Rexhinaldo qetëson trajnerin Mezani, Fangaj më në fund pushon pas 5 muajsh

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 20, 2018 | 16:37

Rexhinaldo qetëson trajnerin Mezani, Fangaj më në fund pushon pas 5 muajsh

Laçi u ndal në fushën e vet të dielën kundër Luftëtarit, por për nga mënyra sesi rrodhi loja, pika e parë ishte si një fitore. Këtë e pranoi edhe vetë trajneri Gentian Mezani pas ndeshjes me gjirokastritët. Forca e karakterit që tregoi skuadra pas disavantazhit 0-2 është një tregues se ky Laç nuk dorëzohet kurrë. Atëherë kur u mendua se duhej bërë diçka më tepër për të shmangur një turpërim në shtëpi, bardhezinjtë treguan dhëmbët edhe me një lojtar më pak.

Rexhinaldo

Gjithsesi, ajo që u vu re më shumë ishte ndikimi që pati në lojën e bardhezinjve mungesa e sulmuesit kryesor, Arturo Rexhinaldo, i cili ka shënuar 8 gola në Superiore me fanellën e Laçit deri më tani. Sulmuesi nga Mozambiku nuk ishte i gatshëm kundër ish-skuadrës së tij, Luftëtari, për shkak të plotësimit të numrit të kartonëve. Megjithatë, tashmë ai do të jetë gati për trajnerin Mezani në sfidën e radhës, që kurbinasit do ta luajnë në transfertë të shtunën kundër Kukësit.

Nga ana tjetër, ka edhe një lajm jo të mirë, pasi mbrojtësi i krahut të djathtë, Abdurrahman Fangaj, është i detyruar të mungojë për shkak të kartonit të kuq që mori ndaj Luftëtarit. Talenti shkodran kishte pesë muaj që aktivizohej me minutazh të plotë në kampionat, duke qenë bashkë me portierin Selmani dhe mbrojtësin Gjoni ndër më të aktivizuarit.

Pritet që në krahun e djathtë të mbrojtjes të luajë elbasanasi Bruno Lulaj, i cili u huazua nga Skënderbeu për pjesën e mbetur të sezonit. Pjesa tjetër e skuadrës është e plotë, ndërsa nuk dihet nëse klubi do të shlyejë pezullimin e Kallakut, i cili u dënua dy ndeshje nga Disiplina dhe tashmë mund të paguajë për të luajtur.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"