Rinia e dytë, Suarez është lideri i Barçës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 8, 2019 | 22:54

Rinia e dytë, Suarez është lideri i Barçës

Një javë më parë ish te lojtari më i kri tikuar, ai që u pushtua nga fërshëllimat e tifozëve dhe nga artikujt negativë të mediave. Tani është lideri i Barcelonës.

suarez

Luis Suarez ka shënuar 4 gola në 3 ndeshjet e fundit të Barcelonës dhe ka në total 6 gola në ndeshje zyrtare. Një goleador i lindur, madje më shumë se kaq, një “vrasës” që rezultoi vendimtar në javën më të rëndësishme të Barcelonës. Shënoi golin e parë kundër Getafes pas një asisti të portierit Ter Shtegen dhe më pas përmbysi Interin me dy gola spektakolarë. Një dopietë e çmendur që vlente shumë në një moment delikat. Barcelona mori 3 pikët e para në Ligën e Kampionëve falë golave të “plakushit” Suarez, i cili në këto momente po kalon një rini të dytë.

JAVA E ARTË- Nuk u ndal me kaq, sepse e mbylli javën në mënyrë spektakolare duke shënuar një gol magjepsës kundër Sevijes. Një roveshatë magjepsëse që hapi siparin e golave në një moment të vështirë kur Sevija po krijonte raste të shumta. Tifozët e Barcelonës u rikthyen të shijojnë Suarezin e kohëve më të arta. Pas humbjes 0-4 kundër Liverpulit ai vendosi të operohej. Katalanasit nuk e mirëpritën vendimin e tij dhe menduan se ai po punonte vetëm për kombëtaren e Uruguait për Kupën e Amerikës.

Por nga ajo ditë dhe deri sot duket sikur ka kaluar një jetë. Suarez është përgjigjur me gola dhe me një tjetër gjest: Heq dorë nga grumbullimi me kombëtaren e tij dhe dy javë do të qëndrojë me Barcelonën për të rigjetur formën më të mirë fizike, për më tepër 2 javë nga “El Clasico” kundër Realit të Madridit. Ai ka qenë shumë i kujdesshëm për të ruajtur formën fizike dhe ka rënë në peshë falë dietologes Maria Antonia Lizarraga. Ajo i këshilloi të ndryshonte dietën për të humbur në peshë dhe për të kontrolluar më mirë problemet në dorën e djathtë. Suarezit iu desh pak kohë për t’ia dalë, por nuk dështoi. Është 33 vjeç, por duket se ka rrugë të gjatë për të bërë në këtë sezon.

FIKSIMET- Të gjithë futbollistët janë shumë supersticiozë dhe Luis Suarez tregon “fiksimet” e tij. I pëlqen që të luajë shpesh me fanellën me mëngë të gjata, edhe pse në muajt e verës është thuajse e pamundur. “Edhe unë kam fiksimet e mia. Sa herë futem në fushën e lojës, puth tatuazhin e bashkëshortes sime dhe të vajzave. Ne lojtarët jemi shumë supersticiozë”, tregon Suarez.

Përgatiti: GENTJAN ALINANI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"