Rikthim i rëndësishëm për kurbinasit, Laçi do “kokën” e Partizanit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 6, 2018 | 11:20

Rikthim i rëndësishëm për kurbinasit, Laçi do “kokën” e Partizanit

Laçi nuk shkoi më shumë se një barazim në ndeshjen e fundit që luajti në fushën e vet ndaj Teutës. Një sfidë ku kurbinasit dominuan me lojë dhe kërkuan me ngulm të fitonin, por nuk ia arritën qëllimit.

Laci

Këtë javë, skuadra e drejtuar nga Gentian Mezani do të luajë në kryeqytet ndaj Partizanit. Megjithatë, te Laçi kanë shumë besim se do të marrin rezultat pozitiv.

Kujtojmë se në dy takimet që janë përballur mes tyre këto dy ekipe këtë sezon, Laçi ka arritur dy fitore, fillimisht 2-0 në kryeqytet dhe më pas 1-0 në Laç.

laci partizani

Megjithatë, edhe me një barazim, skuadra do të ishte e kënaqur në këtë ndeshje, pasi lënë mbrapa Partizanin. Në këtë takim, kurbinasit do të kenë në dispozicion edhe mbrojtësin e krahut të majtë, Taulant Sefgjini.

Ky i fundit rikthehet i gatshëm për trajnerin Mezani dhe konsiderohet një lojtar shumë i rëndësishëm për ndeshjen e fundjavës. Kujtojmë që Laçi është në lojë për një vend në Europë nëpërmjet kampionatit, në një kohë që lufton edhe në Kupën e Shqipërisë.

sefgjini

Pas ndeshjes ndaj Partizanit, kurbinasit do të luajnë dy takime me Luftëtarin, fillimisht më 14 shkurt sfidën e kthimit të Kupës së Shqipërisë dhe më pas më 18 shkurt ndeshjen e kampionatit.

Në sfidën e parë të Kupës, Laçi fitoi 3-0 dhe ka hedhur një hap të rëndësishëm drejt kalimit në gjysmëfinale. Kurbinasit këtë sezon kanë bërë një paraqitje shumë të mirë dhe janë në garë në të dy frontet, si në kampionat për vendet e para, edhe për të fituar Kupën e Shqipërisë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"