Rikuperohen sulmuesit për sfidën me Apoloninë, Lushnja kujton premion

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 1, 2022 | 11:39

Rikuperohen sulmuesit për sfidën me Apoloninë, Lushnja kujton premion

Rikuperohen sulmuesit, qetësohet Klodian Duro. Nuk ka vend për panik te Lushnja, pasi Mikel Canka dhe Brunild Pepa janë zyrtarisht gati për derbin e Myzeqesë.

lushnja

Ata kanë hedhur pas krahëve shqetësimet fizike që kishin në mesjavë dhe do të udhëtojnë drejt Fierit me pjesën tjetër të organikës, atje ku verdhejeshilët do të masin forcat me Apoloninë.

Mungesa e vetme është ajo e mesfushorit Fadil Meta, që nuk është riaftësuar në kohë. Ai edhe dje është stërvitur i diferencuar nga pjesa tjetër e organikës.

Ervis Gjyla po ashtu është i padisponueshëm, por kjo dihet (ai u bë kohë i dëmtuar). Optimizmi është në nivele të larta në kamp dhe kjo reflektohej në fytyrën e çdo lojtari.

Te Lushnja duken më të bashkuar se kurrë dhe ndikim pozitiv dha ajo fitore në mesjavë (për llogari të Kupës së Shqipërisë). Tani e vetmja gjë që kërkohet, është vazhdimësia në kampionat.

Edhe pse në fushë kundërshtari dhe një kundërshtar i fortë, fitorja dhe ngjitja e shkallëve në renditje mbetet prioritet për lushnjarët. Si për të karikuar grupin para kësaj përballjeje delikate, drejtuesit kanë kujtuar se ka premio.

Ashtu si edhe një vit më parë, klubi nuk ka hequr dorë nga shpërblimet.

Janë jo pak, por 150 mijë lekë të vjetër për lojtar për ndeshjet në transferta.

Ndaj, futbollistët kanë një impuls më shumë për ta fituar javën e 4-t të Kategorisë së Parë. Stërvitja e djeshme u zhvillua në Plug, atje ku stafi teknik zhvilloi një seancë pa shumë ngarkesa.

U punua vetëm për të “fiksuar” formacionin dhe perfeksionuar manovrat e lojës.

Me shumë mundësi, në këtë duel do të kthehen edhe me skemën me 3 mbrojtës. Dhe kjo dëshmon qartazi dëshirën e madhe që kanë për të mos lënë pikë në aneksin e stadiumit “Loni Papuçiu”.

ALBAN ALUSHI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"