Ringritja e Luftëtarit, flet drejtori Hysi: Trajnerin e zgjedhim nga akademia. Bashkia aksionere e vetme, por afrojmë edhe donatorë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 2, 2020 | 12:17

Ringritja e Luftëtarit, flet drejtori Hysi: Trajnerin e zgjedhim nga akademia. Bashkia aksionere e vetme, por afrojmë edhe donatorë

Akademia e futbollit Luftëtari nis ndërtimin e ekipit të ri. Pasi u përjashtua nga Kategoria e Parë dhe shpallën falimentin, Bashkia Gjirokastër ka marrë në dorëzim klubin. Gjithçka i është lënë në dorë Mustafa Hysit, i cili ka marrë zyrtarisht edhe rolin e drejtorit teknik. Është pikërisht ai që zbulon për “Panorama Sport” planin për merkaton, trajnerin e ri dhe financat. “Pavarësisht se nuk jemi ligjëruar si AF Luftëtari, kemi nisur nga puna për formatimin e ekipit të ri. Janari do të jetë muaji i ngritjes së ekipit, me qëllim përfaqësimin me dinjitet në Kategorinë e Dytë, besoj jo në të Tretën. Personalisht kam filluar bisedimet me disa prej lojtarëve të shkollës bluzi, kryesisht me ata që kanë kaluar në të tjera ekipe dhe nuk kanë firmosur ende. Natyrisht që nuk do të heqim dorë edhe nga elementët me përvojë, me qëllim krijimin e Luftëtarit me futbollistë vendës”, tha fillimisht Hysi.
unnamed
AKADEMIA

Klubi i ka dhënë përparësi edhe akademisë këtë sezon, gjë që e pohon edhe inspektori. “Grup-moshat kanë nisur garën. Shumë shpejt do të bëhen publikë edhe emrat e trajnerëve që do të drejtojnë këto ekipe. Çdo skuadër do të ketë nga dy trajnerë. Ne përfaqësohemi në kampionat me U-13, U-15 dhe U-17-vjeçarët. Bashkë me formatimin e ekipit të parë, do bëjmë ç’është e mundur për krijimin e U-19. Risi për AF Luftëtari është vendosja e dy trajnerëve specialistë për përgatitjen e portierëve te moshat zinxhir, si Dritan Kristidhi e Aleksandër Qiqi. Nga trajnerët e moshave zinxhir do të zgjidhen dy trajnerët e Luftëtarit të madh”, vijoi më tej Hysi.

DONATORËT
Në qytetin e gurtë, janë të etur për futboll. Në historinë 91-vjeçare, Luftëtari s’ka përjetuar një situatë të tillë. Mospërfaqësimi në kampionat ka përçuar doza pesimizmi në opinionin sportiv. “Rikthimi i Luftëtarit në elitën e futbollit shqiptar pa dyshim që është mision i vështirë, por aspak i pamundur. Në Gjirokastër e duan futbollin, e duan ekipin e zemrës, ndaj dhe interesimi nga donatorë të ndryshëm s’ka munguar. Jemi në bisedime me disa prej tyre, të cilët kanë shprehur gatishmërinë e tyre financiare. Gjithsesi, aksionerja kryesore do të jetë Bashkia e Gjirokastrës. Me ndihmën dhe mbështetjen e të gjithëve, besoj se do t’ia dalim”, deklaroi drejtori.

RISIA
Ai paralajmëron edhe një risi që do të ndodhë në klub. “Për herë të parë, në ambientet e brendshme të stadiumit ‘Gjirokastra’ do të hapet zyra rajonale e ekipeve kombëtare për grup-moshat. Po ashtu, do të ketë edhe një zyrë ku Kolegjiumi i Gjyqtarëve do të zhvillojë pjesën teorike. Këto kanë munguar gjatë kësaj periudhe në Gjirokastër”, përfundoi Mustafa Hysi.

TOMOR SHEHU – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"