Rikthehet në Berat, Canka: Lushnjën llogariteni pretendente, e nisim me fitore

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 10, 2022 | 10:29

Rikthehet në Berat, Canka: Lushnjën llogariteni pretendente, e nisim me fitore

Vjen edhe dita e Lushnjës. Pasi u shty java e parë, për verdhejeshilët sezoni nis sot.

Canka

Udhëtojnë në Berat, atje ku do të kërkojnë fitoren. Një transfertë vërtet delikate, por në ekip besojnë. Lushnjarët kanë përfunduar përgatitjet në kuadrin e kësaj ndeshjeje dhe duken gati për sfidën e parë të sezonit. Në një prononcim për “Panorama Sport”, kapiteni analizon këtë prag ndeshjeje. Mikel Canka paralajmëron se janë gati të tregojnë se janë edhe ata në lojë për elitën.

“Jemi përgatitur shumë mirë. Duam të tregojmë se jemi edhe ne pretendentë për t’u ngjitur në Superiore. Kualiteti nuk na mungon dhe as përvoja, pasi nuk janë të pakët lojtarët që janë aktivizuar një kategori më lart. Duhet të kemi besim dhe të tregojmë që një ekip si Lushnja do të jetë gjithmonë për më lart.

Përgatitjet para ndeshjes me Tomorin kanë shkuar mirë. Duhet të bëjmë detyrat që na kërkon trajneri, për të gjitha rolet në fushë. Duhet të jemi ambiciozë për të kërkuar më të mirën e mundshme në këtë transfertë dhe në çdo ndeshje tjetër”, deklaroi fillimisht 35-vjeçari. Lushnja e këtij edicioni pritet të jetë më ofensive dhe është ky shkaku që Klodian Duro do të hedhë në fushë një ekip tre sulmues.

“Ekipi me tre sulmues tregon që kërkon t’u marrë më të mirën të gjithë lojtarëve. Tregon që është një ekip sulmues. Lojtarët në përbërje i ka, prandaj profesor Klodian Duro na vendos në këtë modul loje”, tha bomberi lushnjar. Duke u fokusuar te përballja me Tomorin, Canka u shpreh:

“Kundërshtari duhet vlerësuar në maksimum. Është një ‘kockë’ e fortë në këtë kampionat. Ka lojtarë me përvojë, ka prurje të reja në ekip. E treguan që në ndeshjen e parë duke i marrë pikë Besës në transfertë.

Ata luajnë përballë publikut të tyre, që i përkrah dhe i inkurajon në çdo moment. Di të them që do të jetë një ndeshje e bukur dhe e luftuar nga të dyja ekipet. Do të kem shumë emocione, sepse në atë qytet jam ndier si në shtëpinë time.

Nëse do të arrij të shënoj, nuk do të festoja kurrë përballë tyre. Ruaj respekt për atë qytet dhe ata njerëz, që e mbështesin ekipin e Tomorit. Është ndeshja e parë për këtë sezon.

Thjesht, duhet vlerësuar në maksimum, sepse fillimi i mbarë është gjysma e punës. Këtë duhet të bëjmë. Ta mendojmë dhe ta vlerësojmë”, deklaroi kapiteni i Lushnjës Mikel Canka.

ALBAN ALUSHI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"