Rikthim me gol pas dy vitesh, Jashanica: Ia dedikoj familjes sime për të gjitha vuajtjet që…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 5, 2020 | 13:25

Rikthim me gol pas dy vitesh, Jashanica: Ia dedikoj familjes sime për të gjitha vuajtjet që…

Rikthim pas dy vitesh para tifozëve korçarë dhe gol ndaj Luftëtarit. Bajram Jashanica është ambientuar më shpejt nga sa mendohej, duke treguar se do të jetë ai lideri i mbrojtjes korçare. Goli i djeshëm ishte më i bukuri dhe më i rëndësishmi për mbrojtësin kosovar të Skënderbeut.

Luftetaari

Pavarësisht se në karrierën e tij si futbollist janë edhe gola të tjerë, mbi të gjitha ai i shënuar ndaj Sportingut të Lisbonës në ndeshjen e grupeve të Europa Ligës, ky ndaj Luftëtarit do të mbahet mend gjatë nga 29-vjeçari.

“Nuk e kisha menduar kështu rikthimin për të qenë i sinqertë. Një paraqitje e mirë në Shkodër dhe një gol tani do të thonë shumë për mua. Jam i gëzuar fillimisht për ekipin që po vijon me paraqitjet pozitive dhe për rezultatet që po arrijmë në këto ndeshje. Nuk di çfarë të them, për mua është një rikthim i ëmbël. Pas golit, nuk dija si të festoja, pasi nuk e prisja të shënoja. Megjithatë, kur pashë që topi shkoi në rrjetë, ishte si një çlirim dhe mendova si të festoja më pas. Mirëpo, shokët e ekipit nuk më lanë pasi m’u hodhën sipër. Për mua ky është një tregues i rëndësishëm i unitetit në grup. Këtë gol ia dedikoj familjes sime për të gjitha vuajtjet që kanë kaluar dhe mbështetjen që më kanë dhënë. Falënderoj edhe klubin për suportin, trajnerin dhe shokët e ekipit, që më janë gjendur pranë si një familje e madhe”, deklaroi Jashanica për “Panorama Sport”. Vlen të theksohet se pas golit lojtari shkoi dhe u përqafua me trajnerin Daja.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"