Ribaj “skanon” Flamurtarin: Jemi mirë edhe pa merkato, duhet të kishim më shumë pikë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 15, 2021 | 21:24

Ribaj “skanon” Flamurtarin: Jemi mirë edhe pa merkato, duhet të kishim më shumë pikë

Andi Ribaj “skanon” Flamurtarin. Kapiteni mendon se skuadra nuk e meriton vendin që ka në renditje. Gjatë një interviste të dhënë për “Panorama Sport”, evidenton se u mungojnë pikë edhe në ndeshjet kur kanë luajtur mirë. Vlerëson grupin e lojtarëve, ndërsa paralajmëron se kthesa e madhe nuk do të vonojë. Sulmuesi nuk e sheh si dramë as mungesën e merkatos, ndërsa hapur thotë se janari është i vakët.

RIBAJ

Ribaj, sa ju bind ky Flamurtar?

Flamurtari nuk e meriton aspak vendin ku është pozicionuar në renditje. Shprehem kështu, sepse kemi humbur disa pikë në përballje që kemi luajtur shumë mirë. Në këtë këndvështrim them se nuk kemi marrë atë që na takon. Duhet të kishim më shumë pikë dhe në renditje nuk duhet të ishim këtu ku jemi. Megjithatë, duhet të shikojmë përpara dhe të japim më të mirën tonë në vijim, sikundër kemi bërë deri tani.

Merkatoja nuk u hap as në këtë sesion janari, ndiheni të penalizuar?

Në merkaton e janarit, tregu nuk është se ofron shumë dhe kjo dihet botërisht. Unë mendoj se ne e kemi grupin dhe mua më pëlqen. Në përbërje kemi lojtarë vërtet të rinj, por që janë duke u rritur nga dita në ditë. Ajo që më jep shpresë, është dashuria që kanë për fanellën. Punojnë me pasion, për të dhënë maksimumin e tyre. Ata po e bëjnë më së miri detyrën e tyre.

Ndonëse luajtët mirë në Cërrik, kjo nuk mjaftoi. Pse mendoni se humbët?

Po. Është e vërtetë që në Cërrik përballë Turbinës luajtëm një lojë të mirë e të kënaqshme. Por, ne duhet të kishim shfrytëzuar rastet që krijuam. Nëse do t’i kishim administruar më mirë, them se do të kishim dalë me një rezultat pozitiv nga ai takim. Megjithatë, më kënaq shumë loja që zhvilloi ekipi.

Resuli u shpreh i pakënaqur me gjykimin në Cërrik, jeni në të njëjtën linjë me trajnerin?

Unë jam futbollist profesionist dhe shikoj vetëm fushën e lojës. Nuk më takon mua të flas për gjykimin. Të tjerat nuk i komentoj dot.

Andi Ribaj Flamurtari

Pas pushimit që ju rezervon kalendari, në radhë keni përballjen me Besën pretendente. Sa shanse keni për një rezultat pozitiv?

Të gjitha ndeshjet janë të vështira në Kategorinë e Parë. Është një kampionat fort dhe me futboll të egër. Ne e vlerësojmë maksimalisht Besën. Ata kanë një ekip shumë të mirë dhe ne i respektojmë, por Flamurtari do të shkojë në Kavajë për të fituar. Për këtë kam shumë besim te grupi. Të gjithë do të japin më të mirën e tyre me qëllim që nga ky takim të marrim maksimumin.

Jeni bërë pishman që qëndruat në Vlorë?

Nuk jam bërë aspak dhe nuk ka asnjë arsye që të bëhem pishman. Edhe nëse do të kthehesha pas, të njëjtën zgjedhje do të bëja. E kam thënë dhe do ta rithem: Më pëlqen shumë Vlora dhe ambienti që na rrethon.

ERMAL SIKA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"