“Rezultatet ua dedikoj sportistëve”, Taulant Stërmasi shpallet trajneri më i mirë i atletikës në Europë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 30, 2022 | 19:06

“Rezultatet ua dedikoj sportistëve”, Taulant Stërmasi shpallet trajneri më i mirë i atletikës në Europë

Taulant Stërmasi është shpallur si në nga trajnerët më të mirë të vitit nga Federata Europiane e Atletikës, çmim që ka ardhur si fryt i një pune të jashtëzakonshme ndër vite, por që është kurorëzuar me rezultatet fantastike të këtij sezoni. Pas paraqitjeve fenomenale të Luiza Gegës, kampione me rekord të Europianit, sigurisht që qëndron trajneri kryeqytetas.

a305ebcab9df40c0acc00d056275cfcc

Stërmasi bashkë me Gegën prej vitesh janë binomi perfekt i suksesit në sport. Nëse në njërën anë kemi një sportiste të palodhur, që ka sakrifikuar gjithçka për të arritur majat, në krahun tjetër kemi një trajner inovator, detajist dhe kërkues maksimal. Ky kombinim është përkthyer me medalje të shumta për Shqipërinë, të cilat sigurisht kanë kulmuar në vitin 2022, me një sërë rekordesh dhe rezultatesh historike në një sport elitar siç është atletika. Ditën e djeshme trajneri ka marrë certifikatën e vlerësimit nga Federata Europiane, në një ceremoni ku merrnin pjesë drejtuesit e Federatës Shqiptare të Atletikës.

STËRMASI – Në një prononcim për “Panorama Sport” pas këtij vlerësimi, trajneri Taulant Stërmasi u shpreh: “Nuk mund të them që e prisja, pasi kjo është hera e parë për një trajner shqiptar dhe për mua. Është një vlerësim dhe jam i kënaqur, për shkak se njerëzit kur investohen dhe lodhen në gjithë këtë proces, marrin një vlerësim në formë respekti, pasi këtu nuk po flasim për vlerë monetare. Por është shumë e rëndësishme, pasi vlerësohesh nga institucionet më të rëndësishme të sportit në Europë. Rezultatet e arritura deri më tani ua dedikoj sportistëve të mi, të cilët kanë sakrifikuar shumë, kanë derdhur djersë e mund në pistat e atletikës”, shprehet trajneri.

Siç ecën përpara me kohën sporti, me të njëjtin ritëm duhet të evoluojë edhe trajningu. Por mbi të gjitha ashtu sikurse për sportistët edhe për trajnerët duhet pasioni, gjë që e thekson edhe vetë Stërmasi: “Ashtu sikurse në çdo fushë të jetës, duhet të punojmë përditë për t’u përmirësuar. Duhen trajnime për t’u bërë më të mirë, pasi gjërat lëvizin me kohën dhe nuk mund të qëndrojmë dot me trajnimet e bëra vite më parë. Çdo vit, çdo 6 muaj mësohen gjëra të reja dhe duhet të jesh aq i zgjuar në mënyrë që ato që mëson t’i aplikosh edhe te sportisti. Si kudo edhe në këtë profesion gjëja e parë duhet që të ketë pasion, pasi pa pasion e ke të pamundur që të bësh më mirë. Pastaj sigurisht që duhet edhe ana financiare”.

Ndërkohë për sa u përket objektivave, trajneri shprehet: “Objektivat janë që të përmirësojmë rezultatet, që të bëjmë më mirë se sa kemi bërë. Na presin gara të rëndësishme si Botërori me Luizën apo Europiani U-20 me Redia Dautin, ndërsa më pas është edhe Olimpiada”, përfundon Stërmasi.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"