“Rinia po largohet, shteti e ka harruar mundjen”, presidenti i ri i mundjes: Të kemi sportistë më të mirë se Sahit Prizreni

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 5, 2021 | 22:30

“Rinia po largohet, shteti e ka harruar mundjen”, presidenti i ri i mundjes: Të kemi sportistë më të mirë se Sahit Prizreni

Rreth një muaj më parë mundja shqiptare ia besoi drejtimin e federatës Sahit Prizrenit, një emri të madh të këtij sporti në vendin tonë. Prizreni, një ish-kampion i padiskutueshëm për vite me radhë në arenën kombëtare si dhe medalist në botërorë apo europianë, ka përpara një mision të vështirë në një federatë elitare, por me shumë problematika. Në një intervistë për “Panorama Sport”, 37-vjeçari tregon objektivat e FSHM-së, të cilët lidhen ngushtë me mbështetjen që do të japë Ministria e Sporteve. Ai flet për gjendjen aktuale të mundjes, ndërsa thekson se ky sport është lënë në harresë nga qeveria, që çdo vit e ka reduktuar buxhetin për mundjen.
Sahit Prizreni
Zgjidheni president në një prej momenteve më të vështira, teksa aktivitetet sportive vijojnë të jenë të ndaluara. A do të lobojë Federata e Mundjes për hapjen e sallave?
Fatkeqësisht, kemi kaluar një vit shumë të vështirë dhe kjo situatë ka penalizuar jo vetëm mundjen, por gjithë jetën sociale të njerëzve. Shpresojmë dhe besojmë që ky vit nuk mund të jetë si ai që lamë pas, aq më tepër që bëhet fjalë për një vit olimpik. Patjetër që ne do të bëjmë çmos që të fillojmë aktivitetet dhe jam i sigurt që do të gjejmë mirëkuptimin e instancave shëndetësore apo shtetërore.

Cila do të jetë risia që do të sillni në mundje?
Mendoj që mundja ka pasur gjithnjë risi, por gjithmonë kemi një varësi të ngushtë mes mbështetjes që jep Ministria e Sporteve. Sporti sot është më i varfër se kurrë, kjo e bën shumë të vështirë, por sigurisht nuk e ndalon dëshirën, pasionin apo sakrificën e Sahit Prizrenit dhe të njerëzve të mundjes, në mënyrë që ky vit të jetë ndryshe dhe rezultatet të jenë ato që presim. Por, siç e thashë, fakti që ne varemi shumë nga politikat që bën shteti, dikton edhe ecurinë apo mundësinë e aktiviteteve që ne do të bëjmë në vijim.
mqdefault
Cilat janë problemet më të mëdha që ka mundja shqiptare aktualisht dhe si keni menduar t’i zgjidhni ato?
Ne kemi vite që e themi me zë të lartë, por fatkeqësisht zëri ynë nuk po dëgjohet. Më vjen vërtet keq që vazhdojmë edhe sot të flasim e të ankohemi, por fakti që buxheti për sportin ka ardhur gjithnjë në zbritje do të thotë që sporti nuk është prioritet për këtë qeveri dhe ministri. Duhet patjetër një ndryshim, i cili vjen vetëm duke e mbështetur sportin financiarisht, sepse çdo gjë nis aty. Nëse jemi të kushtëzuar te kjo pjesë, atëherë jemi të limituar në çdo aspekt. Kryefjala është mbështetja dhe buxheti duhet në mënyrë urgjente që të rritet, sepse ndryshe bëhet fjalë për kushte mbijetese. Unë personalisht kam pasur mbështetjen e komunitetit të mundjes dhe sot flas si president duke i ditur mirë problematikat. Do mundohem me të gjitha mënyrat, ashtu siç kam bërë si sportist, trajner apo sekretar që t’u siguroj mundësve domosdoshmërinë e pjesëmarrjes në aktivitete, në faza përgatitore dhe do të bëjmë çmos të kërkojmë mbështetje jashtë, pasi vendi ynë na ka braktisur. Megjithatë, jam optimist që ndryshimi do të vijë dhe shpresoj shumë që të ketë një sensibilizim, duke nisur që nga media e cila luan një rol të madh.

Çfarë objektivash do të ketë federata në drejtimin tuaj?
Objektivat janë të qartë. Synimi ynë është arritja e normës olimpike, megjithëse realisht është shumë e vështirë, për vetë faktin që vijmë nga një vit shumë pasiv dhe i kushtëzuar. Por, duke qenë se bëhet fjalë për një vit olimpik, synimi i çdo sportisti, federate dhe kombi është pjesëmarrja në Lojërat Olimpike dhe nderimi i vendit në këtë aktivitet. Ne do të bëjmë çmos që të sigurojmë një biletë dhe shpresoj që të kemi fatin me vete për ta arritur këtë objektiv.
sahit_prizreni
Si një emër i madh i mundjes, si do ta vlerësoni aktualitetin e këtij sporti në vendin tonë? Si është situata me talentet? A do të kemi Sahit Prizrenë të rinj në mundjen tonë?
Fakti që sot jam president është se besoj që do të kemi jo vetëm sportistë si Sahit Prizreni, por madje edhe më të mirë. Por, e gjithë çështja është se a do të mundemi ne që ta mbajmë këtë potencial sportistësh, sepse fatkeqësisht rinia sot po na braktis dhe nuk jemi në gjendje që t’u ofrojmë siguri dhe shpresë. Këtë gjë nuk mund ta bëj vetëm unë, por na takon të gjithëve së bashku. Jam me fat që kam një grup njerëzish me shumë pasion dhe dëshirë për ta ngritur këtë sport e kjo më bën të besoj që do t’ia dalim.

ARTIN LLESHAJ – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"