Rikthehen Mazrekaj dhe Cucin, vetëm një mungesë për Laçin në sfidën me Erzenin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 15, 2022 | 10:07

Rikthehen Mazrekaj dhe Cucin, vetëm një mungesë për Laçin në sfidën me Erzenin

Laçi do të kërkojë sot fitoren e dytë radhazi në kampionat, pikërisht në shtëpi kundër Erzenit në orën 13:00. Skuadra e Gentjan Mezanit vjen pas triumfit në transfertën delikate të Ballshit, aty ku vendosi një gol i nigerianit Adeleke.

LACI (1)

Trajneri vlonjat është më i qetë në prag të takimit me shijakasit, pasi morali në ekip është i lartë, por mbi të gjitha edhe grupi është më i plotë se ndeshja e fundit kundër Bylisit.

Në Ballsh munguan për shkak kartonësh Mentor Mazrekaj dhe Luka Cucin, të cilët tashmë rikthehen të gatshëm për trajnerin.

Mirëpo, këtë javë për shkak të plotësimit të numrit të kartonëve të verdhë do të pushojë mesfushori polak, Ariel Borisjuk. Ky i fundit u ndëshkua në Ballsh dhe kësisoj numri i të verdhëve shkoi në katër.

Megjithatë, polaku do të jetë i gatshëm për ndeshjen e fundit të këtij viti, më 21 dhjetor me Kukësin në transfertë.

Synimi i kurbinasve në këto dy takime të fundit është marrja e pikëve të plota, edhe pse vështirësitë janë prezente, duke qenë se Erzeni i ka tejkaluar të gjitha pritshmëritë këtë sezon.

Në ndeshjen e fazës së parë, të luajtur në stadiumin “Niko Dovana”, Laçi humbi në frymën e fundit pas një penalltie të kthyer në gol nga Amir Kahrimanoviç.

Bardhezinjtë do të kërkojnë revansh, me objektivin për t’u ngjitur në tabelë. Aktualisht pas 13 javësh kampionat, Laçi pozicionohet në vendin e gjashtë me 17 pikë, duke qenë vetëm 4 pikë më pak se vendi që të çon në Kupat e Europës.

Dje skuadra e Mezanit i ka dhënë dorën e fundit përgatitjeve nga kompleksi “Internacional” në Pezë-Helmes.

Moti i keq i ditëve të fundit nuk pritet të ndikojë në fushën e stadiumit “Laçi”, pasi është bërë rimbjellja e barit dhe kushtet janë komode, pavarësisht reshjeve të shumta të shiut.

laci

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"