Rikonstruksioni i stadiumit drejt fundit, Tomori projekton një ekip për elitën

Panorama Sport | Gazeta me e madhe sportive ne vend

Postuar: Qershor 21, 2017 | 17:11

Rikonstruksioni i stadiumit drejt fundit, Tomori projekton një ekip për elitën

Tomori i mungon elitës së futbollit shqiptar prej katër sezonesh. Beratasit po kalojnë momente të vështira, në një kohë që një vit provuan edhe Kategorinë e Dytë. Gjatë kampionatit të kaluar, ekipi bëri një paraqitje zhgënjyese duke mos arritur të rivalizonte për vendin e parë që të dërgon në Superiore.

Tomori

Një tjetër faktor penalizues për ekipin ishte edhe zhvillimi i ndeshjeve jashtë fushe. Stadiumi i Beratit iu nënshtrua rikonstruksionit në muajin shkurt, pasi tapeti ishte në gjendje mjeruese. Në këtë mënyrë, skuadra u detyrua t’i luante në Kuçovë ndeshjet e mbetura të pjesës së dytë të kampionatit.

IDEJA – Rikonstruksioni përfundimtar i stadiumit është drejt fundit dhe Tomori do të ketë mundësinë të luajë në një impiant me kushte shumë të mira në kampionatin e ri. Tashmë, pritet me shumë interes ndërtimi i skuadrës. Burime pranë klubit kanë bërë të ditur se drejtuesit do të synojnë ndërtimin e një ekipi cilësor që të luftojë për elitën.

Krepi

Për momentin, gjithçka është në kuadër të idesë dhe bisedave që zhvillohen. Projekti mund të nisë me trajnerin e ri. Kreshnik Krepi është trajneri që përflitet se mund të marrë drejtimin e ekipit për sezonin e ri. Nëse do të vendoset për emrin e teknikut, do të nisë më pas puna për ndërtimin e skuadrës.

Tifozëria është në pritje të zhvillimeve, në një kohë që duhet thënë se Tomori ka lënë gjurmë në historinë e futbollit shqiptar. Nëse do të vendoset përfundimisht për ndërtimin e një ekipi që të synojë elitën, do të ketë rritje të buxhetit dhe do të afrohen lojtarë cilësorë dhe të afirmuar që ringritja të jetë e sigurt.

Eris Sylyku





www.minuta90.com