Rikthim pas 11 vitesh, Shkëmbi: Ja pse e zgjodha Teutën, ëndërroj… Skënderbeun

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 4, 2018 | 23:24

Rikthim pas 11 vitesh, Shkëmbi: Ja pse e zgjodha Teutën, ëndërroj… Skënderbeun

Pas një viti te Liria e Prizrenit, Bledi Sh këmbi është rikthyer sërish në Superiore, këtë herë për të drejtuar Teutën. Në një intervistë për “Panorama Sport”, ai tregon ofertën e bërë nga presidenti Hasanbelliu, objektivat dhe ëndrrën për të qenë në të ardhmen në stolin e Skënderbeut.

shkembi

Pas eksperiencës në Superligën Kosovare te Liria, u rikthyet në Superiore për të drejtuar Teutën. Çfarë ju bindi për të pranuar këtë ofertë?

Fillimisht dua të them se Teuta është klubi ku unë kam nisur edhe karrierën si futbollist, pasi u largova nga Skënderbeu. Aty e fillova dhe mendoj se aty jam afirmuar për të vazhduar karrierën jashtë vendit apo u bërë edhe lojtar i Kombëtares për disa vite. Dhe në momentin e parë që presidenti i Teutës më kontaktoi, mendova që ndoshta edhe si trajner ta nis në Superiore mbarë me Teutën.

Është klubi që më jep fat, përveç miqësisë që kam me presidentin e Teutës. Pavarësisht kësaj, e di shumë mirë që as unë nuk po shkoj si mik,  por edhe ftesën nuk ma kanë bërë si e tillë. Marrëdhëniet e punës janë të tjera dhe miqësia është tjetër. Këtë nuk do ta harroj asnjëherë.

Si do ta përkufizonit aventurën në kampionatin kosovar?

Ishte një eksperiencë shumë e mirë. Si skuadra e parë që drejtova në karrierë shkoi ashtu siç unë e mendoja, që duhet të arrija objektivat, të lija një shenjë dhe për fat të mirë arrita ta bëj. Nuk diskutohet që synimi ishte gjithmonë që vit pas vit apo hap pas hapi unë të merrja klube më me emër dhe të drejtoja ekipe më të mira. Dhe, për fat të mirë, më erdhi kjo ofertë nga Teuta. Kisha edhe dy tri oferta të tjera, por e mendova si më të përshtatshmen këtë te Teutës.

Sezoni që shkoi nuk ishte shumë pozitiv për Teutën, por cilat do të jenë ndryshimet që do të bëjë Shkëmbi?

Kam folur me presidentin dhe kryesorja është që Teuta të mos përsërisë më këtë sezon futbollistik që ka kaluar. Dëshira ime dhe e presidentit, edhe pse është shumë shpejt për të folur, është që të krijojmë atë Teutë, e cila të jetë në vendet e sipërme të tabelës dhe të marrë pjesë në kompeticionet europiane. Kjo është dëshira ime dhe bashkë me presidentin do të synojmë një gjë të tillë.

Keni menduar për merkaton dhe nëse po, ku do të fokusohet ajo, brenda vendit, jashtë apo në Kosovë, ku thuhet se ka shumë talente?

Teuta është një klub që talenteve u jep shumë mundësi dhe mua më pëlqen një gjë e tillë dhe, personalisht, te Liria u dhashë mundësinë shumë lojtarëve të rinj që të shpreheshin. Dhe për fat të mirë, të gjithë po transferohen në ekipe shumë më të mira. Këtë mundësi dua t’ua jap lojtarëve të rinj, atyre që unë mendoj se do të ecin shumë përpara dhe do ta ndihmojnë Teutën. Ndoshta vjen edhe ndonjë lojtar kosovar, por e para duhet të ulem me presidentin dhe të shikojmë lojtarët që kemi në dispozicion dhe më pas të mendojmë për afrimet.

Të flasim pak edhe për Skënderbeun. Me fitimin e Kupës së Shqipërisë, duket sikur u mbyll një cikël, por ka ende një çështje në KAS…

Për sezonin që shkoi, Skënderbeu meriton notën 10, pasi ishte shumë i mirë dhe një siklet e kemi të gjithë te kjo pjesa e gjyqit dhe uroj që të shkojë mirë, sepse ai ekip i ka dhënë jo vetëm futbollit, por edhe qytetit në mënyrën e jetesës. Nëse ky dënim do të ndodhte vërtet, do të ishte një gjë shumë e keqe dhe për qytetin, por edhe për Skënderbeun si ekip.

E mbyllët ciklin te Skënderbeu si lojtar, e nisët karrierën te Liria si trajner, tani te Teuta. Mos ndoshta hapi i radhës do të jetë pikërisht ekipi korçar?

Dëshirat dhe ëndrrat janë të mëdha. Edhe kur je futbollist ke dëshirë të luash në ekipet më të mira, por edhe kur je trajner mendon gjithmonë të drejtosh ekipet më të mira. Unë jam me këmbë në tokë dhe e di shumë mirë që ndoshta për ekipet më të mira është akoma shpejt. Për momentin, kënaqësia më e madhe është që unë do të drejtoj Teutën, ekip me emër goxha të madh. Duhet të bëj maksimumin, që të mos zhgënjej veten dhe ata që më besuan.

ARMAND HALILI

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"