Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 30, 2013 | 16:59

Tirana kryesoreTirana merr një fitore madhështore dhe “pushton” Krujën. Bardheblutë kanë mposhtur 0-3 Kastriotin në transfertë, duke u ngjitur në vendin e pestë në renditje duke zgjuar kështu shpresat për në zonën “Euro”. Me një ekip të cunguar në fushë (pa 7 titullarë), duke i besuar një 18-vjeçari në portë, me një moral të rënë pas humbjes së turpshme kundër Flamurtarit dhe nën një terren të rënduar, Tirana fitoi shumë. Një sukses jo vetëm i lojtarëve në fushë, por mbi të gjitha i trajnerit Nevil Dede, i cili guxoi dhe besoi tek të rinjtë. Tepër pragmatistë, me një pjesë të parë jo fort pozitive, por tejet efektive në të dytën, bardheblutë shënuan tri herë dhe morën tri pikë me vlera. Golat e fitores kanë ardhur në 45 minutat e dyta, kur vendësit kanë sulmuar fort, por janë ndëshkuar me anë të kundërsulmit të miqve. Abilaliaj, Lika dhe Çota neutralizuan volumin e krutanëve, të cilët pas shumë kohësh pësuan disfatën më të thellë në shtëpi.

KASTRIOTI TIRANA 0-3
GOLAT Abilaliaj 61′, G.Lika 71′, Çota 81′
KASTRIOTI: Moçka, Caca, Xhafa (Shehaj 64′), Sykaj, Kalari, Gocaj (Shaba 82′), Karapici, Daja, Turdiu, Çela, Fataki; Trajner: Sh.Dallaku.
TIRANA: Caka, Pashaj, Pigoni, Ahmataj, Taku, Muça, Pema (Sina 83′), Peposhi, Hysenbelliu (Dushku 72′), G.Lika, Abilaliaj (Çota 63′); Trajner: S.Bulku.
KARTON I VERDHË: Pashaj 72′
VËZHGUES: Ilir Kristo (Tiranë)
DELEGAT: Uvil Zajmi (Tiranë)
GJYQTARET: B.Pashaj, R.Avdo, E.Biçaku (Tiranë)

MINUTAT
2′ Karapici rrezikon bardheblutë, por topi shkon vetëm mbi tra.
9′ Abilaliaj kroson nga krahët për G.Likën, i cili godet mirë, por topi mbetet në llucë.
11′ Goditje dënimi, Ahmataj ekzekuton nga distanca, por nuk gjen kuadratin.
15′ Fataki kombinohet me Karapicin, i cili pranë zonës tenton të gjuajë, por mbrojtja mike neutralizon rrezikun.
17′ Fataki me kokë vë në provë portierin Caka, i cili grushton. Tenton edhe Caca, por i riu shpëton sërish katërkëndorin. 30′ Abilaliaj në zonë, gjuan me kokë, por mbrojtja krutane bllokon këtë tentativë.
31′ Goditje dënimi, Moçka gjuan nga 25 metra distancë, por topi përfundon mbi tra.
36′ Ahmataj-G.Lika merren vesh mirë, shkodrani nga distanca, por topi prek vetëm rrjetën e jashtme.
45′ Goditje dënimi për krutanët, Kalari ekzekuton, por portieri Caka bën mrekullinë duke e grushtuar topin.
55′ Fataki me kokë, por topi përfundon shumë larg kuadratit.
57′ Rast i artë për Kastriotin, Caca nga krahu i djathtë i sulmit pason për Turdiun, i cili nuk e arrin dot. Largon rrezikun Pigoni.
61′ Tirana kalon në avantazh. I riu Hysenbelliu kroson mjaft bukur për Abilaliajn në sulm, i cili nuk e ka të vështirë që ta dërgojë topin në rrjetë dhe 0-1.
64′ Kalari ka mundësi për të barazuar shifrat, por nuk gjen kuadratin.
71′ Hysenbelliu kombinohet me Muçën, ky i fundit pason për G.Likën, i cili parakalon dy kundërshtarë dhe më pas portierin, duke e dërguar me lehtësi topin në rrjetë dhe 0-2.
76′ Shehaj merr një kros nga krahët, gjuan, por nuk gjen portën.
80′ Çela në kundërsulm, godet me kokë, por vetëm jashtë. 81′ Taku pason për Çotën, i cili kontrollon topin dhe e dërgon atë në rrjetë dhe 0-3.
85′ Fataki kombinohet me Shehajn, i cili tenton të shënojë golin e nderit, por pa rezultat.
91′ Rrëmujë në zonën mike, pretendohet për prekje të topit me dorë nga Pigoni, por gjyqtari Pashaj nuk mendon kështu.
93′ Caka shfaqet edhe një herë vendimtar në portë, rrezikon Turdiu, më pas Karapici, por katërkëndori mbetet i paprekur.

