Rinovimi në horizont, Milani vendos klauzolën e frikshme për Rafael Leaon

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 24, 2022 | 14:43


Rinovimi në horizont, Milani vendos klauzolën e frikshme për Rafael Leaon

Në secilën nga gjashtë prezencat e fundit me Milanin kishte kontribuar në shënimin e të paktën një goli.

LEAO

Tri pasimet vendimtare për suksesin ndaj Sasuolos ishin vetëm mbyllja e bukur e një sezoni ku shkëlqeu me 14 gola dhe 12 asiste në të gjitha kompeticionet, teksa për Serinë A u zgjodh si “Lojtari më i mirë” i sezonit.

Po flasim për Rafael Leaon. Pas “dehjes” së festës së titullit, portugezi është i pari në listën e rinovimeve me “Djallin”.

Pak ditë më parë u përfol se kishte refuzuar kontratën e re me 4.5 milionë euro në sezon deri në vitin 2026, por me sa duket nuk është një sinjal i keq.

Gjithçka lidhet me klauzolën e lojtarit, e cila në kontratën aktuale është në vlerën e 150 milionë eurove.

PAKT I RI, KLAUZOLË E RE – Thuhet se Milani ka refuzuar deri në 80 milionë euro nga PSG-ja, por edhe nëse propozimi prek 100 milionët, kuqezinjtë duken të vendosur të mos e shesin xhevahirin e tyre.

Megjithatë, edhe nëse 23-vjeçari nuk e rinovon kontratën që i skadon në vitin 2024, Milani nuk do ta shesë për më pak se 150 milionë euro duke ushtruar të drejtën e plotë që përcakton akordi mes palëve.

22-vjeçari iu bashkua Milanit në vitin 2019 nga Lille dhe këtë edicion ka shënuar 14 gola duke bërë edhe 12 asiste në 42 ndeshje në të gjitha garat.

Pas fitores me Sasuolon ishte entuziast për aventurën e tij milaniste duke premtuar edhe besnikëri.

Sulmuesi ishte njëri prej lojtarëve kryesorë te Milani që e fitoi titullin e kampionit për këtë sezon, kurse interesim për shërbimet e tij ka kohë që kanë shprehur skuadrat e tjera të Europës.

Tashmë topi u kalon drejtuesve të klubit dhe menaxherëve të cilët duken të orientuar drejt një pakti të ri deri në vitin 2026 duke plotësuar edhe kërkesat e Leaos për një rrogë rreth 6 milionë euro.

Nëse arrihet marrëveshja, klauzola e re mund të jetë më e lartë, teksa për momentin Milani nuk e lëshon pa 150 milionë euro.

Përgatiti: REINOLD BAKALLI