Rikuperimi i të dëmtuarve do të konsiderohet merkato, Mërgjyshi s’dorëzohet: Apolonia, pretendente

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 20, 2020 | 22:47

Rikuperimi i të dëmtuarve do të konsiderohet merkato, Mërgjyshi s’dorëzohet: Apolonia, pretendente

Jo shumë i qetë trajneri i Apolonisë, pavarësisht nga “stoicizmi” përballë çdo interviste që jep. Nuk e shqetëson thjesht humbja në miqësore me Turbinën, por edhe dëmtimet e shumë titullarëve, që i shtohen hallit të një merkatoje gati të munguar në sensin e përforcimeve.

mergjyshi

Me një grup të cunguar dhe pa shumë alternativa, Mërgjyshi nuk do ta ketë aspak të lehtë për të ndërtuar formacionin, por ai nuk di të dorëzohet kurrë, është i vendosur t’i qëndrojë deri në fund “llogores” së garës, çka e deklaron në intervistën e dhënë për “Panorama Sport”.

 Le t’ia nisim nga miqësorja me Turbinën. Për çfarë ju shërbeu ky test? 

Ndeshja me Turbinën na shërbeu për të parë lojtarët e rinj, duke pasur parasysh se na mungonin 7 lojtarë nga formacioni bazë për arsye të ndryshme. U detyruam për të luajtur kryesisht me lojtarë të akademisë. Nuk kemi shumë futbollistë në organikë dhe jemi të detyruar të luajmë me këta që kemi. Sa i përket ndeshjes, ka qenë përgjithësisht e ekuilibruar, skuadra ishte e mirëvendosur në fushë dhe nuk patëm rrezik nga kundërshtari, por mungesa e eksperiencës bëri që të pësonim 2 gola. Si në çdo miqësore, edhe në këtë test të fundit kemi marrë sinjale pozitive nga të rinjtë tanë, por e ritheksoj me zë të lartë se ka ende shumë punë për të bërë që ta përballojnë me sukses fanellën e ekipit të parë.

Kjo miqësore ka qenë edhe limiti për të marrë një vendim për Qarrin dhe Diamantin.  A do të jenë ata pjesë e Apolonisë? 

Ata janë dy futbollistë të rinj dhe me të dhëna të mira tekniko-taktike, por nuk janë të gatshëm të na ndihmojnë për momentin. Apolonia ka nevojë për lojtarë që të bëjnë diferencë nga grupi i të rinjve që kemi. Merkatoja dimërore… Shumë largime, vetëm 1 afrim dhe 1 rikthim nga huazimi, ndër ekipet më inaktive në përforcim… E vërtetë. E dija këtë situatë dhe nuk është se prisja ndonjë gjë të madhe në këtë periudhë, pavarësisht shpresës që mund të bënim ndonjë goditje cilësore.

Sytë më shumë i kam te rikuperimi i lojtarëve të dëmtuar, që janë pjesë e formacionit të Apolonisë, si Hysenshahaj, Andoni, Omeri, Mehmeti, Smaçi apo edhe Sharavolli. Kjo gjë do të ishte “merkatoja” jonë më e mirë. Gjithsesi, deri në fund të merkatos nuk i dihet, do të përpiqemi që të bëjmë përforcime. Nesër (sot) vjen për testim një mbrojtës i majtë serb, për të cilin shpresojmë të jetë cilësor dhe i vlefshëm për ne.

 Me këtë trend të merkatos, mendoni se Apolonia i ka gjasat të qëndrojë në grupin e ekipeve pretendente? 

Edhe sikur të mos e besoja, kurrë nuk do ta thosha diçka të tillë. Patjetër që do të ishte shumë më mirë po të kishim më tepër alternativa dhe lojtarë cilësorë, pasi konkurrenca dhe gjatësia e kampionatit ka nevojë për një organikë më të plotë. Gjithsesi, nuk e them për hipokrizi, kemi një kontigjent të mjaftueshëm lojtarësh për të bërë jo vetëm paraqitje dinjitoze, por edhe për të pretenduar gjer në fund.

BUJAR RAMA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"