Ribaj: Teutës i duhet vetëm pak më shumë besim

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 24, 2016 | 13:37

Ribaj: Teutës i duhet vetëm pak më shumë besim

Heroi i Teutës në ndeshjen e fundit ndaj Laçit ishte Andi Ribaj, i cili realizoi një dopietë trepikëshe. Në një intervistë për “Panorama Sport”, Ribaj ka deklaruar se Teuta në pjesën e mbetur të sezonit do të ngjitet në mesin e tabelës së renditjes, pasi i ka kapacitetet dhe forcën.

Teuta fiton ne lac

Dy gola në një ndeshje mjaft të rëndësishme në transfertë. Si ndihet Ribaj?

Kemi marrë tri pikë me shumë vlera në një fushë ku të gjithë kundërshtarët hasin probleme, pasi kurbinasit janë një ekip i fortë në shtëpi. Kanë një grup me lojtarë ndoshta jo shumë të njohur, por me futbollistë të talentuar. Tri pikët e marra atje më gëzojnë më shumë se golat e shënuar. Për mua ka rëndësi ecuria e ekipit dhe ju siguroj që, nëse do të kisha mundësi të pasoja te shokët e ekipit që të shënonin një gol të sigurt, do ta bëja, edhe pse nuk do të shënoja vetë. Uroj që kjo fitore të jetë një ogur i mirë për të njëjtën vijimësi në ndeshjet e vitit të ardhshëm.

Megjithatë, në atë ndeshje kishte edhe dy penallti të dyshimta…

Nuk dua të komentoj në lidhje me këtë çështje, pasi i takon dikujt tjetër kompetenca. Ndërsa në lidhje me lojën, mund të them se kemi arritur që, deri diku, t’i zbatojmë detyrat që trajneri na ka dhënë. Me ardhjen e Maganit në krye të skuadrës, Teuta po zhvillon lojëra më të bukura. Por kanë munguar pikët që janë shumë të rëndësishme. Gjithsesi, ndërprerja e kampionatit do të na shërbejë shumë për të rifituar besimin dhe për t’u qetësuar. Në futboll duhet fat, besim, këmbëngulje dhe shumë punë, ju siguroj që Magani me ardhjen e tij është “ilaçi” i kësaj skuadre, pasi ai e di më së miri se çfarë i duhet kësaj Teute.

Duke parë pozicionin që Teuta ka në renditje, mendoni se keni bërë zgjedhjen e duhur që jeni bashkuar me këtë skuadër?

Pa dyshim që po, pasi renditja është e rreme. Për mua, Teuta në fund të kampionatit do të jetë në mesin e tabelës apo edhe më lart. Kam pasur disa oferta në fakt, madje dhe nga jashtë vendit, por për arsye të mia personale u detyrova të kthehem në Shqipëri dhe ju siguroj që Teuta është një emocion me vete. Ky ekip nuk ka shumë ndryshime nga sezoni i shkuar dhe elementët që janë larguar janë zëvendësuar po me futbollistë cilësorë. Na duhet vetëm pak më shumë besim.

Jeni i kënaqur me paraqitjen tuaj?

Jo aq shumë. Kur u bashkova me Teutën nuk kisha përgatitjen e duhur fizike dhe për këtë falënderoj klubin dhe trajnerët që kanë punuar me mua, pasi më kanë dhënë mundësinë dhe besimin e tyre. Mund të them që, për momentin, jam në 60%-shin tim dhe kam ende potencial për të treguar.

Sipas mendimit tuaj, cila është skuadra më e fortë në kampionat dhe kush rrezikon rënien?

Nuk mund të them vetëm një emër, pasi për mua Kukësi, Skënderbeu, Partizani apo dhe Tirana janë pothuajse në të njëjtin nivel. Sa u përket atyre që mund të bien në fund të kampionatit di të them që të gjitha skuadrat janë në garë, duke filluar nga Korabi deri te Kukësi i vendit të parë, derisa matematika e lejon një gjë të tillë.

Po lojtarët më të fortë me të cilët jeni përballur?

Për sulmuesit mund të them Salihi, Pejiç, Ekuban, që për mendimin tim bëjnë diferencën dhe janë baza e ekipeve të tyre. Ndërsa lojtarët më të fortë në repartin e mbrojtjes që jam përballur janë Shameti, Jashanica, Osmani etj. Në fakt, janë shumë, pasi kemi mbrojtës të mirë në Superiore.

Jeton Rexhmati

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"