Tirana 2Pjesa e parë Ndeshja nisi vrullshëm dhe me skuadrën vendëse më agresive dhe kërkuese. Sinjali i parë erdhi nga Karapici, por topi i tij shkoi vetëm mbi tra, duke mos krijuar rrezikshmëri për miqtë. Në të 9-ën minutë Tirana kishte rastin e parë serioz në këtë sfidë, teksa Abilaliaj kroson nga krahët për G.Likën, i cili godet mirë, por topi mbetet në llucë. Tenton edhe Ahmataj në të 11-ën minutë me një goditje dënimi, por nuk gjen kuadratin. Minutat pasardhëse flasin për krutanët, të cilët me anë të Fatakit, Karapicit dhe Kalarit mundohen të gjejnë avantazhin, por portieri i ri është i pakalueshëm. Minutat e fundit të kësaj pjese kontrollohen nga miqtë, teksa në minutën e 36- të Ahmataj kroson për G.Likën, shkodrani gjuan nga distanca, por topi prek vetëm rrjetën e jashtme. Fraksioni i parë mbyllet me rrejta të paprekura.
Pjesa e dytë Ky 45-minutësh nis me një tjetër pamje dhe me një Tiranë më të vendosur për të fituar. Me një mbrojtje të kujdesshme, një mesfushë kreative, e cila qarkulloi dendur topin, si dhe me sulmin në një ditë të mirë, që shënuan jo pak, por tre gola, skuadra e Dedes shfaqi hapur objektivat e saj për këtë përballje. Në të 61-ën minutë bardheblutë kalojnë në avantazh. I riu Fatmir Hysenbelliu kroson mjaft bukur për Abilaliajn në sulm, i cili nuk e ka të vështirë që ta dërgojë topin në rrjetë dhe 0-1. Ky gol hap rrugën e suksesit për skuadrën 24 herë kampione të vendit, që vetëm 10 minuta më vonë gjen lehtësisht rrugën edhe për golin e dytë. Hysenbelliu kombinohet me Muçën, ky i fundit pason për G.Likën, i cili parakalon dy kundërshtarë dhe më pas portierin, duke e dërguar me lehtësi topin në rrjetë dhe 0-2.Krutanët mundohen të reagojnë, por më kot. Pasi kryeqytetasit janë më konkretë në rastet e tyre, duke shënuar edhe golin e tretë dhe të fundit në të 81- ën minutë. Taku pason për Çotën, i cili kontrollon topin dhe e dërgon atë në rrjetë dhe 0-3. Krutanët nuk dorëzohen, minimalisht për të shënuar golin e nderit, teksa Shehaj, Turdiu dhe Karapici tentojnë, por gardiani Caka shfaqet vendimtar me pritjet e tij në portë. Kështu Tirana merr tri pikë të arta, që e ngjisin në vendin e pestë, duke lënë pas edhe Vllazninë, ndonëse janë me pikëavarazh dhe golavarazh të njëjtë. Kjo për dy arsye, fillimisht për rend alfabetik dhe së dyti, pasi bardheblutë i kanë mposhtur në ndeshje direkte shkodranët në fazën e parë.

