“Rikthimi i Moçkës më kënaq”, trajneri i Flamurtarit: Jemi në rrugën e duhur, duhen afrime në disa reparte

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 7, 2021 | 17:36

“Rikthimi i Moçkës më kënaq”, trajneri i Flamurtarit: Jemi në rrugën e duhur, duhen afrime në disa reparte

Viti 2021 ka nisur i qetë për Dritan Resulin. Jo vetëm se kaloi me sukses COVID-in dhe paraqet një gjendje shumë të mirë shëndetësore, por edhe sepse u rikthye portieri Shpëtim Moçka.

RESULI

Në një prononcim për “Panorama Sport”, trajneri vlonjat veçon aftësitë e portierit vlonjat. Ai shprehet besimplotë edhe për zhbllokimin e merkatos, ndërsa thotë se do të ketë edhe të tjera përforcime, përveç brazilianit që ka ardhur së fundmi, Paolo Rikardo.

“Gjendja e lojtarëve duket e mirë dhe e kënaqshme. Shikoj përkushtim te djemtë. Kjo të ngroh për të bërë atë vazhdimësi të ndeshjeve të mira apo të atyre rezultateve të fazës së kaluar. Për t’u theksuar është rikthimi i Moçkës, i cili është tashmë pjesë e ekipit. Dihen vlerat dhe aftësitë e këtij portieri.

Është afruar edhe një sulmues tjetër me të cilin jemi drejt përfundimit të detajeve të kontratës. Po ashtu edhe lojtarët që kanë qenë fazën e shkuar janë në përbërje të grupit. Mendoj që jemi në rrugë të mbarë dhe do të kemi ato objektiva që besoj se do t’i arrijmë.

Kemi nevojë për përforcime në disa reparte, por çdo gjë do ta shikojmë hap pas hapi dhe jemi në pritje të zgjidhjes së situatave. Largim deri më sot është vetëm Muçollari, pasi i përfundoi kontrata. Largime të tjera nuk kemi”, është shprehur fillimisht Resuli.

VAZHDIMËSIA

Trajneri i kuqezinjve shpreson shumë te vazhdimësia e këtij ekipi, ndërsa thotë se skuadra ka rritje. Pavarësisht se ndeshjet e fazës së dytë e gjejnë më shumë në transfertë Flamurtarin, Resuli nuk i druhet, ndërsa bën të ditur se do ta nisë mbarë që në Cërrik kundër Turbinës më 16 janar.

“Unë shpresoj shumë tek ky ekip. Duke ju referuar performancës së grupit nga ndeshja e parë që luajtën deri në takimin e fundit të fazës së parë, ekipi ka një ngritje të kënaqshme. Kemi zhvilluar ndeshje të mira. Por kemi edhe disa situata ku na ka munguar rezultati.

Për çdo gjë është nxjerrje mësimi për vazhdimin e kampionatin. Duke ju referuar këtyre ditëve që kemi në dispozicion që nga dita e fillimit, pasi ekipi e mbylli stërvitjen në datë 29 dhjetor dhe nisëm më 4 janar, koha ka qenë e mjaftueshme që të bëjmë edhe një pushim të vogël të grupit apo edhe përgatitjen e ekipit. Ndeshja e parë është në transfertë, një takim i vështirë me Turbinën.

Ndeshjet jashtë fushe në këtë kategori kanë vështirësitë e tyre. Por, them se do të jemi me këmbë të mbarë dhe do të marrim maksimumin, pasi shikoj impenjimin e lojtarëve.

Pjesën më të madhe të ndeshjeve të kësaj faze do t’i kemi jashtë, por ky nuk është një tregues për të bërë diferencën që luajmë në fushën tonë apo në transfertë. Ekipi përgjigjet kudo dhe unë kam shumë besim”, përfundoi Dritan Resuli.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"