Rikthimi pas 13 vitesh te Tërbuni, Tafili tregon arsyet e largimit nga Besa

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 16, 2022 | 17:15

Rikthimi pas 13 vitesh te Tërbuni, Tafili tregon arsyet e largimit nga Besa

Tashmë është zyrtare, Alsid Tafili nuk do të jetë më pjesë e Besës dhe në fazën e dytë të kampionatit do të luajë për Tërbunin e Pukës. Për aq sa mbajti veshur fanellën e Besës, mesfushori shkodran shërbeu si model dhe shembull sakrifice, profesionalizmi për t’u ndjekur nga të rinjtë.

tafili

Në një intervistë të dhënë për “Panorama Sport”, tregon kohën që kaloi te Besa, arsyet e largimit nga Kavaja, si dhe mesazhin që ka për klubin dhe mbështetësit e skuadrës. Tafili do të luajë në Pukë, ku kthehet pas 13 viteve, dhe në prezantimin e tij e ka quajtur Tërbunin si shtëpinë e dytë pas Vllaznisë, aty ku gjen edhe një komunitet shkodranësh në ekip.

Përse u larguat tani nga Besa dhe jo në dhjetor me lojtarët e tjerë?

Kam qenë ndoshta ndër të rrallët futbollistë që edhe kur Besa ishte mirë apo dobët, kam treguar besnikëri duke qëndruar në Kavajë. Nuk u largova në dhjetor pasi kisha dëshirë të vazhdoja. Por, situata shëndetësore me COVID dhe alergjitë stinore më detyruan të qëndroja më pranë familjes. Nga kjo situatë gjykova të kthehem në familje dhe këtë ia bëra të qartë presidentit Bizhdili. Ai më falënderoi, më mirëkuptoi dhe u ndamë si miq. Kjo është e vërteta e largimit tim, asgjë tjetër.

Për kohën që qëndruat te Besa, çfarë emocionesh kaluat?

Ashtu si edhe në qytetin tim Shkodër, në Kavajë janë të dashuruar me futbollin. Kavajasit, njëlloj si tifozët e Vllaznisë, janë mjaft dashamirës e i mirëkuptojnë lojtarët. Madje, ata janë aq kurajozë sa kur Besa nuk e meriton fitoren, duartrokasin ekipin mik. Jam ndier i respektuar kudo në Kavajë, në fushë e jashtë saj. Kam pasur një marrëdhënie vëllazërore me të gjithë lojtarët. Me këtë rast, dua t’i falënderoj të gjithë: presidentin Bizhdili, drejtuesit, trajnerët, shokët dhe të gjithë tifozët e kulturuar e dashamirës të Besës.

Pas largimeve të shumta, çfarë mesazhi keni për Besën?

Nga përvoja te Besa kam mësuar se presidenti Bizhdili gjithnjë ka ditur të ringrejë ekipin nga hiçi. Ky moment është ndryshe, pasi në ekip ka lojtarë me përvojë e cilësi, si: Muça, Perja, Hoxha, Hyseni, Dobjani, por edhe lojtarë të rinj e të talentuar. Dëshiroj që Besa të plotësohet sa më shpejt edhe me 2-3 lojtarë dhe çdo gjë do të ishte në rregull. Nuk e shoh të synojë dy vendet e para, por nëse bëhen afrime, me siguri zona “play off” do të ishte plotësisht e arritshme.

FERIZ FERIZAJ – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"