MË I MIRI
Debuton dhe shkëlqen në portë. Marsel Caka, i riu 18-vjeçar i Tiranës, ka qenë lojtari më i mirë në fushën e lojës dje. Pas nuk mbeten as Hysenbelliu dhe Abilaliaj, protagonistët e golit të parë. Ishin pikërisht ata që u hapën rrugë bardhebluve për të marrë pikët e plota dhe gjetur kthesën e madhe të kryeqytetasve. Megjithatë duhet të vlerësohet loja e kapitenit G.Lika dhe Çotës, pasi me golat e shënuar ia shtuan bukurinë suksesit.

MË PAK AKTIVI
Sulmi i Kastriotit nuk ishte në një ditë të mirë dje. Veç terrenit të rënduar, ndoshta edhe fatit, ata nuk u shfaqën asnjëherë rrezikshëm para portës së mbrojtur nga portieri i Tiranës. Francezi Fataki nuk bëri thuajse asgjë në këtë takim. Sulmuesi, edhe pse u furnizua nga mesfusha, nuk u shfaq i qetë para porte. Pavarësisht një pjese të parë voluminoze dhe kreative, krutanët çaluan ndjeshëm në finalizim.

PIKANTE
– Tifozët: Mbi 500 tifozë ishin të pranishëm dje në stadium. Shirat dhe Pashkët katolike ndikuan në këtë numër të ulët.
– Grupimi: Rreth 30 tifozë të grupimit “Tirona Fanatics” ishin dje në Krujë për të përkrahur ekipin e zemrës, i cili në fund u dhuroi një fitore të bukur me tre gola.
– Terreni: Shirat e djeshëm e rënduan terrenin e stadiumit “Kastrioti”. Pellgjet e mbushura me ujë ishin të shumta, sidomos në zonat para portave respektikve.
– Statistika: Humbja e fundit në kampionat që Kastrioti ka pësuar në shtëpi daton më 18 nëntor 2012, me shifrat 1-2 kundër Skënderbeut.
-Shiriti: Gilman Lika dje është graduar kapiten. Mesfushorit shkodran iu dha shiritin, duke qenë kështu pasuesi i Ilion Likës, i cili është operuar.

U mendua shtyrja e ndeshjes prej shirave
Shirat e dendura që ranë dje në Krujë rrezikuan shtyrjen e Kastrioti-Tirana. Rreth një orë përpara startit të këtij takimi të javës së 20-të, situata e rënduar klimaterike bëri që delegati Uvil Zajmi të mendonte anulimin e ndeshjes. Por vetëm në orën 13:30, pra 30 minuta para se sfida të niste, shiu pushoi. Pasi zyrtarët e ndeshjes u konsultuan me gjyqtarët e kësaj përballjeje, vendosën që të luhej, pasi kushtet u normalizuan. Terreni në fakt ishte tejet i rënduar, madje kjo dukej qartë, pasi pellgjet me ujë ishin të shumta në fushën e stadiumit “Kastrioti”. Megjithatë, kjo nuk ndikoi në rezultat, pasi loja u zhvillua normalisht dhe pa probleme.

