Rikthehet Lushnja, Bylisi zhytet në krizë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 23, 2014 | 14:11

Rikthehet Lushnja, Bylisi zhytet në krizë

Lushnja-Tirana 2-1. Festohet goli i MihanitLushnja fiton duelin e mbijetesës për ballë Bylisit, teksa dje e ka mposhtur me shifrat 2-0 në “Roza Haxhiu”. Nga një gol për pjesë u ka mjaftuar lushnjarëve, që me anë të Trashit dhe Fonsekës kanë vulosur rezultatin. Një ndeshje tepër e luftuar nga të dyja skuadrat, por që në fund u dha tri pikë shprese verdhejeshilëve, të cilët i largohen fundit dhe ngjisin dy vende në renditje. Sakaq, ekipi mallakastriot tashmë e sheh veten në krizë rezultatesh dhe të rrezikuar, pasi po humbet terren në luftën për të qëndruar në elitë. Megjithatë, në këtë takim mallakastriotët nisin pa Meton dhe Gërxhon, që çuditërisht kishin mbetur jashtë 18-shes.

LUSHNJA-BYLISI 2-0
GOLAT: Trashi 12′, Fonseka 86′
LUSHNJA: Spaho, Bjelkanoviç, Sula, Rr.Sulo (Ndoni 65′), Bakiasi, Tiodoroviç, Mihani, Gjyla, Trashi (Ruco 90′), Çela (Topi 88′), Fonseka; Trajner: A.Bano
BYLISI: Ruçi, Guga, Basriu (Shillova 35′), Llënga, Doshllaku, Idrizaj, Kastrati (Kelmendi 75′), Kurti, Ikpe, Tahiraj (Bakiu 54′), Kuli; Trajner: E.Egbo
DELEGAT: Hito Hitaj (Tiranë)
VËZHGUES: Astrit Dervishi (Shkodër)
KARTONË TË VERDHË: Fonseka 32′, E.Sula 44′, Bakiasi 59′, Mihani 72’/ Guga 16′, 70′, Shillova 44′
KARTON I KUQ: Guga 70′
GJYQTARET: O.Sokoli, D.Rexha. D.Agaraj (Tiranë)

MINUTAT
1′ Gjyla gjuan nga jashtë zone, por Ruci tregohet i saktë dhe largon rrezikun.
2′ Goditje dënimi për Lushnjën, ekzekuton Trashi, nuk por gjen katërkëndorin.
12′ Tjetër goditje dënimi, provon sërish Trashi dhe këtë herë nuk gabon e dërgon topin drejt e në rrjetë dhe 1-0.
14′ Gabim trashanik i gardianit Ruci, që pason te Gjyla, por ky i fundit nuk arrin që ta shfrytëzojë si duhet dhe e dërgon topin vetëm jashtë kuadratit.
20′ Aksion model i Lushnjës, Çela kombinohet me Sulon, i cili nga krahu i djathtë harkon në zonë, e aty Kastrati me kokë për pak sa nuk shënon autogol, por për fatin e Bylisit topi përplaset vetëm në shtyllë dhe del jashtë.
33′ Çela gjuan nga jashtë zone, topi mbi tra.
46′ Doshllaku gjuan, pret Spaho.
55′ Trashi tenton nga jashtë zone, por Ruci largon rrezikun.
75′ Ka një rast për Mihanin, i cili tenton nga distanca me një gjuajtje të kalibruar, por portieri mik pret në kohë.
77′ Bakiasi gjuan nga e majta, por kjo tentativë e tij nuk sjell rezultat, pasi përfundon jashtë.
86′ Çela thyen një aksion të Bylisit, pason majtas për te Trashi, i cili merr krahun, pason te Fonseka, që ishte i lirë në zonë, dhe i vetëm përballë Rucit gjuan e shënon, 2-0.
Pjesa e parë Ndeshja nisi shpejt dhe me Lushnjën në kërkim të golit, duke e vënë disa herë në vështirësi portierin mik. Gjyla gjuan nga jashtë zone, por Ruci tregohet i saktë dhe largon rrezikun. Pa kaluar as 60 sekonda do të jetë Trashi që provon, me një goditje dënimi, por nuk gjen portën. Sulmet e vazhdueshme të vendësve e detyrojnë Bylisin të mbyllet në mbrojtje. Megjithatë, sërish Lushnja e gjen mundësinë dhe kalon në avantazh. Në të 12- ën minutë do të jetë Trashi që, nga një goditje dënimi, gjuan mjeshtërisht dhe e dërgon topin drejt e në rrjetë, 1-0. Pas këtij episodi lushnjarët nuk e ndalin vrullin, përkundrazi, shtojnë presionin dhe vihen në kërkim të golit të dytë. Në të 14- ën minutë do të jetë Ruci që pason gabimisht te Gjyla, mbrojtësi i kishte të gjitha mundësitë që ta shfrytëzonte këtë rast, megjithatë nuk kombinohet me Fonsekën, i cili ishte i lirë në zonë, por gjuan vetë dhe e dërgon topin jashtë. Loja vazhdon të kontrollohet nga vendësit, teksa në të 20-ën minutë kapiteni Çela do të ndërtojë një aksion model. Mesfushori pason për te Sulo në të djathtë, që avancon e harkon në zonë, aty ku Kastrati largon me kokë, por për pak shënon autogol, pasi topi përplaset në shtyllë dhe më pas del jashtë. Minutat kalonin dhe Bylisi nuk po reagonte dot, madje edhe një tentativë e Kulit ishte shumë pak për ta vënë në rrezik portën e mbrojtur prej Spahos. Kjo mbyllet 1-0.
Pjesa e dytë Fraksioni i dytë do të nisë me një Bylis më të motivuar dhe me dëshirë për të barazuar shifrat, ndërkohë që Lushnja mendon më shumë për të ruajtur rezultatin. Miqtë lëvizin më mirë në fushën e lojës, qarkullojnë dendur topin në mesfushë, por e kanë të pamundur të çajnë mbrojtjen vendëse, kur tenton nga jashtë zone me anë të Doshllakut dhe Kulit. Kundërpërgjigjja është e shpejtë, teksa në të 55-ën minutë Trashi godet fort drejt portës, por Ruci pret. Moment deciziv ishte ai të 65-ës, kur Mihani pengohet në hyrje të zonës nga Guga, që të gjithë kërkojnë kartonin e dytë që do e nxirrte jashtë, por për kryesorin nuk ishte e nevojshme. Megjithatë, nuk kaluan as 5 minuta, pasi në të 70-ën Guga mori të dytin të verdhë pas një tjetër ndërhyrje ndaj Mihanit, duke e lënë kështu ekipin në inferioritet numerik. Lushnja është me një forcë më shumë në fushë dhe në minutën e 86-të dyfishon shifrat. Çela thyen një aksion të Bylisit, pason majtas për te Trashi, ky i fundit merr krahun, pason te Fonseka, i cili ishte i lirë në zonë, i vetëm përballë Rucit gjuan dhe shënon, 2-0. Me këtë trepikësh tashmë verdhejeshilët fitojnë qetësi, ndërsa Bylisi nis të ndjejë “ethet” e rënies nga kategoria.

