Rinovon Kamara, skuadra e Kategorisë së Parë ofertë tunduese Xhixhiuas

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 11, 2021 | 23:20

Rinovon Kamara, skuadra e Kategorisë së Parë ofertë tunduese Xhixhiuas

Erzeni “blindon” një tjetër lojtar. Pas Idakvo Diksonit, rinovon edhe Isiaga Kamara. Afrikani ka arritur zyrtarisht marrëveshjen me klubin dhe për një tjetër vit do të jetë pjesë e shijakasve. Kujtojmë që ai ka luajtur plot 19 ndeshje në kampionatin e fundit, duke marrë në total 759 minuta.

Xhixhiua

Ai konsiderohet titullar i padiskutueshëm, ndaj edhe drejtuarit kanë nxituar që ta bindin dhe mbyllin kontratën. E megjithatë, ky është vetëm fillimi. Shijakasit kanë menduar që të ruajnë boshtin e skuadrës që mbylli sezonin e fundit, ndaj në ditët në vazhdim priten firmat e radhës. Në të njëjtën kohë po punohet edhe me afrimet. Erzeni po planifikon një goditje “big” për merkaton. Shumë pranë marrëveshjes është as më pak e as më shumë se Mustafa Xhixhiua.

Sulmuesi që u shpall kampion me Dinamon dhe shënoi 9 gola, duket se do ta vijojë karrierën në Shijak. Është vetë Altin Keçi ai që e konfirmon lajmin për “Panorama Sport”. Drejtori sportiv sqaron se i kanë bërë një ofertë realisht tunduese “bomberit” dhe zyrtarizmi është çështje orësh. Palët e kanë kaluar fazën e bisedimeve dhe në parim ka ardhur OK-i, e vetmja gjë që ka mbetur tashmë është që të hidhet “e zeza mbi të bardhë” dhe rrjedhimisht prezantimi.

Nëse gjithçka shkon sipas planit dhe ky operacion mbyllet me sukses, për Xhixhiuan ky do të ishte një rikthim. Kujtojmë se ai ka luajtur edhe dy herë të tjera për llogari të Erzenit. Tani në një moshë më të pjekur e me përvojën e duhur, pritet që t’i bëjë realisht punë skuadrës së drejtuar nga Bubeqi.

ERALD DERVISHI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"