Rinovime dhe afrime, tek Dinamo revolucion pas “finales” ndaj Egnatias. Ja lojtarët e “piketuar”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 13, 2021 | 20:02

Rinovime dhe afrime, tek Dinamo revolucion pas “finales” ndaj Egnatias. Ja lojtarët e “piketuar”

Dinamo u ngjit pas 9 vitesh dhe tani që u kthyen, duan të ngulin “rrënjë” në Kategorinë Superiore. Drejtuesit as që mendojnë të luajnë për mbijetesë, pasi pretendojnë shumë më shumë se kaq. Ata kanë një qëllim: të rikthejnë në nivele të larta skuadrën e dytë më të titulluar në vend. Deri te titulli nuk do të guxonin direkt, e megjithatë zonën “Euro” mund ta tentojnë.

Dinamo2

Që kjo të ndodhë, përforcimet “big” nuk do të mungojnë. I pari që kanë kontaktuar është pikërisht Elis Bakaj dhe mbeten në pritje të përgjigjes së fantazistit. Por, nuk do të jetë i vetmi. “Pazari” do të përqendrohet në elitë, por nuk do të mungojnë as nga tregu i huaj. Edhe pse një “lumë” menaxherësh kanë nisur të ofrojnë lojtarët e tyre, në klub duan të jenë të kujdesshëm dhe të peshojnë çdo lëvizje që do të bëjnë. Fillimisht do t’i kalojnë edhe dy ndeshjet e fundit që i kanë mbetur nga Kategoria e Parë (kjo me Burrelin dhe më pas “finalja” me Egnatian) e më pas do të përqendrohen tërësisht te merkatoja dhe te piketimi i elementëve të duhur për të blinduar ekipin.

Ndryshime do të ketë, po jo radikale. Kryeqytetasit kanë mjaftueshëm cilësi edhe tani në organikë dhe nuk kanë në plan që t’u ikin nga duart. Me t’u mbyllur edhe llogaritë me inferioren, drejtuesit do të nisin nga rinovimet.

Dhe, duhet thënë që “yjet” kryeqytetasit i kanë me bollëk nga porta e deri në sulm. Në krye të listës është pa dyshim ai, Diogo da Silva. Një fantazist i mirëfilltë që bën art me topin dhe mbi të gjitha e njeh mirë portën. Pas nuk mbeten as Uelber Almeida dhe Mustafa Xhixhiua, të cilët kanë garantuar një “mal” me gola deri tani.

ABDULLA DUSHKU – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"