Rishikim të pagave dhe dieta, gjyqtarët letër FSHA-së

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 15, 2021 | 0:34

Rishikim të pagave dhe dieta, gjyqtarët letër FSHA-së

Gjyqtarët pranë Federatës Shqiptare të Atletikës janë shumë të pakënaqur nga trajtimi dhe kushtet në të cilat punojnë. Ata i janë drejtuar FSHA-së me anë të një letre ku kërkojnë rishikimin e pagës dhe dietave, të cilat janë vendosur mbi një dekadë më parë dhe nuk kanë ndryshuar më.

1200px-Federata_Shqiptare_e_Atletikës_Logo.svg

Kolegjiumi i gjyqtarëve kërkon që honorarët të dyfishohen, ndërsa arbitrat të ndahen në kategori sipas eksperiencës dhe kualifikimit, ndërkohë që për aktivitetet që bëhen larg vendbanimit të përfitojnë dieta.

Në letrën e tyre kërkohet gjithashtu edhe përmirësimi i kushteve për të ushtruar profesionin. Ja letra e plotë e Kolegjiumit të Gjyqtarëve e siguruar nga “Panorama Sport”:

“Duke u nisur nga kushtet me të cilat po punojmë, ne gjyqtarët e federuar pranë Federatës Shqiptare të Atletikës, vendosëm t’ju drejtohemi me këtë kërkesë:

1- Të dyfishohet sa më parë honorari i pagesës aktuale për aktivitetet kombëtare që zhvillohen në përputhje me kalendarin sportiv vjetor të Atletikës.

2- Të bëhet një ndarje e gjyqtarëve sipas kategorive, duke diferencuar në pagesën e honorarit, gjyqtarët e rinj me gjyqtarët që kanë një eksperiencë dhe vjetërsi më të madhe.

3- Për aktivitetet që zhvillohen larg vendbanimit të bëhet një pagesë shtesë në formë diete.

4- Gjatë garave të krijohen kushte optimale, si tavolina, karrige, çadra, etj.

5- Gjyqtarët të ndryshojnë detyrat në çdo aktivitet, me qëllim që ata të përvetësojnë dhe të ushtrohen në të gjithë sektorët që ka sporti i Atletikës. Arsyet e bërjes së kësaj kërkese janë:

1- Ne gjyqtarët e Atletikës paguhemi me një honorar që nuk na nderon jo vetëm ne, por edhe vetë sportin elitar të atletikës si “mbretëresha e sporteve”.

Ne paguhemi disa herë më pak se gjyqtarët e sporteve të tjera, si futbolli, basketbolli, volejbolli, e sporte të tjera, megjithëse koha e zgjatjes së garave tona është 4-5 orë, disa herë më e gjatë se e tyre.

2- Kur është vendosur kjo kuotë pagese, rreth mbi dhjetë vjet më parë, prej 2000 lekë (që mbas tatimit bëhet vetëm 1700 lek) ishte 10 % e pagës mesatare të një mësuesi fiskulture të asaj kohe, (rreth 20.000 lek) ndërkohë që kjo rrogë tani është trefishuar, (rreth 60.000 lek) ndërsa pagesa jonë ka mbetur njësoj, ndonëse, këto vitet e fundit ngarkesa është shtuar edhe për shkak se shumica e aktiviteteve zhvillohen tashmë jashtë Tiranës.

Të bindur se kërkesat tona do të shikohen me seriozitet dhe do të realizohen sa më parë, si dhe të bindur se ato janë kërkesa të domosdoshme, ju falënderojmë për bashkëpunimin dhe mirëkuptimin. Kolegjiumi i gjyqtarëve”.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"