Rexhinaldo u stërvit një ditë me Partizanin, por presidentin vuri veton. Zbulohen prapaskenat në kampin e kuq

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 19, 2020 | 10:49

Rexhinaldo u stërvit një ditë me Partizanin, por presidentin vuri veton. Zbulohen prapaskenat në kampin e kuq

Merkatoja aktuale e Partizanit është drejt vendosjes së një rekordi në historinë e të kuqve, që pas kthimit në Superiore në verën e 2013-ës. Nuk kishte ndodhur kurrë që lëvizjet në një periudhë merkatoje të ishin kaq minimale, si në hyrje dhe në dalje. Zyrtarisht, Partizani ka kryer një përforcim, mbrojtësin Dorian Kërçiku, si dhe ka huazuar Jasir Asanin në Suedi dhe Alesio Hysenin në Ishujt Faroe. 

Partizani miqesorja

Minifaza në Antalia është shfrytëzuar nga kampionët edhe për testime lojtarësh nga stafi teknik. Në këtë sesion merkatoje, parësore për drejtuesit e kuq është gjetja e një bomberi, pasi tre sulmuesit që përforcuan skuadrën në verë kanë qenë në hije. Duke parë tregun, por edhe periudhën, ku janari ofron pak mundësi të vlefshme pasi nuk ka lojtarë të lirë, Arturo Rexhinaldo ishte rasti më i favorshëm për Partizanin.

Rexhinaldo

Sulmuesi mozambikas është i konfirmuar në futbollin shqiptar, duke e treguar veten me Luftëtarin, Laçin dhe Kukësin. Duke qenë lojtar i lirë, pasi aventura e 29-vjeçarit u mbyll para kohe në Kazakistan, drejtuesit e Partizanit hynë në kontakte me Rexhinaldon. Ndonëse klubi nuk ka dhënë asnjë informacion në lidhje me lojtarët e provuar në Turqi, “Panorama Sport” ka mësuar se mozambikasi është përgatitur një ditë me “demat” në Antalia, duke qenë nën urdhrat e trajnerit Adolfo Sormani. Mësohet se palët kanë biseduar për kushtet e bashkëpunimit dhe gjetjen e akordit final. Afrimi i mozambikasit është kushtëzuar nga disa aspekte.

E shkuara problematike me klubet ku ka luajtur në Shqipëri, por edhe ndërhyrjet e shumta të menaxherëve në këtë rast nuk u kanë pëlqyer drejtuesve dhe presidenti Demi ka vënë veton, që të mos e marrin kur ekipi u kthye në Tiranë. Plus, ai varej edhe nga situata e sulmuesve të huaj që janë në klub, ku pa dyshim duhet gjetur një mundësi që një mes Solomonit, Braunit dhe Ekubanit (kryesisht njëri nga dy të fundit) të sistemohet në një klub tjetër.

Partizani

Përveç zgjidhjes së këtij ngërçi, të kuqtë kanë edhe një rast tjetër për të zgjidhur. Sulmuesi brazilian, Lukas Kardozo, figuron si pjesë e Partizanit dhe pret që klubi t’i gjejë zgjidhje. Afrimi i Rexhinaldos, pa sistemimin e dy sulmuesve, do ta shtonte barrën financiare dhe do të rritej më shumë numri i të huajve. “Panorama Sport” ka kontaktuar dje me mozambikasin, por ai ka refuzuar të japë sqarime në lidhje me negociatat me Partizanin.

ILIR CARA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"