Kamzës i jep zemër një sulmues: Nuk jemi ekip për mbijetesë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 21, 2017 | 11:02

Kamzës i jep zemër një sulmues: Nuk jemi ekip për mbijetesë

Ermir Rezi, në sezonin e tij të parë te Kamza, dhuroi shumë paraqitje dhe ndeshje të mira. Këtë vit ai nuk e pret të jetë aspak i lehtë, pasi Kamza do të përballet me skuadrat më të forta të elitës së futbollit shqiptar. Mirëpo futbollisti shijakas është i gatshëm të luftojë për një vend në skuadër dhe ta meritojë atë, pse jo të jetë edhe “bomberi” i skuadrës së trajnerit Ndreu.

Kamza kampione e Kategorise se Pare

“Kamza e Superiores dëshiron të fitojë simpatinë e skuadrave të tjera, madje të tregojmë se jemi konkurrente dhe jo kalimtare si turistë në elitë. Për këtë kërkohet përqendrim në çdo ndeshje. Gjithmonë mund të ketë surpriza. Sidoqoftë, qëllimi ynë është që ekipi të mbijetojë në Superiore, si dhe për të pasur synime më të qarta sezonin pasardhës. Ndaj, për të realizuar këtë mision ekipi po kryen një fazë përgatitore model. Ne po mundohemi që, gjatë kësaj periudhe, të marrim ngarkesën e duhur dhe të jemi gati që në jav- ën e parë të sezonit të ri”, u shpreh Rezi.

POZICIONI DHE PËRSHTATJA

Më tej, Ermir Rezi ka treguar edhe rolin e tij të preferuar në fushë dhe përshtatjen që pati me Kamzën që në sezonin e parë. “Në fëmijëri kam luajtur në shumë pozicione, por kur i hyra futbollit më ka pëlqyer roli i sulmuesit, madje dy sezone më parë isha dhe golashënuesi më i mirë i kampionatit të Kategorisë së Parë kur luaja për Erzenin. Edhe trajneri e di mirë se në vitin e kaluar kam luajtur si sulmues i majtë dhe rrallëherë si sulmues qendre.

Kamza

Të shohim se si do të jetë gjatë këtij sezoni, pasi pritet që të vijnë edhe konkurrentë të tjerë. Dua të them se roli më i mirë për mua është sulmues krahu. Te Kamza arrita të përshtatesha mirë dhe në fund e konkretizuam me sukses sezonin, duke u ngjitur në Superiore. Ne u treguam skuadër e madhe dhe këtë gjë duhet ta tregojmë edhe në përballjet me ekipet e Superiores.

Mendoj se kemi cilësi për një gjë të tillë. Nuk do të jetë një sezon i lehtë për ne. Shpresoj që ta tregoj veten edhe në elitë me Kamzën dhe kontributi im të jetë i vyer në qëllim të arritjes së objektivave të grupit”, përfundoi sulmuesi shijakas i Kamzës, Ermir Rezi.

Abdulla Dushku

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"