Dede ne KrujeDede: Na u shtuan shpresat dhe fituam të rinjtë
Nevil Dede edhe dje e drejtoi Tiranën nga tribuna. Mirëpo ky fakt nuk e ka penguar që ta bëjë më së miri detyrën, dhe si përfundim arriti një fitore me shumë vlera kundër Kastriotit. Trajneri i bardhebluve, gjatë një deklarate të dhënë për mediat në fund të takimit të djeshëm, është ndier tepër i lumtur dhe tashmë beson më shumë te misioni për të zënë një vend në Europë. “Këtë fitore ua dedikoj Hysenbelliut, Peposhit, Marsel Cakës, ky i fundit jo vetëm se ka ditëlindjen, jo vetëm se janë më të rinjtë, por për atë që përfaqësojnë: të ardhmen e kësaj skuadre. Fituam sepse ne dhamë maksimumin. Jam i bindur se kur jep maksimumin dhe e dashuron këtë fanellë, rezultatet vijnë… Akoma nuk kam filluar të bëj trajnerin e Tiranës sime, sepse akoma po përpiqem t’u kthej besimin në vetvete lojtarëve për vlerat që kanë dhe që mbart kjo fanellë. Shpejt do kemi një skuadër që do të luftojë për trofe. Ne jemi ‘Tirona’ që luftojmë dhe japim maksimumin për fanellën, ashtu si Caka debutoi sot (dje)”, – tha trajneri pas asaj fitore të rëndësishme të të tijve dje në Krujë. Më tej, ai ka analizuar krejt takimin, por edhe lojën e kundërshtarit, të cilin e vlerëson pa masë. “Ne do të vlerësojmë çdo kundërshtar dhe do të luftuar deri në fund për të zënë një vend në Europë, pasi ky është objektivi ynë i vetëm momentalisht. Ne e respektojmë edhe skuadrën e Kastriotit, të cilët i falënderojmë për mikpritjen që na bënë sot (dje). Fusha e krutanëve është e vështirë, edhe për të marrë pikë, jo më për të fituar. Kastrioti është bërë një klub shumë solid, sidomos me investimet e bëra në këtë skuadër vitet e fundit, dhe pikërisht për këtë arsye jemi të kënaqur për rezultatin e arritur. Për sa i përket sezonit, tani të mendojmë për ndeshjen e ardhshme kundër Skënderbeut, skuadrën kampione në fuqi, e cila kërkon të marrë titullin e tretë radhazi”, – përfundoi Dede, i cili dje ezauroi dënimin e dhënë nga Komisioni i Disiplinës. Ndaj në javën e 21-të, teksa bardheblutë do të presin Skënderbeun, ai do ta drejtojë Tiranën e tij jo më nga tribuna, por nga pankina.

Dallaku“E merituan, ne e humbëm përqendrimin”
Numri dy i stolit të Kastriotit, Shaban Dallaku, i cili edhe dje e ka drejtuar skuadrën nga pankina, nxjerr në pah arsyet e kësaj humbjeje të thellë. Sipas tij, krutanët humbën përqendrimin, gjë që bardheblutë e shfrytëzuan më së miri. Ndonëse ekipi i tij pati kontrollin e pjesës më të madhe të ndeshjes, ai thotë se ato gabime e ndëshkuan. Gjatë prononcimit të dhënë në fund të sfidës, për gazetën ai u shpreh: “Ishte një ndeshje me dy tablo. Pjesa e parë më e mirë për ne, ndërsa në të dytën nuk mund të them tjetër veçse mungesë përqendrimi. Situatë nga e cila përfitoi më së miri ekipi kundërshtar për të arritur fitoren. Në fund kjo ka rëndësi, rezultatin nuk e bëjnë rastet, por golat e shënuar. Dhe Tirana para porte ishte tepër e saktë dhe i shfrytëzoi në maksimum ato raste që pati”.

