Rigjen Besëlidhjen pas 6 vitesh, Demi: Sikur u ktheva nga emigrimi

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 23, 2022 | 23:41

Rigjen Besëlidhjen pas 6 vitesh, Demi: Sikur u ktheva nga emigrimi

Besëlidhja nuk ndalet në merkato. Skuadrës iu bashkua dje në stërvitje portieri Elson Demi. Lezhjani rikthehet në bazë një shkëputjeje 6-vjeçare. Lojtari që karrierën e tij me këtë fanellë në vitin 2008 dhe u largua në 2011-ën, ka vendosur që të luajë sërish në shtëpi. Kthimin e dytë në Lezhë e pati në merkaton e janarit të 2014- ës, por aventura asokohe zgjati vetëm një sezon. Tashmë që është 32 vjeç vjen me më shumë përvojë mbi shpinë dhe i gatshëm për t’i dhënë garanci katërkëndorit.

elson demi

Gjatë një prononcimi për “Panorama Sport”, Elson Demi shpreheht i emocionuar që do të veshë sërish këtë fanellë. Gardiani që edicionin e fundit e mbylli te Tërbuni, ndalet edhe për objektivat dhe qartazi e thotë që do të tentojë ngjitjen në elitë. “Pas një shkëputjeje 6-vjeçare, vij në Lezhë. Në merkaton e kësaj vere vendosa që t’i bashkohem Besëlidhjes, ekipit që më ka rritur dhe bërë portier.

Për mua është një rikthim në shtëpi, ndonëse më duket sikur u ktheva nga emigrimi (qesh). Të mbash këtë fanellë veshur, përveçse është një privilegj që e ëndërrojnë të gjithë lezhjanët, është edhe një përgjegjë si shumë e madhe. Dihet që ka një peshë historike dhe këtë nuk mund ta mohojë askush. Unë sapo i jam bashkuar ekipit në stërvitje dhe nuk mund të flas për formën. E megjithatë, kam besim se do të bëjë gjëra të mëdha.

Stafi teknik i kryesuar nga Alban Bruka dhe rikthimi i dyshes shkodrane DibraHepaj do të ndikojë shumë pozitivisht në përmbushjen e objektivave. Ndonëse ky sezoni parashikohet të jetë tej mase i vështirë, nuk mund të kemi objektiv tjetër përveç ngjitjes në Superiore. Me këtë mision do të nisim rrugëtimin tonë”, përfundoi portieri që gjatë karrierës së tij ka luajtur edhe për Butrintin, Adën, Ilirinë, Shënkollin dhe rishtas me Tërbunin.

PRENG GJIKOLA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"