Rikthimi i Ahmatajt: Goli im për Bushatin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 2, 2013 | 15:28

Rikthimi i Ahmatajt: Goli im për Bushatin

Ahmataj mjekohetMesfushori i Teutës, Julian Ahmataj, e ka cilësuar fitoren ndaj Bylisit mjaft të rëndësishme për ecurinë e skuadrës. Ai shprehet se durrsakët do të zhvillojnë një sezon të shkëlqyer dhe se do t’i arrijnë objektivat që kanë vendosur. Në një intervistë për “Panorama Sport”, veterani Julian Ahmataj ka folur për golin, gjendjen e skuadrës, ambientin në kampin durrsak, njohjet e vjetra dhe pretendimet që ka klubi për këtë sezon futbollistik.
Ahmataj, arritët të siguronit fitoren e parë, duke përmbysur rezultatin në 45- minutëshin e dytë. Si u përjetua kjo fitore?
Duhet thënë se ishte një ndeshje mjaft e vështirë, pasi përballë kishim një skuadër të motivuar dhe shumë të fortë. Gjërat u vështirësuan akoma edhe më shumë, kur në fund të pjesës së parë u ndëshkuam me gol. Gjithsesi, ne arritëm të rifuteshim në lojë gjatë pjesës së dytë, rritëm presionin ndaj kundërshtarit dhe arritëm të shënonim dy gola mjaft të rëndësishëm, të cilët na siguruan fitoren e parë. Sigurisht që ndihemi mirë, pasi fituam një ndeshje shumë decizive ndaj një kundërshtari të rrezikshëm, por edhe për shkak se ishte fitorja e parë në ndeshjen e parë të kampionatit. Jemi shumë të lumtur që e nisëm me “këmbën e mbarë” sezonin.
Ishte goli juaj ai që rihapi lojën…
Në fakt, në pjesën e dytë ne e kërkuam golin më shumë se kundërshtari dhe dominuam lojën në ato minuta. Kishim disa raste për shënim edhe më herët, megjithëse goli erdhi në kohën e duhur. Personalisht jam shumë i lumtur që arrita të realizoj pasi, pas golit të barazimit, u rihap loja dhe ne morëm më shumë zemër dhe e sulmuam më shumë kundërshtarin, duke kërkuar golin e dytë dhe të fitores, të cilin e gjetëm me anë të Xhafajt. Të jem i sinqertë, jam shumë i gëzuar për golin, por më shumë për fitoren e skuadrës.
Kujt ia dedikoni golin?
Ia dedikoj Artan Bushatit, i cili u nda nga jeta në mënyrë të papritur dhe në një moshë fare të re. Është një humbje e madhe për futbollin shqiptar, pasi ka dhënë mjaft për këtë sport. Mbi të gjitha ka qenë një njeri i shkëlqyer, prandaj dhe ia dedikoj vetëm atij këtë gol.
Çfarë ju bindi më shumë që të pranonit ofertën e Teutës?
Kur m’u dha mundësia për të kaluar te Teuta nuk u mendova dy herë. Durrsakët janë një ndër skuadrat më të mira të kampionatit dhe një ekip që gjithnjë pretendon të qëndrojë në majë të futbollit shqiptar. Te Teuta punohet qetë dhe pa probleme, pasi gjithçka funksionon më së miri. Jam shumë i kënaqur me drejtuesit, stafin, kolegët, me të gjithë pa përjashtim. Këtu kanë gjetur një pjesë të lojtarëve, të cilët i kam njohur kohë më parë si: Xhafajn, Osmanin, Mancakun, Rizvanin, Alfred Osmanin, etj., pa harruar edhe trajnerin Magani. Me pak fjalë, ndihem i lumtur që jam pjesë e kësaj skuadre, me të cilën shpresoj dhe kam besim se do të shkojmë shumë larg.
Si e shikoni këtë skuadër dhe a mendoni se do t’i arrini objektivat këtë sezon?
Sikurse e thashë edhe pak më lart, Teuta është një ndër skuadrat më të mira të kampionatit shqiptar. Ajo ka në përbërje një grup shumë të mirë lojtarësh, të rinj dhe të vjetër, të cilët ndërthuren mjaft mirë me njëri-tjetrin dhe formojnë një ekip mjaft të fortë. Ne kemi shumë besim se do t’i arrijmë objektivat që skuadra ka për këtë sezon, por duhet të punojmë intensivisht dhe të jemi të palodhur. Sezoni sapo ka filluar dhe deri në fundin e tij ka shumë rrugë për t’u përshkuar, sigurisht do të ketë ulje-ngjitje, por do përpiqemi të mbajmë ritmin e ndeshjes së parë, të cilën e fituam, madje duke e kthyer në favorin tonë pas disavantazhit.
Çfarë i duhet Teutës për të hedhur hapin e madh?
Skuadra është e kompletuar dhe nuk i mungon asgjë, porse gjithçka arrihet vetëm me punë. Ne duhet të punojmë pa pushim që të arrijmë atë çka duam. Që të arrijmë objektivin, duhet t’i fitojmë të gjitha ndeshjet një e nga një.
LEONIDHA MUSAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"