Rinovim, më shumë miliona dhe shirit kapiteni, ja plani i Juves për një Dibalë në versionin “Del Piero”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 1, 2020 | 19:04

Rinovim, më shumë miliona dhe shirit kapiteni, ja plani i Juves për një Dibalë në versionin “Del Piero”

Aksionin, driblimin dhe më pas festimin e golit të fundit të Juventusit deri në këtë pjesë të sezonit e ka vulosur pikërisht ai dhe në çfarë ndeshjeje madje… Paulo Dibala rrezikon që të shndërrohet në imazhin e fundit të kopertinës së sezonit 2019-2020, nëse Seria A nuk do të përfundojë sipas programit, me perlën e realizuar kundër Interit, atij dueli për titull, i cili i lejoi Juventusit që të rikthehet në krye të renditjes, ndonëse nga ajo mbrëmje, topi nuk është rrotulluar në Itali. Aktualisht Paulo Dibala vazhdon që të qëndrojë në karantinë, pas infektimit me COVID-19, së bashku me të fejuarën e tij Oriana, gjithashtu e prekur. Dhe brenda kësaj jave pritet që të bëjë tamponin për të kuptuar nëse e ka mposhtur virusin (pas përgjigjes së parë do të bëjë edhe një test të dytë sigurie pas 24-48 orësh për të qenë totalisht i bindur).
dibala
Gjithsesi, ata që vazndojnë të punojnë nga karantina me kapacitet të plotë janë drejtuesit e Juventusit, të cilët pasi kanë bërë “mea culpa” për faktin se provuan që ta shisnin numrin 10 me çdo kusht në verë (Totenhemi dhe Mançester Junajtid këmbëngulën deri në fund), tashmë duan ta blindojnë, atë që pas Kristiano Ronaldos është pa dyshim jo vetëm lojtari më i fortë në sulmin bardhezi, por në të njëjtën kohë edhe ai me moshën më të re në kartën e identitetit. 26-vjeçari për më tepër është edhe lojtari më veteran pas Bufonit, Kielinit e Bonuçit falë 216 prezencave të tij në ngjyrat bardhezi. Prandaj Juventusi ka vendosur që të vërë në zbatim atë plan që e menduan tri vite më parë, kur vendosën që t’ia dhurojnë pikërisht atij bluzën me numër 10, ndoshta edhe me pak detyrim, pasi Dibala nuk do kishte hequr kurrë dorë nga 21-shi i tij i preferuar.
paraticicii
Drejtori sportiv, Fabio Paratiçi, i cili kërkoi të regjistronte një plusvalencë të madhe në verën e kaluar me shitjen e argjentinasit, tashmë e ka zgjidhur këtë ngërç me lojtarin dhe është gati që të vërë në zbatim “paketën” e pendesës ndaj sulmuesit. Kjo do të vijë jo vetëm me fjalë si në intervistën e fundit (“Dibala duam që të jetë Lionel Mesi ynë dhe duam që të qëndrojë përjetë te Juventusi”), por edhe me vepra. Ideja e Paratiçit, e aprovuar gjithashtu edhe nga presidenti Anjeli, është zgjatja e kontratës me të paktën dy vite të tjera nga skadenca aktuale 2022, por në të njëjtën kohë edhe kapërcimi i ndjeshëm i 7.5 milionëve euro pagë që fiton aktualisht, për të prekur por ndoshta edhe për të kaluar bindshëm 10 milionët në sezon.

463352AF00000578-5069861-Dy-a-26_1510316845822
Në të njëjtën kohë, për Paulo Dibalën do të jetë shumë shpejt gati edhe shiriti i kapitenit, ose fillimisht roli i zëvendësit në pritje të tërheqjes së Xhorxho Kielinit, por në të njëjtën kohë edhe i lojtarit imazh të skuadrës. Fundja, ai që shihet si pasardhësi i denjë e Alesandro Del Pieros, e të cilin Paulo ka një miqësi të madhe prej disa kohësh tashmë, nuk mund të mjaftohet vetëm me mbajtjen e numrit 10 të legjendës “Pinturikio”. Prandaj shiriti i kapitenit dhe njeriu-imazh i skuadrës janë reflektimi i duhur që të gjithë presin të shohin pas rinovimit të ardhshëm të kontratës së Dibalës me Juventusin.

JETON STAMOLLA – PANORAMASPORT.AL

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"