Ribaj te Apolonia, trajneri Miho tregon sekretet e ekipit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 21, 2018 | 16:54

Ribaj te Apolonia, trajneri Miho tregon sekretet e ekipit

Trajneri i Apolonisë, Marjol Miho, shprehet relativisht i kënaqur me paraqitjen e skuadrës së tij në miqësoren e luajtur ndaj Lushnjës. Apolonia fitoi 4-2 në një ndeshje ku rezultati ka qenë më pak i rëndësishmi dhe ku Miho ka testuar për herë të parë në një miqësore plot 6 lojtarë: Memlika, Zoga, Kalemaj, Hysi, E.Mehmeti dhe Ribaj.

apolonia bujar miho

MIHO – “Jam përgjithësisht i kënaqur me performancën dhe lojën e ekipit. Më e rëndësishmja është që skuadra ka dëshmuar përmirësim të ndjeshëm krahasuar me ndeshjen e parë në Berat dhe ka rritur treguesit e konsolidimit deri në masën 70 për qind. Lojtarët po përshtaten gradualisht me filozofinë që unë kërkoj dhe kjo është pozitive e premtuese”.

Për futbollistët që janë nën testim, trajneri fierak deklarohet se ende nuk ka dhënë një profil të qartë dhe se vendimi i duhur do të merret në kohën e duhur, pasi gjithë stafi teknik të ketë një ide të qartë mbi vlerat reale të këtyre lojtarëve dhe sa i shërbejnë filozofisë së Apolonisë. I vetmi i larguar pas ndeshjes me Lushnjën është Kalemaj, ardhur nga Tirana B.

Ribaj

Ndërkohë, E. Mehmeti është një futbollist që rikthehet te fierakët, ashtu si edhe Ribaj, por ky i fundit ende nuk ka vendosur nëse do të jetë pjesë e Apolonisë, edhe pse, siç bën me dije Miho, klubi fierak i ka bërë ofertën e vet dhe tani mbetet në pritje të përgjigjes së sulmuesit.

Trajneri i Apolonisë flet gjithashtu edhe për defektet momentale të skuadrës së tij dhe nevojat në merkato. “Dua një ekip më fleksibël, më kompakt, më të kolauduar dhe me një funksionim më perfekt në grup dhe frymën kolektive, por është vetëm fillimi dhe lojtarët kanë ende nevojë për kohë për të fituar përshtatësinë e duhur me njëri-tjetrin”, tha Miho.

BUJAR RAMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"