Rinis Champions-i, por duket si Kupa e… surprizave. Ja kush mund të ëndërrojë trofeun

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 7, 2020 | 17:46

Rinis Champions-i, por duket si Kupa e… surprizave. Ja kush mund të ëndërrojë trofeun

Na presin 16 ditë të mbushura me shumë të panjohura dhe me 12 pretendente në garë për trofeun. Ky edicion i Ligës së Kampioneve premton surpriza, sepse vetëm e tillë mund të jetë pas ndalesës për shkak të pandemisë. Analiza një për një e sfidave që do të asistojmë mund të ndihmojë për të kuptuar se cilat janë shanset dhe kush mund të ëndërrojë trofeun.

lyon-juventus-260220v

JUVENTUS-LION

Duke marrë si bazë ndeshjet e fundit dhe sidomos anën e tabelës së Champions-it ku ndodhet, titulli për bardhezinjtë ngjason me një utopi. Futbolli nuk është matematikë, gjithsesi dhe fati i Juves do të varet nga përqendrimi dhe niveli atletik në këto ditë gushti. Rivali i italianëve është Lioni, që në 4 muajt e fundit ka zhvilluar vetëm një ndeshje zyrtare (finalen e Kupës së Ligës). Edhe sikur të kapërcejnë “Zonjën”, vështirë se transalpinët mund të arrijnë deri në fundin e kompeticionit.

MAN.SITI-REAL MADRID

Pas rinisjes së kampionatit, djemtë e Guardiolës kanë qenë të papërmbajtshëm. Edhe pse pa asnjë ambicie, Siti ka prodhuar lojë dhe sidomos gola, çka i bën kandidatë për finalen e Champions-it, sidomos pas fitores në takimin e parë të luajtur në “Santiago Bernabeu”. Reali paraqitet në këtë sfidë pas fitores së titullit në Spanjë, por vështirësia e duelit është e lartë edhe për të besuarit e Zidanit, nisur nga fakti që janë mundur 2-1, në “Santiago Bernabeu”. Gjithsesi historia tregon se Reali i Madridit ka gjithmonë diçka për të dhënë më tepër në Champions, prandaj është normale që beson në kalimin e turit.

Chelsea FC v FC Bayern Muenchen - UEFA Champions League Round of 16: First Leg

BAJERN-ÇELSI

Bavarezët kanë avantazhin e takimit të parë dhe disavantazhin që i jep fakti i mbarimit të sezonit më shumë se një muaj më herët kundrejt anglezëve. Gjermanëve u kanoset rreziku i një forme jo shumë të mirë fizike, por megjithatë për shumë ekspertë të fushës, ata janë favoritët për titullin në Champions. Fakti që janë në anën e vështirë të tabelës është një tjetër shqetësim për kampionët e Gjermanisë, por do ta mendojnë pasi të kenë kapërcyer Çelsin. Këta të fundit duhet të shënojnë 4 gola dhe të mos pësojnë asnjë, çka ngjason më shumë me një mision të pamundur në një natë vere. Kjo sfidë do të jetë edhe arena e shumë yjeve që do të mungojnë, pas dëmtimeve që kanë vuajtur së fundmit si Bajerni, ashtu dhe Çelsi.

BARCELONA-NAPOLI

Humbja e titullit, problemet në dhomat e zhveshjes dhe vështirësitë për të asimiluar idetë e Kike Setienit janë disa nga problematikat me të cilat po merren te Barcelona. Ndeshja e nesërme do të jetë një provë karakteri për katalanasit që kanë rikuperuar Grizmanin. Edhe Napoli po lufton me kohën për të riaftësuar kapitenin Insinje, teksa banda e Gatuzos vjen në këtë takim me një formë të mirë duke qenë se Seria A ka vetëm një javë që ka përfunduar. 1-1 i sfidës së “San Paolos” i kushtëzon napolitanët që edhe nëse kapërcejnë Mesin me shokë, do të kenë të tjera vështirësi në rrugën e tyre.

statistikat

ATALANTA-PSG

Italianët janë një nga surprizat e sezonit e mund të ruajnë këtë status duke qenë se gjithçka kanë arritur sivjet e kanë për herë të parë në historinë e tyre. Mbajtja e topit dhe mbi 110 golat sezonalë janë sinjal rrezikshmërie, aq më tepër që janë në anën e duhur të tabelës dhe finalja nuk ngjason më me një mision të pamundur. PSG-ja vjen me shumë ambicie në këtë takim, për të cilin janë në dyshim Mbape dhe Verrati, por pa harruar edhe të larguarin Kavani. Sukseset e Kupës së Ligës mund të ndihmojnë të besuarit e Tuhel, por Liga e Kampioneve luhet në të tjera “korda zanore”, ndaj për francezët vështirësitë parashikohen pikërisht në momentet e para të këtij Champions-i veror. Nga ana tjetër, Atalanta, surpriza e madhe e këtij sezoni, por ndoshta edhe skuadra që luan futbollin më të bukur në Itali dhe jo vetëm, nuk ka asgjë për të humbur. Dhe pikërisht kjo e bën atë një minë me sahat, nga e cila PSGja duhet të ruhet.

LAJPCIG-ATLETIKO

Timo Verner dhe golat e tij do t’i mungojnë Lajpcigut që deri në këtë pikë ka arritur falë bomberit që tashmë ka kaluar përpara kohe te Çelsi. Edhe pse Nagelsman ka një ekip të organizuar, gjysmëfinalja duket më e mundur për Atletikon e Madridit. Sfida e dyfishtë me Liverpulin tregoi se ekipi i Simeones mund të jetë fare mirë kandidat për të arritur të paktën deri në finale.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"