MË I MIRI
Është e padiskutueshme që lojtari më i mirë në fushë ka qenë Lorenc Trashi. Jo vetëm për golin e shënuar dhe asistin e dhënë në golin e dytë që realizoi Fonseka, por edhe për atë çka dha në fushë, duke qenë rreziku kryesor për portën e Rucit. Pas nuk mbetën as kapiteni Çela, Fonseka, Tiodoroviç e Bjelkanoviç.

MË PAK AKTIVI
Pa dyshim që Bylisi ishte në një ditë të zezë, kur nuk ke kujt t’i vësh dorën. Mbrojtja kishte shumë boshllëqe, mesfusha ishte e paorganizuar dhe sulmi aspak efikas, madje pati shumë pak raste që ta vinte në provë portierin Spaho. I vetmi që mund të bëjë deri diku përjashtim ishte Kuli, i cili u përpoq.

“Fitore morali, i dhamë bukuri kampionatit”
Artan Bano ka mbetur i kënaqur nga fitorja, çka nuk nguroi ta shprehte edhe para mediave. “Ishte një ndeshje finale për ne, të cilën e fituam. Na duheshin pikët në mënyrë absolute. Ishte fitorja e parë për 2014-ën, ndaj ka shumë vlera. E merituam! Madje, me pak kujdes, mund të shënonim edhe më shumë, por sërish më kënaqi loja dhe grinta e lojtarëve. Me këtë trepikësh i dhamë edhe bukuri kampionatit, pasi 3 ekipe janë të shkëputura e të tjerat luftojnë për mbijetesën. Kjo fitore është edhe fitore morali, pasi djemtë dhanë më të mirën e tani na duhet të fitojmë edhe jashtë, sepse një fitore jashtë fushe na ngjit edhe më shumë. Unë kam mendimin se ky kampionat do të ndahet në 3 javët e fundit se kush del, ndërsa Korça do të shpallet shumë shpejt kampione”, – tha Bano.

“Humbje e rëndë, Meto e Gërxho? Vendimi ynë”
Emanuel Egbo e cilëson këtë humbje tepër të rëndë. Trajneri i Bylisit shpjegon edhe lënin jashtë të Gërxhos e Metos. “Është një humbje që na rëndon akoma më shumë. Si ne edhe kundërshtari luajmë për mbijetesë, megjithatë ata që e humbën këtë duel ishim ne. Ekipi po vuan shumë anën psikologjike pas humbjes së Tiranës. Sot (dje) pësuam një gol si pasojë e rreshtimit të gabuar të mbrojtjes, ndërsa më pas, ngaqë mbetëm edhe me një lojtar më pak në fushë, e patëm të vështirë. Megjithatë nuk jemi dorëzuar, përkundrazi do ta vazhdojmë akoma luftën tonë. Sa i përket Metos dhe Gërxhos, për ne të gjithë lojtarët janë të rëndësishëm. Ky është vendim i marrë brenda familjes, kështu e menduam më mirë. Nuk është se mungesa e tyre ndikoi në rezultat, disfata erdhi prej gjendjes psikologjike”.

“Goli për hallën që sapo ka ndërruar jetë”
Lorenc Trashi ka një dedikim special për golin e tij. Sulmuesi ka mbetur tejet i kënaqur për fitoren e skuadrës së Lushnjës, si edhe për golin. I pyetur nga gazeta, ai ia kushton golin hallës së tij, e cila ka ndërruar jetë vetëm dy ditë më parë. “Jam shumë i lumtur për fitoren, pasi është tejet e rëndësishme për skuadrën tonë dhe objektivin që kemi këtë sezon. Me këtë trepikësh kemi më shumë shpresa për mbijetesë. Sa i përket golit, ai i dedikohet hallës sime, e cila është ndarë nga jeta pikërisht dje (pardje). Kështu që shkon vetëm për të”, – tha Trashi për “Panorama Sport”. Ndërsa autori i golit tjetër, Fonseka, u shpreh: “Fitore me shumë vlera. Sa për golin, ua dedikoj tifozëve tanë”.
ARMAND NEZHA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"