“Rikthehem aty ku kam kujtime të paharrueshme”, Plori: Respekt për Tërbunin, por duam fitoren

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 19, 2019 | 10:56

“Rikthehem aty ku kam kujtime të paharrueshme”, Plori: Respekt për Tërbunin, por duam fitoren

Besëlidhja e mbylli të premten pasdite javën stërvitore në kuadër të javës së pestë të kampionatit, që do ta luajë sot në Pukë ndaj Tërbunit. Në këtë transfertë shkon pas fitores ndaj Veleçikut dy javë më parë, që e ngjiti në vendin e dytë, vetëm një pikë larg kreut që mbahet aktualisht nga Korabi.elvis plori

Lezhjanët po konsumojnë sezonin e 12-të radhazi në nivelin inferior të futbollit shqiptar, një rekord “i zi” ky, ndaj dhe këtë sezon shpresohet shumë për ngjitjen në elitë, pasi është punuar shumë për ndërtimin e një skuadre që mund ta përmbushë këtë mision.

Trajneri Elvis Plori, i cili ka kontribuar në ngjitjen e Tërbunit në Superiore, pasi ka qenë trajner i tij në atë kohë, tani ka të njëjtin mision, por në krye të stolit të Besëlidhjes.

Gjatë prononcimit të tij për “Panorama Sport”, trajneri i Besëlidhjes thekson: “Pas dy javësh përgatitje, pasi fundjava e kaluar ishte pushim i planifikuar, sot (dje) mbyllëm javën stërvitore dhe do të udhëtojmë drejt Pukës për të qenë të gatshëm ndaj Tërbunit. Të gjitha ndeshjet janë të rëndësishme dhe emocionuese, por për mua rikthimi në stadiumin ‘Ismail Xhemali’ të Pukës është më emocionues.

Këtë radhë jam në drejtimin e një ekipi që ka të njëjtin objektiv që arritëm bashkë me pukjanët disa sezone më parë. Në atë stadium, së bashku me futbollistët e asaj kohe dhe me kontributin e çmuar të tifozërisë pukjane, ia dolëm ta ngjisnim Tërbunin në Superiore, duke e futur në historinë e futbollit tonë elitar. Tani jam në krye të Besëlidhjes dhe kam të njëjtin objektiv që besoj se do ta realizoj. Nuk e pranoj dështimin. Përsëri e ndiej veten komod në atë stadium. Si trajner profesionist, luftoj për objektivat që marr përsipër, ky është misioni im.

Normalisht, në Pukë ne shkojmë për fitore, pasi objektivat na e diktojnë atë, lufta jonë sportive do të zhvillohet e pastër dhe e natyrshme, do të mundohemi që të gabojmë sa më pak, pasi këtu varet edhe rezultati i ndeshjes. Pozitive për ne është se jemi të qetë psikologjikisht, jo vetëm se i jemi rikthyer fitores, por unë rikthehem aty ku kam kujtime me të vërtetë të paharruara. Dua ta përshëndes përzemërsisht tifozërinë e mrekullueshme pukjane, por dua fitoren e Besëlidhjes”.

Për të mbetur në pozita pretenduese, lezhjanët duhet të fitojnë patjetër jashtë fushe. Kanë barazuar me Kastriotin, por më pas lanë dy pikë në shtëpi ndaj Egnatias. Në Pukë bëjnë punë vetëm tri pikët për Besëlidhjen.

PRENG GJIKOLA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"