Rinovon Magani, Lushnja pret FSHF-në për mbjelljen e fushës/ Shkallët e “Roza Haxhiut” lyhen me…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 12, 2022 | 23:18

Rinovon Magani, Lushnja pret FSHF-në për mbjelljen e fushës/ Shkallët e “Roza Haxhiut” lyhen me…

Lushnjarët i kanë zhvendosur këtë mesjavë përgatitjet e tyre në kushte grumbullimi. Skuadra e drejtuar nga Klodian Duro vijon përgatitjet në Ohër të Maqedonisë së Veriut, ku do të qëndrojë 10 ditë. Një nga futbollistët që ka rinovuar me Lushnjën, përmes kontratës sezonale, është edhe peqinasi i njohur, Endrien Magani. Që nga viti 2016, 31-vjeçari është një kontribuues i rregullt i Lushnjës, duke luajtur për verdhejeshilët si në Superiore, ashtu edhe në Kategorinë e Parë.

Lushnja stervitje

Përjashtim bën sezoni 2018-2019, kur luajti për Gjilanin, ndërkohë që edhe në fazën e parë të edicionit të kaluar u aktivizua me skuadrën e vendlindjes, Shkumbinin. Në një prononcim për “Panorama Sport” mbrojtësi 31-vjeçar shprehet: “Në 6 vitet e fundit kam luajtur 4 sezone e gjysmë me Lushnjën.

Magani

Jam përshtatur më së miri te Lushnja dhe e ndiej veten mjaft mirë. Kam rinovuar në një ambient, të cilin e njoh shumë mirë dhe që e do shumë futbollin. Kam rënë dakord të firmos kontratën dhe e vlerësoj korrektësinë e Lushnjës, pasi kështu futbollisti ndihet i vlerësuar. Po punojmë me seriozitet, me profesionalizëm. Jemi në fazë përgatitore për të bërë më të mirën dhe të jemi gati për sezonin e ri”, deklaroi mbrojtësi Endrien Magani.

LUSHNJA

KLUBI- Stadiumi “Roza Haxhiu” është kthyer në kantier. Në impiantin lushnjar po kryhen punime. Në një prononcim për gazetën administratori Vladimir Hajdari u shpreh: “Ka përfunduar sistemi i impiantit vaditës, pompa e re qendrore, qarku dhe paneli i ri. Presim specialistët e FSHF-së, për të bërë punimet e fushës qendrore. Mbjellja e barit është në varësi të specialistit, i cili përcakton periudhën për hedhjen e farës. Vazhdon lyerja e shkallëve ekzistuese me ngjyrat tradicionale verdhejeshile dhe riparimi i portës hyrëse për mjetet e emergjencës, ku përfshihen autoambulanca, zjarrfikësja, etj…”

ALBAN ALUSHI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"