Rikthehet Vangjel Zguro, Memelli ka gati Skënderbeun ideal

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 5, 2021 | 12:26

Rikthehet Vangjel Zguro, Memelli ka gati Skënderbeun ideal

Skënderbeu rigjen në stërvitje me grupin mbrojtësin pogradecar, Vangjel Zguro. Pas dy seancave të para të ndërthurura mes grupit dhe punës individuale duket se 28-vjeçari është bashkuar plotësisht me ekipin dhe për momentin problemet fizike janë lënë mënjanë.

Zguro

Një lajm i mirë ky për Skënderbeun dhe për Memellin që tashmë shpreson te rikuperimi i plotë i Zguros për ta pasur si një armë të fortë në sezonin që nis javën e ardhshme. Problemet për pogradecarin nisën sezonin e kaluar, që prej ndeshjes së fundit të kupës ndaj Vllaznisë dhe vijuan më pas gjatë gjithë fazës përgatitore. Lojtari, për shkak të kalcifikimit të indeve të buta të këmbës së majtë kishte vazhdimisht probleme dhe kjo e pengonte të ishte pjesë e ekipit në përgatitje normale.

Diçka që vijoi për më shumë se një muaj e gjysmë, ndërsa pas kontrolleve të detajuara u dol në vendimin se vetëm përmes terapive gjithçka mund të kalojë, por pa përcaktuar një afat të saktë. Rikthimi i Zguros mund të zgjaste nga disa javë në disa muaj dhe kjo duket se shqetësonte jo pak ambientin bardhekuq.

Terapitë e zhvilluara së fundi dhanë rezultat pozitiv, aq sa Zguro kaloi momentalisht problemin dhe është gati për të dhënë kontributin e tij te Skënderbeu për këtë sezon. Ky duket se është lajmi më i mirë për Memellin, që përveçse fiton një lojtar të rëndësishëm dhe thelbësor për ekipin e tij, tashmë do të ketë gati kapitenin e sezonit të ri.

Gjithsesi, bashkimi i Zguros me grupin nuk do të thotë që lojtari të jetë menjëherë gati. Me shumë mundësi futbollisti pogradecar mund të mos përdoret nga Memelli në ndeshjen hapëse të sezonit ndaj Tiranës, por të jetë gati në 100% në takimin e javës së dytë të kampionatit. Kjo nuk pritet të jetë problem për korçarët, që kanë gati Jurgen Vrapin në këtë pozicion.

22-vjeçari ka treguar se di ta mbulojë më së miri, pavarësisht se nuk është pozicioni i tij natyral. Por rikthimi i kapitenit duket se sjell frymëmarrje më të madhe edhe për mesfushën. Nëse Zguro është në 100% të formës së tij, kjo i jep mundësi Vrapit të kthehet në pozicionin e tij si mesfushor.

LLAZI SARO – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"