mund të prodhojë fusha e lojës. Besëlidhja e mbyll fazën e parë në krye të Grupit A pas fitores që arriti në transfertën e Fushë-Krujës. Nga ana tjetër, Kastrioti thyen Besën në fushën e vet dhe vazhdon të ndjekë lezhjanët në vendin e parë. Erzeni vazhdon të surprizojë dhe të shtunën arriti një fitore të rëndësishme në Shkodër ndaj Adës. Rezi realizoi në minutat e fundit. Në Grupin B, Luftëtari duket se ka nisur rrugën drejt rikthimit në Superiore. Bluzinjtë e kanë mbyllur në mënyrën më të mirë të mundshme fazën e parë duke fituar në fushën e tyre ndaj Apolonisë.

Është i përhershmi Mikel Canka ai që shënon dhe i jep fitoren skuadrës. Pa dyshim, është afrimi më i rëndësishëm i merkatos së verës dhe po e përligj më së miri besimin që i është dhënë. Në Gjirokastër kanë gjetur “dashurinë” e re. Pogradeci ngec në fushën e vet ndaj Sopotit në një sfidë me shumë tension dhe përplasje tifozësh në shkallë. Shkumbini fiton “derbin” ndaj Elbasanit duke i dërguar verdheblutë në fund të renditjes, ndërsa Dinamo duket se ka gjetur stadiumin me fat. Blutë kanë regjistruar fitoren e dytë në po kaq takime në Kavajë duke thyer Turbinën 2-0.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"