“Ringjallet” Interi i Stramacionit, Parma në tapet

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 22, 2013 | 14:12

“Ringjallet” Interi i Stramacionit, Parma në tapet

Inter-ParmaNjë gol i realizuar nga sulmuesi Tomazi Roki në minutën e 82-të i dhuroi Interit fitore ndaj Parmës me rezultatin 1-0. Në një emergjencë të plotë për shkak dëmtimesh dhe me zgjedhje të detyruara, zikaltrit mundin ekipin e drejtuar nga Roberto Donadoni në një ndeshje plot me emocione dhe raste nga të dyja skuadrat. Pa dyshim ndër më të mirët në fushë ishte Samir Handanoviç, i cili të paktën në 5 raste i shpëtoi zikaltrit nga pësimi i një goli. Skuadra milaneze me këtë fitore ngjitet në kuotën e 53 pikëve, duke lënë pas dy ekipet romane Romën dhe Lacion. Ndërsa e para renditet e 12-ta në kuotën e 39 pikëve. Skuadra e Donadonin pagoi shpërdorimin e rasteve të shumta për shënim, që nuk u konkretizuan me sukses. Mundësia më e mirë për Parmën ishte në këmbët e mesfushorit Vadez, por topi i tij u stampua në shtyllë. Më në fund Interi del nga tuneli i gjatë i rezultateve negative, që për pak po merrnin përmasa historike për ekipin zikaltër dhe orientohet edhe një herë tjetër te rruga që të çon në kompeticionet europiane.
Roki bën 101 – Goli, që do të entuziazmonte stadiumin “San Siro”, i cili deri në atë çast ishte i përqendruar te kontestimet ndaj drejtuesve me banderola dhe vërshëllimat papushim ndaj mesfushorit Skeloto (që nuk bën asgjë për t’i evituar), vjen nëntë minuta para fundit të takimit. Kovaçiç falë aftësive të mrekullueshme teknike niset me topin në këmbë, shërben për Xhonatan, i cili nga korsia e djathë e fushës fut një top në zonë për Rokin, të cilit i mjafton një devijim për ta mundur portierin Mirante. Për sulmuesin goli i djeshëm është i 101-ti në kampionatin italian. Si rrallëherë këtë sezon, një gol i vetëm i mjafton Interit për të marrë tri pikët, kjo falë dhe mrekullive të portierit Samir Handanoviç, i cili mbyll gjithmonë gabimet e shokëve të ekipit duke e udhëhequr ekipin e tij në shinat e Europës.

Strama: Ky grup nuk vdes kurrë!
Trajneri i Interit, Andrea Stramaçoni, është shfaqur tepër i lumtur pas fitores 1-0 ndaj Parmës, që e ka analizuar kështu: “Është një fitore shumë e rëndësishme në një periudhë kur skuadra është në emergjencë. Djemtë dhanë gjithçka, – ka deklaruar Strama. – Morati erdhi për të na karikuar, ndërsa tani tifozët po e kuptojnë se ne po japim maksimumin. Dua edhe një sforco nga skuadra për ndeshjet e mbetura. Ky grup nuk dorëzohet kurrë. Presidenti së bashku me stafin po punojnë për të ndërtuar ekipin e ardhshëm, ndaj tifozët e Interit nuk duhen të kenë dyshime mbi faktin se presidenti po punon për të ndërtuar një skuadër që në vitet e ardhshme të pozicionohet te vendet e para, ku i takon të jetë”, – tha Strama.
Përgatiti: LEAR MAÇI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"