Rikthimi te Tomori, Oshafi: Respektova vendimin e Teutës, dua të “kopjoj” veten

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 4, 2022 | 21:33

Rikthimi te Tomori, Oshafi: Respektova vendimin e Teutës, dua të “kopjoj” veten

Në Berat janë më të qetë. Rikthimi i Aldrit Oshafit shihet si një “bonus” për sulmin. Ndeshjen e parë të vitit e luajtën pa të dhe dukshëm mungesa u ndie. U mendua që beratasi do të luante te Teuta, por nuk ndodhi kështu. Lojtari erdhi sërish në “bazë”, ku do të vijojë i huazuar deri në mbyllje të këtij kampionati.

Oshafi Tomori

Vija e parë do të jetë më e frikshme me të dhe ndoshta Klodian Arbëri do të ketë luksin që të vendosë në zbatim skemat e tij për një ekip më sulmues. Veç tij në ofensivë mund të luajnë edhe Pepa me Spahiun, prej të cilëve priten edhe golat duke nisur nga kjo fundjavë. Të shtunën shkojnë në Lushnjë, atje ku do të luajnë vetëm për rezultat pozitiv. I pret një kundërshtar krejt i transformuar, ndaj edhe beratasit po i marrin që të gjitha masat për ta përballuar.

OSHAFI – Gjatë një deklarate të dhënë për “Panorama Sport”, Aldrit Oshafi tregon arsyet e këtij rikthimi të shpejtë të Tomorit. Ndalet edhe te synimet që ka në planin personal gjatë fazës së dytë, por sigurisht edhe te përballja me Lushnjën. “Për sa kohë kartoni im është në pronësi të Teutës, do t’u bindem të gjitha vendimeve të klubit dhe presidentit të klubit.

Tani që u riktheva te Tomori, do të jem tërësisht i fokusuar për t’i shërbyer skuadrës. Ka nisur faza e dytë dhe vështirësia do të jetë më e madhe. Në planin personal do të synoj të jem ‘kopja’ e vetes. Shtatë golat e shënuar në fazën e parë dua t’i kaloj në shifrën dyshifrore gjatë pjesë së dytë të këtij kampioni.

Bashkë me partnerët e mi në vijën e parë do të kontribuojmë me lojë dhe gola. Përballja me Lushnjën është një sfidë interesante dhe për t’u shijuar. Megjithatë, le t’ia lëmë fushës gjithçka, sepse Tomori është e sigurt që nuk do të udhëtojë si inferior në këtë sfidë”, përfundon 24-vjeçari.

EDI SPAHIU – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"