Risi në Sarandë, stadiumi bëhet me drita

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 19, 2019 | 12:48

Risi në Sarandë, stadiumi bëhet me drita

Në stadiumin e qytetit të Sarandës ka nisur prej kohësh puna, që i ka hapur rrugën investimit për ndriçimin e këtij impianti.  70869833_2426561744255189_6934983005932879872_n

Puna është përqendruar aktualisht në betonimin e armaturës së hekurt të bazamentit për 4 shtyllat, që do të mbajë projektorët e ndriçimit të stadiumit. Një risi kjo për Sarandën dhe Butrintin, një ekip i Kategorisë së Dytë.

Nuk është se ndeshjet e kampionatit Butrinti do t’i luajë në mbrëmje, pra me drita, por vendosja e ndriçimit do të ndihmojë në drejtime të tjera. Është për t’u vlerësuar ndihma e kryebashkiakut të Sarandës, Adrian Gurma, si dhe mbështetja e ofruar nga biznesmenët vendës për realizimin e këtij investimi me kosto sa më të ulët. Me përfundimin e punimeve krijohen kushte optimale për t’u stërvitur në një hark kohor më të zgjatur nga ekipet zinxhir, pa marrë kështu kohën e njëri-tjetrit.

70442953_2426561590921871_6380105791436750848_n

Për specialistët e futbollit dhe drejtuesit e tij në Sarandë, kjo do të thotë më shumë mundësi për të prekur kuota të reja masiviteti në këtë lloj sporti kaq popullor, nga ku do të dalë edhe elementi më cilësor për ekipin e parë. Sipas tyre, ndriçimi në stadium është një hap i rëndësishëm përpara dhe një nxitje për t’i dhënë jetë idesë për ngritjen e një akademie të mirëfilltë të futbollit në Sarandë, me pjesëmarrje të nxënësve më pasionantë dhe më rezultativë në sportin e futbollit. Nga ana tjetër, nën drejtimin e trajnerit Muço, ekipi po bën përgatitje serioze për sezonin e ri, ku pretendimet janë për ngjitjen në Kategorinë e Parë.

Elvin Çukari

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"