TiranaaaaaaFlasin goleadorët: Europa na pret
Një fitore që shton shpresat e Tiranës për Kupat e Europës. Në fakt, te bardheblutë janë të bindur se do t’ia dalin dhe pas gjashtë javëve të mbetura do të jenë pjesëmarrës në këtë kompeticion. Këtë e thonë protagonistët e fitores në Krujë, pra autorët e tre golave. Arbër Abilaliaj, Gilman Lika dhe Mirel Çota për “Panorama Sport” shprehen të lumtur për golat dhe mbi të gjitha për këtë trepikësh që i ngjit të pestët. Për secilin ka qenë një ditë e veçantë, ndaj golat nuk do t’i harrojnë lehtë. I pari sepse rikthehet te goli, i dyti pasi dje u gradua kapiten, ndërsa i treti për arsye se megjithëse u fut nga stoli, tregoi vlerat e veta. E veçanta është që të tre golat janë shënuar çdo 10 minuta, konkretisht në minutat 61, 71 dhe 81.
Abilaliaj – Ishte ai që hapi siparin e golave. Arbër Abilaliaj gjen golin e dytë për këtë sezon. Shfaqet konkret në atë që thotë, duke shpjeguar se për të përparësi ka ekipi dhe objektivat, më pas mendon për veten. “E rëndësishme për Tiranën ishte që morëm tri pikët në një ndeshje jashtë fushës sonë. Dihet që transfertat janë gjithnjë të vështira. Jam i kënaqur që goli im hapi rrugën e fitores, nuk mund ta mohoj. Edhe për ndeshjen e ardhshme brenda do të luftojmë për të marrë tri pikët, dhe kjo ka shumë rëndësi. Ne synojmë Europën dhe do t’ia dalim”, – tha vlonjati, duke shpalosur synimet.
Lika – Gilman Lika është kapiteni i ri i Tiranës për pjesën e mbetur të këtij sezoni. Shkodrani i mesfushës bardheblu golin e realizuar ua dedikon të gjithë tifozëve, e në veçanti atyre që ishin të pranishëm në shkallët e stadiumit të Krujës. “Do të luftojmë deri në fund për një vend në Europë, për këtë jam më shumë se i bindur. Nëse vazhdojmë me të njëjtat ritme mund t’ia dalim. Golin ua dedikoj tifozëve të Tiranës, por tani le të mendojmë për Skënderbeun, pasi kjo ndeshje ishte nxemje për ne”, – u shpreh numri 17 i skuadrës kryeqytetase.
Çota – Sulmuesi Mirel Çota gjen golin numër 4 për këtë sezon, dhe për këtë fakt është tejet i lumtur. “Kjo ndeshje për ne ishte shumë e rëndësishme sa u përket pikëve dhe objektivave, por edhe për moral. Ky sukses na jep qetësinë, por nga ana tjetër na shton edhe detyrimet. Jemi stërvitur mirë për këtë takim dhe fatmirësisht ia dolëm me sukses në fund, duke fituar pastër. Ishin tri pikë mjaft të vlefshme për të ardhmen dhe objektivat që kemi”, – përfundoi Çota.

Hysenbelliu-1Njeriu asist, Hysenbelliu: Ky trepikësh na dha moral
Një asist perfekt, që ndryshoi rrjedhën e krejt takimit. Firmën për këtë episod e ka vënë Fatmir Hysenbelliu, i cili me atë kros të bukur për Abilaliajn, i dha një tjetër pamje ndeshjes së djeshme. Mesfushori i talentuar, gjatë një deklarate të dhënë dje për “Panorama Sport” në fund të takimit, e ka cilësuar këtë trepikësh si atë që solli kthesën e madhe dhe ngriti moralin. “Jemi të kënaqur që morëm këtë fitore, pas gjithë atyre rezultateve. Ishte e vështirë pas asaj humbjeje me Flamurtarin, e cila la një shije shumë të keqe në historinë e klubit tonë, ndaj e kërkonim këtë kthesë dinjitoze. Ishte tepër e rëndësishme që të ktheheshim me këtë trepikësh. Të gjithë lojtarët do të jepnin gjithçka për këtë fitore, e cila fatmirësisht erdhi. Kalimin tim nga kampionati italian në atë shqiptar e shoh si një eksperiencë timen në nivelet e skuadrës së parë. Për mua në çdo vend mëson diçka, dhe në këtë kuptim nuk e konsideroj si një humbje, por si një eksperiencë pozitive”, – përfundoi 20-vjeçari i talentuar i bardhebluve dhe ekipit Shpresa.

Caka: Dhurata më e bukur e ditëlindjes
Një debutim ëndrrash ka qenë ai i Marsel Cakës. Pikërisht dje ai mbushi 18 vjeç dhe në të njëjtën kohë bëri një prezantim dinjitoz me fanellën bardheblu. Ishte lojtari më i mirë në fushë. Me kalimin e minutave u kuptua fare mirë se mosha e tij nuk përbënte kurrfarë diference. Ai bëri detyrën në perfeksion dhe lëvdatat nuk i munguan prej të gjithëve. “Faleminderit për urimet për ditëlindje. Kjo ishte dhurata më e mirë për këtë ditë të shënuar, sepse jo vetëm mbusha 18 vjeç, por edhe debutova me ekipin e parë të Tiranës. Në fillim kisha pak emocione, por me kalimin e minutave gjithçka u normalizua dhe nisa të ndieja siguri në portë. Tashmë mezi po pres ndeshjen e ardhshme”, – tha Caka për gazetën.
MURAT ARUÇI

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"