Rikthehen hijet e së shkuarës, Tafili: Kujdes nga Lushnja! Kemi edhe 9 finale

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 3, 2018 | 16:28

Rikthehen hijet e së shkuarës, Tafili: Kujdes nga Lushnja! Kemi edhe 9 finale

“Vllaznia ka fituar vetëm një përball je të rëndësishme, por ka edhe 9 finale të tjera deri në fund të sezonit”. Kështu është shprehur zv.kapiteni i Vllaznisë, Alsid Tafili, që e konsideron ndeshjen ndaj Skënderbeut si një ndër më të vështirat.

“Nuk ka asnjë dyshim që ishte një nga takimet më të vështira në fushën tonë. Në takimin e fazës së dytë, kjo skuadër na mundi në fushën tonë dhe normalisht që presioni ndaj nesh ishte edhe më i madh. Nëse do të jemi në Kategorinë Superiore, atëherë takimet në fushën tonë duhet që t’i fitojmë dhe në këtë vazhdë ishte edhe përballja me Skënderbeun. Gjithsesi kemi fituar një betejë, por kemi një luftë të gjatë përpara deri në fund”, ka vazhduar mesfushori shkodran në prononcimin e tij për “Panorama Sport”.

Tafili

SFIDA

Mesfushori shkodran ka folur edhe për takimin e radhës që kuqeblutë do të luajnë ndaj Lushnjës në shtëpi. Skuadra e vetme që mund të konsiderohet e rënë në Kategorinë e Parë nuk duhet që të nënvlerësohet. “Nuk ka asnjë ekip të lehtë dhe asnjë ndeshje nuk mund të fitohet lehtë. Ne e dimë më mirë se askush tjetër sesa vuajtëm pas atij barazimi me Korabin. Të gjithë e menduam punën e kryer, mendonim dhe me të drejtë vendin e katërt dhe pas atij barazimi me Korabin, atëherë gjithçka diskutohej për mbijetesë.

Ndërsa, tani në këto pozita që jemi një barazim me Lushnjën do të ishte fatal për sa i përket qëndrimit. Prandaj ne nuk duhet ta shikojmë me çfarë skuadre do të luajmë. Lushnja kërkon po të njëjtin impenjim dhe përkushtim si Skënderbeu apo skuadrat e tjera. Nuk duhet që ta nënvlerësojmë, por unë dhe as të gjithë shokët nuk e vënë në dyshim se duhet ta fitojmë këtë përballje”, ka vijuar prononcimin e tij Tafili.

KLASIFIKIMI

Pas humbjes së Kamzës me Partizanin duket se edhe kjo skuadër tanimë është e rrezikuar së bashku me Vllazninë e Teutën për qëndrimin në elitë. Megjithatë, lojtarët shkodranë nuk bëjnë llogaritë e të tjerëve. “Normalisht që humbja ia ka vështirësuar punët Kamzës në garën për mbijetesë.

Ne ka disa kohë që nuk shikojmë prapa, pasi më e udhës është që të shohim hapin e ekipit që kemi përpara në mënyrë që ta kalojmë atë. Nëse ne do të shfaqim këtë shpirt dhe këtë karakter deri në fund atëherë unë jam i bindur se fundi i sezonit do të na gjejë më lart në tabelën e klasifikimit. Megjithatë, gjithçka duhet me radhë. Takim pas takimi. Ne duhet të bëjmë punën tonë, të tjerët punën e tyre”, ka mbyllur Tafili deklaratën e tij.

ADMIR URUÇI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"